Rama pas mbylljes se Kongresit Ngjela fjalimin me te mire, me njerezorin Majko dhe me te ndierin Brace
Publikuar me : 06.11.2011 Ne :
Politike - 96 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
( I përditësuar) Në Kongresin e Partisë Socialiste ka përfunduar votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. 1500 delegatët votuan për zgjedhjen e 150 anëtarëve të Asamblesë ndërkohë rezultati pritet të dalë nesër. Gjithashtu në Kongres u votua për programin dhe ndryshimet në statut.
Kreu i PS-së Edi Rama nëpërmjet “Twiterit” është shprehur se “Ky është kongresi më i bukur që kur jam në PS. Dhe më e bukura është që ky është vetëm fillimi!”. Rama gjithashtu ka dhënë edhe një vlerësim për fjalimet e mbajtura në Kongres: “Fjalimi më i bukur? Spartak Ngjela. Fjalimi më njerëzor? Pandeli Majko. Fjalimi më i ndjerë? Erion Braçe”
Më herët Rama tha se brenda partisë më të madhe opozitare nuk ka divergjenca po ballafaqim idesh dhe socialistët rreshtohen tek principet e saj.
“Nuk shoh asnjë divergjencë. Kemi rreshtim principesh për të cilat jemi të gjitha dakord. Nuk kam parë ndonjë platformë alternativë”, tha Rama.
Ben Blushi në një prononcim për mediat është shprehur se ky kongres mund të cilësohet si kthim i PS-së tek e majta dhe idetë. “Kongresi shënon kthimin tek idetë. PS ka nisur të mendojë seriozisht për një program. Kthim majtas dhe tek idetë. Partia Socialiste më shumë mendon dhe jep propozime. Nuk e konsumon kohë pa ide. PS është më e hapur për publikun”, tha Blushi.

Erjon Braçe
Braçe: Qeveria nuk ka më respektin e popullit
Erjon Braçe, duke folur në Kongresin e PS-së ka folur për një opozitë të fortë përballë pushtetit të korruptuar. Braçe tha se nuk duhet të pranohet vendosja e një rregjimi të Sali Berishës.
“Po dëgjoj gjithnjë e më shumë pas 21 janarit dhe 8 majit se nuk e mundim dot Sali Berishën. Ai po vendos regjimin por ka edhe një pikë shprese. Qeveria nuk ka më bazë morale dhe respektin e popullit. Berisha ka frikë jo populli që po vuan”, tha Braçe.
Deputeti i PS-së foli edhe për sistemit fiskal që propozon opozita, që sipas tij ka në theme një shpërndarje të drejtë të pasurive.
“Pasuria duhet rishpërndarë. Pasuria duhet të mbi taksohet për një rishpërndarje më të drejtë të pasurisë”, shtoi Braçe.

Arben Malaj
Malaj: Sfida jonë është të fitojmë sa më parë dhe të qeverisim më mirë
Arben Malaj, deputeti i PS-së duke folur në kongresin e kësaj partie është shprehur se sfida e opozitës është për të ardhur sa më shpejt në pushtet. Kjo tha ai për të fituar kohën që Shqipëria ka humbur gjatë qeverisjes së mazhorancës aktuale.
“Kongresi mundësia më e mirë më e drejtpërdrejtë më transparente për të ndarë edhe me opinion publik sfidat për të ardhmen. PS ka misionin histori këtë realizoi sa më parë rotacionin politik të vendit. Duhet të fitojmë kohë e humbur duke bërë reforma të mëdha që të përmirësojmë cilësisht qeverisjen e vendit dhe tu garantojmë shqiptarëve liritë e pakufizuar për një jetë më të mirë”, tha Malaj.
Deputeti i Ps-ë shtoi se mazhoranca qeverisëse po u vret të ardhmen shqitparëve me babëzinë e saj. “Sot shqiptarët rrezikojnë të kenë kosto të lartë të borsheve të rritura të papunësi të varfërisë në rritje sepse politika është ajo e zhurmës jo e maturisë e forcës së kartoni dhe jo e argumenti. Kjo mazhorancë qeverisëse është e babëzitur dhe po vret të ardhme ne çdo shqiptari, borxhi publik ka arritur në nivele kritike. Duhet të paguajmë 1.3 milion dollarë borxhe në ditë interesa”, tha ndër të tjera Malaj.
Partia Socialiste nisi Kongresin për të miratuar programin e ri politik, ndryshimet në statut dhe për të zgjedhur Asamblenë Kombëtare. Kandidatët nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Pallatin e Kongreseve. Hapja e Kongresit u bë duke mbajtur 1 minutë heshtje për të vrarët e 21 janarit.
14: 15
Skënder Gjinushi: Saliu mes Gedafit dhe Mubarakut
Skënder Gjinushi gjatë fjalës së tij në Kongres tha se e majta nuk ka humbur kurrë me votën popullore por është shitur dhe përqarë.
“Saliu nuk hyri në derën e kryeministrisë me votën e popullit por duke përdorur mandatet e majta të LSI-së si qelës kopil. Saliu akuzon të tjerët si komunist, ndërsa vetë rreshtohet midis Gedafit dhe Mubarakut”, theksoi Gjinushi.
12: 50
Rama: Nuk ka të krahasuar mes PS-së dhe kazermës së Saliut
Kryetari i PS-së gjatë fjalës së tij në Kongres deklaroi se sot është dita për të folur për vizionin e PS-së për Shqipërinë.
“Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin. Secili prej jush ka shumë për të treguar për zhgënjimin, dëshpërimin, varfërinë dhe frikën që ka pllakosur në Shqipëri. Secili prej nesh ka shumë për të thënë”, tha Rama.
Lideri i opozitës theksoi se në zgjedhjet e shkuara PS përjetoi dy ndjenja të forta: fitoren e madhe me votat e shqiptare dhe zhgënjimin e madh nga vjedhja e dhunshme e votave të PS-së në Tiranë.
“Fitorja në Tiranë na bëri të ditur se sa pranë “fitores” jemi në zgjedhjet e ardhshme. Janë shumë të rinj që më pyesin çdo ditë, që më pyesin përse duhet të votojmë. Atyre që më mbështesin, u them që sot jam i vendosur më shumë se kurrë për të ndërtuar një Shqipëri ashtu siç e duam, përmes Partisë Socialiste. Do të jem me ju më pranë se asnjëherë kudo në Shqipëri. Për të nxitur një dallgë të re anëtarësimesh. Për ta bashkuar PS-në me çdo shqiptar dhe shqiptare që do të heqë qafe këtë qeveri bashkë me varfërinë e borxhet”, deklaroi Rama.
Rama deklaroi se aktualisht po jetojmë në një realitet shumë të vështirë. “PS nuk vuan nga mungesa e lirisë, as nga mungesa e debatit brenda saj. Kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Të bësh krahasime mes PS-së dhe kazermës së Saliut është njësoj si të krahasosh trëndafilin me kaktusin”, tha Rama.
Kreu i PS-së theksoi se ky është programi i tre gjeneratave që nga themeluesit e partisë. “Është programi i reflektimeve të thella, i vetëdijes kombëtare për rrezikun që i kanoset Shqipërisë së zhytur në borxhe, jo vetëm për shkak të krizës, por edhe të keqqeverisjes. Ata e qeverisin Shqipërinë nga e djathta, por e rjepin nga të katër anët”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, koha e Saliut ka mbaruar. Ai theksoi se jetojmë vetëm agoninë e qeverisjes së tij. “Integrimi nuk është një lojë e ka kush e ka. Evropa për ne nuk është një pikë ku ne duam të mbërrijmë, por një mënyrë e re e të qenit këtu ku jemi në Shqipëri. Përmes zgjidhjes së çështjes së pronës ne nuk kërkojmë që t’i japim fund sorollatjes së pronarëve me anë të një marrëveshjeje”, tha Rama
12: 35
Ditmir Bushati: Programi i PS-së, udhërrëfyes për në BE
Ditmir Bushat në fjalën e tij u shpreh se për socialistët procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është prioritet. “Ne jemi të përkushtuar të bëjmë çdo lloj reforme për të bërë Shqipërinë anëtare të BE-së. Programi që ne diskutojmë sot e konsideron procesin e integrimit evropian thelbësor dhe të patjetërsueshëm. Ne do ta përshpejtojmë integrimin e Shqipërisë në BE. Programi që kemi në duar është një lloj udhërrëfyesi për rrugën e Shqipërisë drejtë BE-së. Ne do të krijojmë një fond të posaçëm për specializimin e administratës që do të merret me çështjet evropiane”
12:20
Valentina Leskaj prezanton programin social të PS-së
Deputetja e Valentina Leskaj theksoi gjatë fjalës së saj se PS-së synon një edukim cilësor për çdo fëmijë, trajtim dinjitoz dhe rritje të pagave bazë për mësuesit.
“Ne kemi një qasje të re për arsimin profesional. Ne mbështesim autonominë e universiteteve publike. Jemi kundër fabrikave të diplomave që blihen me para. Një milion shqiptarë në moshë pune nuk gëzojnë kujdesin shëndetësor pasi janë të papunë, ne kemi mundësinë dhe vizionin ta ndryshojmë këtë gjendje. Ne do të ndryshojmë rrënjësisht sistemin shëndetësor”, tha Leskaj.
Ajo deklaroi se heqja e taksës 10 perqind për kujdesin shëndetësor dhe ilaçet janë prioritet i PS-së. “Për ne është e papranueshme politika e lëmoshës prej 4 mijë lekësh ndihmë ekonomike. Politika jonë sociale synon përfshirje, dhe jo përjashtim. Ne synojmë kujdes të veçantë dhe përfshirje sociale për personat me aftësi të kufizuar. Rritja e pensioneve dhe kujdesi për ta janë qëllimi ynë. Ne besojmë te familja si institucion shtetëror. Gjendja e fëmijëve në Shqipëri është e papranueshme për ne socialistët”.
12: 10
Sajmir Tahiri: Stop ushtrisë së “nuk di ç`bëj, por rroftë partia”
Sajmir Tahiri gjatë fjalës së tij theksoi se gjithçka në këtë qeveri kalon në rrugën e korrupsionit. “Ne do të vendosim konkurrencën e drejtë në shërbim të të gjithëve. Ne socialistët do të ndryshojmë funksionin e administratës publike nëpërmjet aplikimit të përgjegjësisë. Do të krijojmë një administratë publike të aftë, ushtria e “nuk di ç’bëj, por rroftë partia” nuk do të ketë më vend në administratën publike. Për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë qeveria e sotshme ka dështuar në lidhje me çështjen e pronës. Ne progresistët e konsiderojmë pronën private dhe publike të shenjtë”
Tahiri theksoi se programi ka në bazë largimin e fatit të popullit nga duart e grabitqarëve të pushtetit.
11: 59
Mimi Kodheli prezanton programin e PS-së
Gjatë fjalës së saj deputetja Mimi Kodheli deklaroi se qeveria merr 20 perqind taks për çdo kafshatë buke, PS do ta heq taksën e bukës. “Ne do të heqim taksën e ilaçeve. Ne s`mund të pranojmë një Shqipëri ku taksohen njësoj edhe mësuesi edhe Kryeministri. Ne jemi kundër taksës së sheshtë dhe do të vendosim një taksim progresiv. Ne duam një Shqipëri ku kush punon më pak do të taksohet më pak. Gjysma e të rinjve e të rejave shqiptare janë të papunë, kjo është e papranueshme e turpshme për ata që qeverisin ne do të krijojmë 75 mijë vende të reja pune që në vitin e parë të mandatit të punës të zgjedhjeve tona”, theksoi Kodheli.
Sipas saj fshati do të jetë fronti prioritar i punës së PS-së, për rimëkëmbjen e Shqipërisë. “Ne do të punojmë për kthimin e 500 mijë shqiptarëve nga të papunë në burimin më të rëndësishëm të politikës sonë të punësimit. Ne do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune dhe ky është angazhimi ynë. Ne do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e pronës.”
11: 38
Klosi: Ata po mbushin Shqipërinë me plehra
Fjala e hapjes së Kongresit u mbajt nga Blendi Klosi, i cili theskoi se është nder që ndodhet në kongresin e atyre që kërkojnë votën e lirë. “Ky është Kongresi shpresës për votuesit e PS-së që na dhanë mandatet të qeverisim, por dhe mijëra të tjerëve që shpresojnë si ne. Deklaroj të hapur kongresin e atyre që u ka ngelur kafshata në gryk kur e shohin Shqipërinë të grabitet dhe të tallet nga politika e të tjerëve. Sot nën drejtimin e Edi Ramës po projektojmë rilindjen e re të Shqipërisë. Programi i ri politik do të dëshmoj diferencat e mëdha që ne kemi me kundërshtarin tonë politikë. Ne do të ndërtojmë një Shqipëri të pastër, ata propozojnë një Shqipëri të refuzuar nga vendet e BE-së. Ne dëshirojmë një Shqipëri të pa ndotur ata dëshirojnë një vend të mbushur me plehra”, tha Klosi
******
Sot do të miratohet Komisioni i Garancive Statutore, i cili do të vijojë punën me verifikimin e mandateve të të gjithë delegatëve. Më pas, fjalën hapëse do ta mbaj kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të fokusohet në fjalën e tij tek ndryshimet e programit politik dhe alternativën që ofrohet nga socialistët.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” se në punimet e Kongresit do të jetë i pranishëm dhe një delegacion i PASOK-ut. Krahas fjalës së kryesocialistit do të shfaqen në një ekran të madh, i cili do të jetë i vendosur në qendër të sallës, mesazhe përshëndetëse të Internacionales Socialiste, të Partive Socialiste Evropiane ku PS bën pjesë, si edhe një mesazh nga grupi socialist në Parlamentin Evropian.
Pas fjalimit dhe mesazheve përshëndetëse, mbledhja do të vijojë punimet me dyer të mbyllura. Për më shumë se dy orë është parashikuar që të diskutohet nga të pranishmit mbi programin e ri politik dhe ndryshimet në statut. Pritet që të ketë diskutime dhe nga deputetët që njihen si pjesë e grupimit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS.
Punimet e Kongresit do të fokusohen tek zgjedhja e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Në lidhje me emrat që do të zgjidhen është diskutuar gjatë në selinë e PS-së. Lista është menaxhuar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi.