Publikuar me : 23.09.2011 Ne :
Kulture - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto nga filmi "Falja e gjakut"
Elsa Demo
Qendra Kombëtare e Kinematografisë vendos ta përfaqësojë Shqipërinë në Akademinë e Çmimeve Oscar me filmin “Falja e Gjakut” i Joshua Marston, 2011, 109 min., SHBA, Shqipëri, Danimarkë, Itali.
Regjisorit kalifornian i dhurohet njw e drejtë nga Shqipëria në bazë të vendimit që mori dje Komisioni Përzgjedhës i filmit konkurrues në Academy of Motion, Picture, Arts and Science – 2012 në kategorinë Foreign Language Film Award.
Vendimin e mori Këshilli Miratues i Projekteve Artistike i QKK-së dhe në këtë rast ai vetëm sa ka ndërruar emër. I quajturi bord me po ata anëtarë, zotërinjtë Teodor Laço, Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa shqyrtuan katër kandidatura paraqitur nga producentët shqiptarë: “Era Film” me filmin “Balkan Bazzar”, skenari dhe regjia Edmond Budina; “90 Production” me filmin “Aministia”, skenari dhe regjia Bujar Alimani, “ArtFilm P&D” me filmin “Maya”, skenari Luljeta Lleshanaku, regjia Pluton Vasi dhe “Lissus Media” me filmin “Falja e gjakut”, skenari Andamion Murataj, Joshua Marston, regjia Joshua Marston.
QKK bëri të ditur dje se me shumicë votash Komisioni vendosi të përzgjedhë filmin artistik “Falja e gjakut” të regjisorit amerikan Joshua Marston për të kandiduar në kategorinë “Foreign Language Film Award” me motivacionet që filmi “është tërësisht në gjuhën shqipe; njëri nga autorët e skenarit, Andamion Murataj është shqiptar; “Lissus Media”, është kompani shqiptare, bashkëprodhuese në realizimin e filmit; Filmi është xhiruar tërësisht në Shqipëri; aktorët e filmit janë të gjithë shqiptarë; shumica dërrmuese e stafit realizues janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë; filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare për trajtimin me origjinalitet dhe freskinë artistike, të një problemi që mbetet i mprehtë për shoqërinë tonë”.
Por mbetet pa përgjigje pyetja: përse është zgjedhur ky film?
Tre kandidaturat e tjera e gjejnë veten të përligjura po aq në mos më shumë në motivacionet që Komisioni i ka evidentuar te “Falja e Gjakut”.
Amnistia, Maya, Balkan Bazaar: janë të tre në gjuhën shqipe; autorët e skenarit janë shqiptarë; producentët kryesorë janë shqiptarë, me pare të shtetit shqiptar, QKK-së; filmat janë xhiruar tërësisht në Shqipëri; aktorët e filmit janë të gjithë shqiptarë; shumica dërrmuese e stafit realizues janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë; filmat janë pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare.
E meqë Komisioni e vendos veten në pozitat e zyrës së gjendjes civile që lëshon certifikime për identitetin e individëve pa përcaktuar rolin e tyre në prodhimin e një vepre filmike, përse Komisioni nuk merr në konsideratë një të vërtetë të thjeshtë:
Falja e gjakut nuk është vepër e krijuesve shqiptarë në termin universal po aq dhe teknik të autorit. Shqiptare është vetëm toka.
I pyetur nga “Shekulli” për argumente më serioze, kryetari i Komisionit Teodor Laço pohoi se nuk ka më gjë për t’iu shtuar motivacioneve më lart. Zotit Laço filmi i ka pëlqyer shumë dhe është i kënaqur që kjo është zgjedhja.
Është e arsyeshme që vlerësimi për nivelin artistik të rrijë në fund, sepse Akademia Amerikane në radhë të parë kërkon që për filmin në gjuhë të huaj – i tillë është një film artistik me metrazh ta gjatë i prodhuar jashtë SHBA-së, e ku dominon gjuha jo angleze – vendi aplikant të provojë që krijuesit kryesorë të jenë në masën dërrmuese qytetarë ose rezident të atij vendi.
Rregullorja e Akademisë thotë se aplikuesi nga shteti që kërkon të kandidojë, duhet të përfaqësohet në shumicë në të paktën 2 nga këto 3 kategori: producent/ët, regjisor/ët, skenarist/ët. “Falja e gjakut” nuk përmbush kërkesat e kësaj saj pike. Dihet që ky film “u bë i mundur vetëm me buxhet të financuar 100 perqind nga fonde të huaja, pa suportin e domosdoshëm lokal” (deklarata e Andamion Murataj, shih shekulli 20 qershor 2011). Ky film njeh për producent amerikanin Paul Mezey dhe për kompani prodhimi Journeyman Pictures të cilën Mezey drejton, ndërsa Janine Gold, Eric Abraham, Domenico Procacci, Hunter Gray dhe Tyler Brodie kanë shërbyer si producentë ekzekutivë.
Andamion Murataj është autor i dytë i skenarit. Por me sa duket edhe Joshua Marston po mësohet me çuditë shqiptare dhe e pranon për hir të aplikimit të dalë autor i dytë i skenarit. Hera e parë që e shohim në pasaportën e filmit “Falja e gjakut” këtë këmbim vendesh të autorëve. Ariu i Argjendtë për Skenarin më të mirë në Berlin International Film Festival 2011, i njeh meritën bashkëskenaristëve Joshua Marston dhe Andamion Murataj.
Sipas rregullores së Akademisë së Oscar-ve, aplikuesi nga shteti që kërkon të kandidojë, duhet të përfaqësohet në shumicë edhe në këto kategori: Kamera, Montazh, Drejtim Artistik, Kostumografi, Kompozitor, Miksim zëri.
“Falja…” ka drejtor fotografie Rob Hardy-n, skenograf Tommaso Jamieson, muzika ka për autorë Jacobo Lieberman dhe Leonardo Heiblum, kostumografe është shqiptarja Emirë Turkeshi dhe editor është Malcolm Jamieson.
Këto argumente trajton Bujar Alimani regjisor i “Amnistisë” (që mbërriti në një nivel ndërkombëtar përfaqësimi në Berlinale e më gjerë, për atë çka filmi është) në letrën drejtuar ministrit të Kulturës Aldo Bumçi dhe Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Artan Minarolli.
Në bazë të kritereve të autorësisë “Falja e gjakut” nuk është vepër shqiptare. Për këtë do binte dakord dhe vetë Kryetari i Qendrës (shih Gazeta Shekulli, Flamurmbajtës për Oscar, 24 prill 2011), i cili dje pas vendimit të Komisionit nuk është bërë i kapshëm nëpërmjet telefonit.
Në prag të këtij procesi, kryetari i QKK pati deklaruar se filmat “Shqiptari” i gjermanit Johannes Naber dhe “Falja e Gjakut” i amerikanit Joshua Marston megjithëse paraqesin specifika të ndryshme nga prodhimet e tjera shqiptare në kooproduksion me të huaj, nuk diskutohen për shkak të pasaportës joshqiptare të prodhimit. Minarolli pati deklaruar se “përfaqësimi i Shqipërisë nga një regjisor i huaj është jashtë çdo hamendësimi, por është komisioni për filmin shqiptar në Oscar ai që do të vendosë”.
Një vendim jo korrekt në aspektin teknik, tërheq pas dyshimin se vendimmarrësit e vërtetë janë të tjerë, janë ata që nisen nga pozita e besimit inferior dhe përçmimit të njerëzve dhe krijuesve të këtushëm. Dje ka fituar mendimi se një regjisor i huaj mund të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze Shqipërinë, se “Falja e gjakut” i ka të gjitha shanset reale për të arritur në nivelin më të lartë të konkurrimit”, pra “në natën finale të Oskarve” siç ka nisur prej muajsh Murataj të flasë poshtë e përpjetë, dhe t’ia arrijë qëllimit me këtë grabitje nga oxhaku të të drejtave.
Vendimi i djeshëm i komisionit që është kundërthënës me qëndrimin që ka mbajtur ndaj “Faljes së gjakut” si film i një të huaji për Shqipërinë, është denigrues për ata artistë shqiptarë që përpiqen dhe krijojnë me shtetin kundër në vend që nuk i meriton.
Praktika
Qysh prej vitit 1996 filmi shqiptar ka aplikuar jo rregullisht në Akademinë Amerikane. Në dhjetëvjeçarin e fundit, u arrit të prodhohet edhe 1-2 filma në tre vjet, e bashkë me të edhe pretendimi për t’u matur me kinemanë botërore, pra me kinemanë joanglishtfolëse, pikërisht ajo që hyn në Kategorinë e Filmit më të Mirë në Gjuhë të Huaj.
Strukturat tona kinematografike me në krye Ministrinë e Kulturës nuk e kanë stabilizuar ende një mekanizëm i cili çdo vit do të kryente zgjedhjen e filmit shqiptar në një konkurrim ku vlerat kinematografike, gjithsesi, mbajnë një flamur të vendit që i përket prodhimi. Dy vitet e fundit QKK ka adaptuar pothuajse gjithë kriteret e Rregullores së Akademisë për këtë kategori.
Vetëm katër filma shqiptarë, bashkëprodhime të huaja me polakët, francezët, italianët, kanë aplikuar për Academy Aëard for Best Foreign Language Film, dhe asnjëri nuk është nominuar për Oscar. Në këtë histori thuhet që megjithëse filmi shqiptar nuk ka pasur asnjëherë përfaqësim ambicioz, vendet rreth e rrotull nesh kanë shkuar drejt kësaj kategorie të Oscarit me filma për Shqipërinë ose diasporën shqiptare.
1996 “Kolonel Bunker” i Kujtim Çashkut
2002 “Slogans” i Gjergj Xhuvani aplikon për edicionin e 74 të Academy Aëards për Best Foreign Language Film. Këtë vit fitues është “No man’s Land” i Danis Tanovicit, Bosnje – Hercegovinë
2008 “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i Eno Milkani & Piro Milkani
2009 “Gjallë!” i Artan Minarollit
2010 “Lindje-Perëndim-Lindje” i Gjergj Xhuvanit