Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Politike - 24 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Menjëherë pas deklaratës së guvernatorit të BSH-së për rritje ekonomike të shënuar gjatë muajve të fundit në vend, ka reaguar kreu i opozitës, Edi Rama. Me anë të një mesazhi të shpërndarë në rrjetin social “Twitter”, Rama nënkupton se gjendja reale e ekonomisë së vendit dhe rikandidimi i Fullanit nga qeveria flasin qartë për rritjen e rreziqeve të paralajmëruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Ekonomia në rrokullimë, Guvernatori në ngjitje – shenjë e sigurtë e rritjes së rreziqeve që paralajmëroi FMN-ja”, shkruan Rama në “Twitter”.
Guvernatori i BSH-së, Fullani, tha sot se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit. Në një konferencë për shtyp, Fullani vlerësoi si të rëndësishme ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik, e cila sipas tij ka ardhur si pasojë e punës së bërë nga Banka e Shqipërisë.
“Gjatë vitit 2011 ekonomia shqiptare ka pasur ecuri pozitive, pavarësisht frymës së pafavorshme. Gjatë 3-mujorit të tretë të këtij viti ekonomia shqiptare u rrit nën potencialin e saj, ndonëse progresi ekonomik duhet të orientohet drejt rritjes së konkurrueshmërisë dhe thithjes së investimeve të huaja”,tha Fullani.
Sipas tij, sistemi bankar i vendi u gjet likuid në momentin e krizës, ndërsa masat e marra kanë shtuar rritjen e depozitave. “Niveli aktual është mbi nivelin rajonal, por edhe evropian. Me zhvillimet e fundit të ekonomisë globale, Banka e Shqipërisë ka vijuar përmirësimin”.
Ndërkohë, po sot, në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha bëri publike kandidaturat për bordin e BSH-së, mes të cilëve edhe kreu aktual, Fullani.
“Kandidaturat që i propozohen Parlamentit janë: guvernatori aktual i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, një bankier me eksperiencë të gjatë dhe drejtuesi i Bankës së Shqipërisë në një nga kohërat më të vështira për financat evropiane dhe botërore. Elizabeta Gjoni, drejtuese e AMF-së që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në krijimin e këtij institucioni; dhe Petraq Milo një nga personalitetet e shquara të vendit, doktor i shkencave në fushën e financave”, tha Berisha.
Nga ana e vet, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin që tregoi se rritja e ekonomisë shqiptare është më e ulta në rajon.