Publikuar me : 07.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 34 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Qeveria miraton kredinë e tretë nga vendet arabe për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Marrëveshja me Fondin e OPEK-ut për financimin e 20.4 milionë dollarëve për këtë rrugë, ishte lajmëruar disa muaj më pare, por si duket ekzekutivi vetëm tani ka arritur të marrë siguri duke miratuar edhe marrëveshjen në mbledhjen e djeshme. Bëhet fjalë për një kredi me afat maturimi 20 vjeçar, me një interes 3.3 për qind, ku Shqipëria nuk do të paguajë gjatë pesë viteve të para.
Kjo është kredia e tretë nga këto vende, që merret në një kohë kaq të shkurtër me një qëllim të vetëm, ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Në total, vendet arabe kanë financuar deri më tani rreth 268 milionë dollarë për këtë rrugë bashkë me tunelin. Kredia më e madhe ishte nga Fondi Islamik për Zhvillim me vlerën e 222.7 milionë dollarëve, e firmosur në pranverën e këtij viti. Kredia në fjalë ka një afat maturimi 20 vjet. Gjatë tre viteve të para pas lëvrimit, Shqipëria nuk do të paguajë.
Huaja përbëhet nga 34 këste fikse që duhet të paguhen dy herë në vit për një periudhë 17 vjeçare. Deri në fund, vendi përllogaritet të paguajë rreth 132 milionë dollarë interesa. Kredia e dytë ishte ajo me vlerë 25 milionë dollarë të marra nga Fondi Saudit për Zhvillim. Marrëveshja u firmos nga vetë Ministri i Financave Ridvan Bode dhe ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë. Kredia ka interes 2 për qind dhe duhet të shlyhet për 25 vjet. Sipas marrëveshjes, Shqipëria nuk do të paguajë këstet për pesë vitet e para.
Edhe Fondi i Abu Dabit ka konfirmuar gojarisht financimin e rrugës, gjatë një takimi me ish-zv/kryeministrin Ilir Meta në pranverën e këtij viti, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare, siç do të ishte nënshkrimi i kontratës midis palëve. Në qershor, Fondi i OPEK-ut, marrëveshja me të cilët u miratua dje, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së qeverisë shqiptare për të financuar pjesërisht ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Qeveria synon të marrë edhe një tjetër hua nga Fondi i Abu Dabit me vlerë 50 milionë dollarë për të njëjtin projekt, por deri më tani nuk ka ende finalizim të negociatave. Nëse do të realizohej dhe kjo kredi, thuajse e gjithë rruga do të ndërtohej me para të vendeve arabe, duke i bërë ato një ndër financuesit më të mëdhenj të investimeve në Shqipëri për këtë vit.
Jo më larg se një muaj më parë, Presidenti i kompanisë greke “Aktor”, e cila është duke kryer punimet për ndërtimin e tunelit të Kërrabës kërkoi publikisht nga Kryeministri Berisha gjatë ceremonisë së inaugurimit të kilometrit të parë që të paguhej për punën e bërë. Më pas, u mësua se lëvrimi i fondeve nuk ishte bërë pasi, banka arabe kishte kërkuar sigurimin e kontratës tek një bankë tjetër dhe jo tek bankat greke siç kishte bërë kompania.
Specifikat e kredive “arabe”
Financimet nga vendet arabe kanë një specifikë ndryshe, pasi Islami e ndalon kategorikisht fajden. Në këtë rast, paratë e ofruara nuk konsiderohen si kredi por si mall, të cilit shitësi i përcakton një çmim duke parashikuar edhe fitimin e tij brenda. Më pas, marrësi i mallit paguanin çmimin total, të ndarë në këste fikse apo kushteve të tjera të kontratës. E gjithë kjo bëhet për të shmangur fajden, ndërkohë që banka normalisht e merr fitimin e saj, jo nëpërmjet kamatës por çmimit të mallit.
Kjo është hera e parë që një shumë e tillë financohet në këtë formë nga këto vende.
Financimi i rrugës Tiranë-Elbasan
67 perqind Vendet arabe
23 perqind Qeveria shqiptare dhe të tjerë