Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Politike - 80 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i dërgoi sot një letër Kryeprokurores Ina Rama, ku ka kërkuar me ngulm çuarjen deri në fund të hetimeve në lidhje me vrasjet e 21 janarit. Rama i ka shprehur Prokurores gatishmërinë e tij personale dhe të grupit që përfaqëson për të marr pjesë në këto hetime. Kreu i opozitës ka theksuar se është i gatshëm që dhe ai vetë tu nënshtrohet hetimeve si koordinator i protestës.
“ Kërkesën Tuaj për përfshirjen në hetim të tre deputetëve socialistë e kemi pranuar pa asnjë ngurrim dhe Ju siguroj se do të japim votën tonë në parlament që imuniteti i tyre të mos përbëjë pengesë për ekzigjencat e një hetimi shterues e të paanshëm. Por në këtë pikë e shoh të udhës t’Ju bëj publikisht një pyetje dhe një shpjegim nga këndvështrimi im si kryetar i Partisë Socialiste e në këtë rast edhe organizator i demonstratës së 21 janarit. Pse zonja Prokurore e Përgjithshme nuk jam thirrur ende unë vetë, pikërisht në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste e të opozitës dhe për rrjedhojë edhe të koordinatorit të të gjitha përgatitjeve të asaj demonstrate, për organizmin e së cilës të tre deputetët e kërkuar prej Jush nuk kanë bërë as më shumë e as më pak se të gjithë kolegët e tyre e, padyshim, asgjë më shumë se sa unë personalisht?”, shprehet Rama.
Në letrën e tij, Rama sqaron se dëshmia e tij do t’i vlente hetimit, prandaj mbetet në pritje që organi i akuzës ta thërrasë të dëshmojë.
“Jam i bindur se dëshmia ime do të vlente për hetimin Tuaj. Prandaj pres me padurim që të thirrem për të kontribuar me gjithçka di për këtë hetim kaq të rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri, e për vetë Shqipërinë në rrugën e mundimshme të ndërtimit të shtetit të së drejtës. Dua të besoj se Ju do ta çmoni seriozisht këtë shprehje vullneti nga ana ime për ta ndihmuar hetimin dhe nuk do të ngurroni të më rendisni edhe mua në radhën e të hetuarve. S’kam asnjë imunitet dhe mbi të gjitha asnjë dallim nga të tre deputetët në fjalë apo nga cilido tjetër që, njësoj si ata, ka qenë pjesë e organizimit të demonstratës së 21 janarit”, kreu i opozitës.