Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Politike - 77 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Denis Dedej
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Berisha si njeriun që ka urdhëruar vrasjen e katër protestuesve për të kërcënuar të gjithë shqiptarët. Një vit pas vrasjeve përpara kryeministrisë, Rama ka përkujtuar në një fjalim të mbushur me nota dhimbjeje dhe pikëllimi ngjarjen e rëndë.
“Familje si të zgjedhura enkas nga dora vrastare për t’i çuar nga një mesazh plumb Veriut e Jugut, atyre që zgjodhën të qëndrojnë në fshat e atyre që fshatin e lanë për të gjetur Amerikën në rrethinat dëshpëruese të askushëve të kryeqytetit, mesazh nënave të tretura nga vitet nën shamitë e vjetra, mesazh grave të vuajtura prej punës në tokën e vështirë, mesazh vajzave të martuara me fëmijë të vegjël a të porsalindur, mesazh djemve në emigracion dhe çupave si Ana, e bija e të gjorit Ziver, e cila bëri xhiron e botës në ekrane e gazeta me sytë prej deti që e humbën për të dytën herë, po këtë herë përgjithmonë, babanë…”,- tha Rama në ceremoninë përkujtimore të 21 janarit.
Ai e quajti këtë një mesazh direkt të qeverisë, e cila mund të marrë ç’të dojë nga shtetasit e saj dhe askush nuk e ndëshkon për atë që ka bërë.
Duke përmendur një nga një të katër viktimat e 21 janarit dhe familjet e tyre Rama tregoi jetën e vështirë të atyre që humbën njerëzit e dashur në një kohë kur kryeministri i etiketonte si banditë kokpalarë. “Pushkët grykënxehta të 21 janarit dhe kutitë e shqyera pas 8 majit janë dy anë të së njëjtës medalje, emblema me dy pamje e projektit për ta kthyer lirinë e patjetërsueshme të votës në një votë të tjetërsuar lirisht, duke goditur në trup e në tru, paralizuar e indiferentizuar një masë sa më kritike qytetarësh të hedhur knock out, për të kalëruar lirshëm procesin zgjedhor mbi shalën e pushtetit. E në ndërkohë, vendi përparon në hendekun e tmerrshëm mes mungesë së lirive për shumicën dhe parave me shumicë për pakicën, me marrëdhënie bilaterale e foto takimesh ndërkombëtare, me sfondin e demokracisë së pikturuar nga mediat qeveritare ku hera – herës fanepset spërkatja e gjakut të ndonjë gazetari të vrarë për “motive të dobëta”, dëgjohen kërcitjet e zinxhirëve në dyert e ndonjë redaksie që “s’paguan taksa”, apo luhet teatri i demaskimit publik të ndonjë pronari televizioni të pasuruar me paratë e “popullit sovran” që prangoset e kalbet në birucat e shtetit ligjor”,- tha Rama në fjalën e tij.
Duke përmendur zgjedhjet e ardhshme, ai i cilësoi ato si prova gjenerale që do të përcaktojnë Shqipërinë e së ardhmes, nëse ajo do të kthehet në një vend të kontrolluar tërësisht nga oborri i pushtetit, apo do të jetë rikthimi i vendit në rrugën e triumfit të lirisë e të vlerave demokratike. “Drejtësinë e kërkon Shqipëria, por e kërkon me zë përditë e më të lartë edhe bota demokratike, e kërkojnë miqtë e partnerët e pazëvendësueshëm të popullit shqiptar në rrugën e përpjetë të ndarjes me të shkuarën, më të parët ndër ta miqtë e mëdhenj amerikanë, të cilët për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit nuk janë mjaftuar me fjalë, po kanë angazhuar agjencinë më të fuqishme investigative të botës, FBI-në”,- tha Rama duke kujtuar se pa ndihmën e SHBA-së nuk do të kishte shpresë se këto vrasje mund të zbardhen.
“Ndërkohë që urdhëruesi i flakëve të ndezura në tytat e pushkëve që vranë katër shqiptarë të pafajshëm, e plagosën dhjetëra të tjerë, nga njëra anë u kapardis, jo njëherë, para shqiptarëve për zbatimin e Kushtetutës në vrasjen e qytetarëve, ndërsa nga ana tjetër çoi në mesnatë hijen e tij për të blerë me para gjakun e Hekuran Dedës në familjen e të ndjerit duke premtuar fotografinë e vrasësit, madje citoj, në madhësinë e gomës së fuoristradës, siç u tha vëllezërve të të vrarit, FBI-ja edhe falë këmbënguljes së mikut të madh të shqiptarëve Aleksandër Arvizu, vuri të gjithë profesionalizmin e saj të lartë në shërbim të gjetjes së autorëve të masakrës”,- u shpreh kreu i opozitës.
Kreu i opozitës
“Oferta mafioze për familjen Deda”
Pjesë e fjalës së Edi Ramës ishte edhe dëshmia tronditëse e vëllezërve të Hekuran Dedës, të cilëve u janë ofruar një valixhe me para dhe fotoja e vrasësit të vëllait në këmbim të një kafeje me Sali Berishën. Sot atyre njerëzve po u kërkohen pesë milionë lekë me pretendimin se kanë gënjyer.
“Në orët e para të kësaj dite pimë një kafe me vëllezërit e Hekuranit, malësorë të varfër e kryelartë, të lënduar thellë në shpirt prej asaj trokitjeje në mesnatë të hijes së kryeministrit të vendit, po dhe prej shpifjes së radhës të atij që i akuzon sot si gënjeshtarë, e madje u kërkon pesë milionë lekë pse gjoja paskan gënjyer kur i kanë treguar publikut të vërtetën therëse të asaj mesnate.
“Një valixhe me para për të pritur kryeministrin në shtëpi dhe në këmbim foton e vrasësit të vëllait!”, ofertë rrëqethëse prej kockash mafioze që ka efektin tmerrues të së vërtetës se nuk vjen prej një mafieje të fshehtë, po prej vetë qeverisë që u vrau vëllanë. Por lajmi çlirues që ambasadori amerikan u dha shqiptarëve për angazhimin e përfunduar të FBI-së, i ka bërë ata me fletë, u ka dhënë mbrapsht besimin se do të kenë përsëri të tyrin dinjitetin e vjedhur me përdhunë, shpresën e humbur përballë zezimeve të drejtësisë shqiptare, që qëllon me grusht në fytyrë sa herë bëhen gati me iluzionin se këtë herë mund të ketë drejtësi.
U ka dhënë mbrapsht besimin e vrarë tek mundësia e rifillimit të jetës në shtëpinë e tyre teksa trupi i Hekuranit përpëlitet nëntokë nga mungesa e drejtësisë, së bashku me trupin e Aleksit, Ziverit dhe Faikut, përpëlitje prej fyerjet barbare, prej karshillëku i të parit të qeverisë që përdorimin e forcës së armëve e quan vullnet kushtetues”,- tha dje kreu i opozitës.