Publikuar me : 08.07.2011 Ne :
Politike - 212 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Edi Rama
Dy muaj pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri Kolegji Zgjedhor ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për ankesat PS-së lidhur me votimet për kryebashkiakun e Tiranës. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka vlerësuar se PS i ka fituar zgjedhjet dhe ka marrë më shumë vota se sa kur ishte bashkë me LSI-në. Ai ka komentuar edhe situatën brenda PS-së duke thënë se nuk ka asnjë luftë të brendshme, por një përgjegjësi e lartë morale e politike.
Në një kohë që PS-së po i mbarojnë rrugët ligjore për të mbajtur bashkinë e Tiranës dhe, sipas saj, për të respektuar vullnetin e dalë nga kutitë më 8 maj, cili është hapi i radhës, në rast se Kolegji Zgjedhor do të japë një vendim negativ?
Hapat tanë janë paralajmëruar. Do të jenë hapat e natyrshëm të një force të madhe politike e qytetare në rrugën e ndryshimit, që Shqipëria pret. Zgjedhjet e 8 majit i fituam si një rezistencë e fortë opozitare, zgjedhjet e përgjithshme do t’i fitojmë si një alternativë e fortë qeverisëse. Nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin – pa diskutim këtu edhe për gjykatësit ligjshkelës dhe për vetë Saliun e për pushtetin e tij të vjedhur.
Para pak ditësh një nga figurat, që ka mbajtur funksione kyçe si partiake, ashtu edhe administrative në 20 vitet e fundit, Kastriot Islami thotë në intervistë publike se PS-ja i ka humbur zgjedhjet e fundit. Si do t’i përgjigjeshit këtyre akuzave?
Fakti që çdokush ka folur me vite gjithë ç’ka dashur, nganjëherë duke i rënë ndesh haptazi interesave të publikut e të opozitës, madje në rastin që ju pyesni duke shkelur çdo normë etike të përfaqësimit pa i hyrë gjemb në këmbë, nuk flet për mungesë lirie në familjen tonë politike po përkundrazi, për një mungesë të kulturës së përfaqësimit e të organizimit. E cila duhet adresuar domosdoshmërish me një përgjegjësi të lartë morale e politike nga Partia Socialiste. Jo për të kufizuar lirinë, po për të mos e penguar lirinë të punojë për interesat, që përfaqëson e mbron partia më e madhe e shqiptarëve.
PS-ja nuk ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja. A do të thotë kjo se vendimi është thjesht e drejtë e vënë në vend, për shkak të ndonjë abuzimi të deputetit, me postin e tij?
Ky është një spekulim, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e me vërtetësinë e plotë të dëshmisë së Ilir Beqes, i cili ka qenë dhe mbetet jo vetëm i pafajshëm, për çka është akuzuar e ndëshkuar padrejtësisht, po edhe një njeri i nderuar dhe i respektuar, që do të rikthehet në detyrën e deputetit me votat e shqiptarëve. Ndërkohë që çështjen në fjalë ne do ta çojmë në Gjykatën e Strasburgut, ku jemi të bindur se do të marrim gjykimin e drejtë e të pavarur, që edhe në këtë rast mungoi në Shqipëri.
Socialistët kanë nisur punën edhe për zgjedhjen e strukturave të reja, si dhe nisjen e fushatës zgjedhore brenda partisë. Çfarë të rejash do të sjellë kjo fushatë dhe do të ketë vend për “ndëshkime“ për zërat kundër brenda PS-së? Cila është receta për ta shëruar selinë rozë nga lufta e brendshme destruktive?
Në PS nuk ka asnjë luftë të brendshme destruktive, debatet tona për të rënë në një mendje duke shprehur pikëpamje të ndryshme janë pjesë e bashkëjetesës sonë demokratike, ashtu siç janë edhe proceset demokratike zgjedhore, që ne zhvillojmë brenda partisë në bazë të normave të votuara statutore. Ne u referohemi sistematikisht partive të mëdha demokratike të botës së lirë, duke ndryshuar me kohën që ndryshon, në një botë gjithnjë e më të vogël, sepse jemi përditë e më të lidhur përmes teknologjisë së re. Demokracia është proces dhe në rrugën e konsolidimit të saj ka natyrshëm probleme, që duhen adresuar me kurajo e aftësi, ka gjithnjë mësime, që duhen nxjerrë e ndryshime, që duhen bërë. Ne do t’i nxjerrim gjithë mësimet e duhura, duke bërë ndryshimet, që na duhen për t’i dhënë lirisë sonë vlera dhe për të rritur impaktin e këtyre vlerave në kulturën e bashkëjetesës.
Siç del nga një matematikë e thjeshtë koalicioni rreth PS-së do të ishte në pushtet tashmë pas zgjedhjeve të 2009-ës, por edhe do të fitonte lehtësisht Tiranën, nëse do të kishte në koalicion LSI-në. Cilat janë barrierat politike, që e bëjnë një koalicion me LSI-në kaq të vështirë, kur bëhet fjalë për dy parti të majta?
Më 8 maj ne fituam shumë më tepër, sesa katër vjet më parë, kur e kishim atë parti në koalicion. Edhe në Tiranë ne fituam, pavarësisht stërfuqisë abuzive, që na u vu përballë, me forcën e shtetit të kapur prej pushtetit e me lumin e parasë së pistë, që u derdh si asnjëherë më parë në një fushatë elektorale shqiptare. E njëjta gjë mund të thuhet sot, edhe në dritën e manipulimit flagrant të zgjedhjeve të Tiranës, për zgjedhjet e 2009-ës, të cilat i fituam me votën e qytetarëve dhe i humbëm me vjedhjet e Saliut. Për të fituar zgjedhjet e ardhshme ne nuk na duhen aleanca me forcat e politikës së vjetër, që mbajnë peng Shqipërinë, por na duhen zgjedhje të lira e të ndershme dhe një aleancë e madhe për të ardhmen me çdo shqiptar, që do ndryshimin real të Shqipërisë. Matematika “e thjeshtë”, sidomos ajo e shifrave të zgjedhjeve për këshillat bashkiakë e komunalë, është thjesht një instrument i gabuar për të kuptuar raportet e forcave në Shqipëri dhe për të bërë një politikë ndryshimesh rrënjësore si ajo, që ne duam të bëjmë për Shqipërinë.
Kolegji vendos sot: Tirana ka kryetar bashkie apo rivotim
Kolegji Zgjedhor do të vendosë sot për padinë e socialisteve në lidhje me fatin e bashkisë së kryeqytetit. Për shkak të provave të shumta, por edhe të rëndësisë së çështjes, në një situatë tejet të acaruar, trupa gjykuese me relatore Sashanka Jonuzaj kërkoi më shumë kohë për të vendosur nëse Tirana do të ketë kryetarin e ri apo do të shkojë sërish në zgjedhje. Përfaqësuesit ligjorë të PS shtuan në kërkesën e tyre edhe objektin e padisë së parë, atë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 QV. Sipas deputetit Gjiknuri, Kolegji ka tagrin e plotë që të vendosë vetë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këto qendra dhe të anashkalojë KQZ-në, ose në rast të kundërt të detyrojë KQZ që të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre ankimore. “Me këtë vendim doli në pah arbitrariteti i KQZ-së për të mos e marrë në shqyrtim kërkesën tonë. Doli në pah rrjedhimisht propozimi jonë për pavlefshmërinë e procesit. Duke u nisur nga këto kërkojmë që gjykata ta shqyrtojë çështjen dhe duke qenë se i ka kushtet, të marrë një vendim për shpalljen të pavlefshme edhe të zgjedhjeve”,- tha Gjiknuri. Për t’i konkretizuar, avokati i PS, Eridian Salianji i ilustroi me grafikë të mëdha të gjitha pasaktësitë, që sipas tyre gjendjen në qendrat e votimit.
“Në disa qendra votimi ka shtim të fletëve, ndërsa në disa të tjera mungesë fletësh. Në disa qendra nuk përputhet numri i votuesve me numrin e fletëve të votimit. Kështu në QV 1966 te njësia numër një ka pasur 456 zgjedhës dhe janë gjetur 456 fletë. Më pas kur u hapën dolën se mungojnë katër vota. Edhe në QV 1682 mungojnë 20 vota”, theksoi Salianji. Kërkesa e re e socialistëve në drejtim të Kolegjit për të shpallur pavlefshmërinë e rezultatit në disa qendra votimi është kundërshtuar nga përfaqësuesja e KQZ-së. Drejtoresha juridike e këtij institucioni, Dëshira Pasku u shpreh se pretendimet e palës paditëse nuk janë objekt i kërkesë padisë. “Ne jemi përgatitur për prapësimet tona në lidhje me objektin e padisë që është kundërshtimi i vendimit 1160 datë 28.0 6.2011 për mospranimin e kërkesës ankimore të PS. Për sa i përket themelit të çështjes që u ngrit nga pala, e konsiderojmë si jashtë objektit”,- tha ajo. Drejtoresha e KQZ-së u shpreh se mos shqyrtimi i kërkesës së PS ka qenë i ligjshëm, pasi kompetencën e vetme për pavlefshmëri e ka Kolegji. Në të njëjtën linjë ishin edhe përfaqësuesit e PD. Kolegji do të ketë kohë deri nesër në orën 10:00 për të analizuar të gjitha provat e paraqitura nga PS, duke përfshirë edhe tabelat për mospërputhje që kanë lidhje me padinë e tyre për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
Damian Gjiknuri, deputet jurist PS
Tabela Përmbledhëse e Rezultatit për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Tiranë është e paligjshme dhe e pavlefshme si një dokument në bazë të cilit KQZ mundet të shpallë rezultatin e zgjedhjeve për këtë njësi zgjedhore. Këtë i kemi kërkuar KQZ-së në kërkesën tonë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendrat përkatëse të votimit, kërkim të cilin KQZ-ja, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, nuk ka pranuar ta marrë në shqyrtim. Ne çmojmë se nuk mundet te shpallet fitues një kandidat me 93 vota më shumë se kandidati tjetër në kushtet kur ka 870 fletë votimi më shumë në kuti se votues. Përderisa KQZ nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të ushtruar kompetencën e vet, me qëllim marrjen në shqyrtim dhe gjykimin në thelb të drejtës ankimore të PS-së, I drejtohemi këtij Kolegji Zgjedhor të zgjidh përfundimisht mosmarrëveshjen e krijuar, duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë Tiranë.
Ivi Kaso, jurist i kryeministrisë dhe PD
Me këtë kërkesëpadi subjekti zgjedhor Partia Socialiste është në traditën më të mirë të tij, në keqbesim me Kolegjin Zgjedhor, sepse kërkimi i tij është në kundërshtim të hapur me atë që parashikon ligji. Kodi Zgjedhor ka të shkruar të zezë mbi të bardhë se nuk ka rivendosje në afat. Të kundërtën do Paditësi, të vendosë kërkesën për pavlefshmëri në afat domethënë atë që nuk e bëri në kohën, në vendin dhe në afatin e caktuar me ligj. Në këto akrobaci, presioni dhe buja janë të vetmet argumente që ka Paditësi, sepse sot provoi për të disatën herë se nuk ka asnjë argument, fakt apo provë juridike në mbështetje të kërkimeve të tij. Për sa më sipër i kërkojmë gjykatës: Rrëzimin e kërkesëpadisë së paraqitur nga Partia Socialiste, si të pambështetur në prova dhe në ligj.
Partitë replika dhe dyshime për gjykatësit
Mosbesimi ndaj trupës gjykuese u evidentua qartë në dy raste kur përfaqësues të forcave politike sulmuan trupën gjykuese. Gjatë ilustrimit të provave në sallën e gjyqit, avokati socialist Arian Salati replikoi me relatoren Sashenka duke i kërkuar asaj që të mos ironizojë dhe të ndërpresë përgjigjet e juristëve të opozitës. “Ju lutem, trupi gjykues të jetë i paanshëm. Kolegji po provokon përfaqësuesit e PS duke ironizuar provat e paraqitura prej saj”,- tha Salati. “Askush nuk po ironizon. E keni të kotë debatin në gjykatë”, ishte përgjigjja e gjyqtares. Nga ana tjetër demokratët shprehën dyshime për tërheqjen e djeshme të PS pasi, sipas tyre, një nga shkaqet mund të jetë edhe pëlqimi ose jo i trupës gjykuese.
7
avokatë janë angazhuar për padinë për zgjedhjet e Tiranës. Damian Gjiknuri, Eno Bushi, Arian Salati dhe Eridian Salianji për PS, Dëshira Pasku për KQZ ndërsa Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso për PD. Ata kanë debatuar dje disa herë me pesë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor
4
orë zgjati shqyrtimi i pretendimeve të palëve para pesë gjyqtarëve dhe vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë duke përfshirë edhe OSBE/ODIHR-in. Tre herë u ndërpre seanca e djeshme gjyqësore, dy herë gjatë shqyrtimit dhe një për kohën kur do të jepet vendimi
5
Padi ka depozituar Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor. Në padinë e parë, socialistët janë tërhequr për ti hapur rrugë rastit të tyre. Por në padinë e dytë ku relator ishte Tom Ndreca, u mor edhe vendimi që legjitimor fletët në kutinë e gabuar. Në padinë e tretë Kolegji vendosi rinumërimin e të gjitha kutive ndërsa në padinë e karter ishte PS që u tërhoq. Padia e pestë është ajo që do të vendoset sot
Luis Tanushi