Publikuar me : 28.11.2011 Ne :
Politike - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ened Janina
Asnjë i punësuar në administratën publike shqiptare nuk do të marrë shpërblim gjatë vitit 2012 pa marrë më parë miratimin e ministrit të Financave Ridvan Bode apo kryeministrit Sali Berisha. Një strukturë e veçantë në Ministrinë e Financave do të kontrollojë të gjitha fondet që ishin parashikuar për shpërblime dhe do të vendosë nëse punonjësit e meritojnë apo jo shpërblimin që është propozuar ti jepet. Kjo është sanksionuar në ligjin për buxhetin e shtetit dhe prek 88 640 punonjës të administratës publike. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe institucionet e pavarura, por që marrin para nga buxheti i shtetit. Të vetmit që përjashtohen janë institucionet jo buxhetore, të cilat kontrollojnë vetë fondin e shpërblimeve.
Në buxhetet e e viteve të kaluara, institucionet vendosnin vetë për shpërblimet që do të merrnin punonjësit e tyre gjatë vitit. Bëhet fjalë për rroga shtesë ose për shpërblime që i jepeshin punonjësve për punë të mirë. Në disa raste këto ishin edhe në formë bonusi për punonjësit që kanë pasur rezultate të larta në punë.
Por neni 11 i buxhetit të shtetit për vitin 2012, i cili u miratua në parim mesnatën e së premtes nga Parlamenti sanksionon një tjetër strukturë. “Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore prej 1931 milionë lekësh shpërndahet dhe përdoret me miratim të ministrit të Financave dhe sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të tij”,- thuhet mes të tjerash në nenin 11 të buxhetit të shtetit për vitin 2012. Sipas tij, qeveria ka parashikuar një fond prej gati dy miliardë lekësh të reja, por që në fund të vitit edhe mund të mos shpenzohet.
Drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, e ka shpjeguar këtë ndryshim me ngritjen e strukturës së re dhe ligjin për buxhetin. “Për vitin 2012 është përcaktuar një procedurë e re për të gjitha institucionet buxhetore, të varura dhe të pavarura nga ekzekutivi, që fondi i veçantë do të mbahet në Ministrinë e Financave dhe do të përdoret herë pas here, në përputhje me kërkesat e institucioneve ose me vendimin që do të marrë Këshilli i Ministrave. Kjo nuk e pengon aspak kërkesën e institucioneve për respektimin e ligjit që ata kanë për shpërblimin e punonjësve”,- ka thënë Dhëmbi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve e pyetur në lidhje me shpërblimet.
Ajo shpjegoi se institucionet duhet të bëjnë një kërkesë në Ministrinë e Financave duke shpjeguar se kujt punonjësit do ti jepet shpërblimi dhe se cila do të jetë arsyeja e shpërblimit. Me pak fjalë, ministria do të kontrollojë të gjitha shpërblimet dhe ajo do të vendosë nëse një punonjës e meriton apo jo që ta marrë këtë shpërblim.
“Pra, në momentin që ata do të shpërblejnë do të bëjnë kërkesën, ne rialokojmë fondin. Procedura është e përcaktuar në nenin 11 të ligjit të buxhetit që, me kërkesën e institucionit të argumentuar ligjërisht, ne bëjmë rialokimin e fondit”,- tha Dhëmbi në komision. Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave pohoi përpara deputetëve se kufizime janë bërë edhe në fondin e investimeve në të gjitha institucionet që varen nga buxheti i shtetit. “Në lidhje me investimet, me rishikimin e kuadrit makro së fundi, para se buxheti i 2012-s të formulohej, janë reduktuar investimet dhe normalisht janë hequr objektet e reja. Pra, ky ka qenë parimi, si dhe për të gjitha institucionet e ekzekutivit. Investimet do të shtyhen në kohë, por jo se do të eliminohen”,- tha Dhëmbi.
Burimet e buxhetit të shtetit 2012
Grantet 9 843 milionë lekë;
Të ardhurat tatimore 251 168 milionë lekë;
Të ardhurat jotatimore 20 611 milionë lekë.
41163 milionë lekë
Është kufiri i financimit të deficitit të Buxhetit të Shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është, nga i cili 300 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja totale për financimin e deficitit prej 40 863 milionë lekësh nuk ndryshon. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. Çdo e ardhur nga privatizimi e arkëtuar mbi shumën e parashikuar në ligj, përdoret me vendim të Këshillit te Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve për investime dhe uljen e huamarrjes
Shpenzimet e buxhetit të shtetit
Shpenzimet korrente 245 622 milionë lekë;
Shpenzimet kapitale 69 763 milionë lekë;
Fondi rezervë 2 000 milionë lekë;
Fondi i kontingjencës për deficitin 2 900 milionë lekë;
Rritje e pagave dhe pensioneve 2 500 milionë lekë.