Publikuar me : 29.06.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 203 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Punonjësit e administratës shtetërore, të cilët prisnin që në fillim të gushtit të njiheshin me rritjen e pagës së premtuar nga qeveria, duket se këtë vit do të mbesin me gisht në gojë, edhe pse Shqipëria nuk e ka pranuar asnjë herë krizën, shifrat e buxhetit tregojnë të kundërtën. Qeveria ka ndryshuar buxhetin e vitit 2011 duke kryer shkurtime drastike në fondin e investimeve dhe atë të pagave e pensioneve. Sipas shifrave zyrtare, buxheti për pagat ishte 3.5 miliardë lekë, ndërsa me ndryshimet e bëra është 2.6.
Kjo do të thotë që në rastin më të mirë të mundshëm buxhetorët nuk do të njohin rritje page, por indeksim sipas normës së inflacionit. Ulje ka edhe fondi për kompensimin e ish pronarëve si dhe fondi për të përndjekurit. Ulja më e madhe është bërë tek kompensimi i energjisë. Drafti sapo është përfunduar nga Ministria e Financave dhe me shumë gjasa pritet të paraqitet për miratim në mbledhjen e radhës të qeverisë.
Treguesit e buxhetit në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve janë shkurtuar me nga rreth 18.3 miliardë lekë. Ndryshe nga sa ishte parashikuar, qeveria nuk do të shpenzojë më 409 miliardë lekë deri në fund të këtij viti, por 390.6 miliardë. Për sa i përket të ardhurave, ekzekutivi ka ulur parashikimet e realizimit në 344 miliardë lekë nga 362 miliardë. Tregues i rëndësishëm në këtë drejtim është ulja e parashikimit të të ardhurave nga TVSH, akcizat dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale.
18.3 miliardë lekë më pak parashikon të mbledh qeveria deri në fund të këtij viti
390 miliardë lekë parashikohet të jenë shpenzimet e qeverisë. Shpenzimet kapitale, të cilat kanë të bëjnë direkt me investimet janë shkurtuar me 9.4 miliardë lekë.
Ulen në mënyrë të ndjeshme parashikimet për realizimin e të ardhurave nga TVSH-ja dhe Akciza. Rreth 16.1 miliardë lekë më pak pritet të mblidhen nga TVSH-ja dhe 2.4 miliardë lekë më pak nga Akciza.
Shifrat e buxhetit
Fondi politikat e reja të pagave ishte 1.5 mld lekë. Janë zbritur 500 mln ka mbetur një mld lekë
Fondi politikat e reja të pensioneve ishte 2 mld lekë. Janë zbritur 400 mln dhe ka mbetur 1.6 mld lekë
Në total fondi për rritjen e pagave dhe pensione është bërë 2.6mld lekë nga 3.5 që ishte
Fondi për kompensimin e pronarëve, nga 2 mld lekë është bërë 1.7 mld lekë
Fondi për ndihmën ekonomike nga 17.1 mld lekë është bërë 16.8 mld lekë
Fondi për të përndjekurit nga 2 mld lekë është bërë 1.8 mld lekë
Kompensimi për energjinë elektrike nga 500 mln lekë është bërë 0 lekë
E. Senja