Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Rama-prokurorise Me hetoni dhe mua per 21 janarin

Publikuar me : 26.01.2012 Ne : Politike - 37 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Denis Dedej / Flamur Vezaj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i është drejtuar dje me një letër Prokurores së Përgjithshme duke i kërkuar që të dërgojë në bangën e të akuzuarve edhe dy personat që kanë përgjegjësinë kryesore për atë që ka ndodhur më 21 janar të votit të kaluar, kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Nga ana tjetër Rama shpreh shqetësimin përse është kërkuar heqja e imunitetit për deputetët Besnik Baraj, Tom Doshi e Taulant Balla dhe nuk është kërkuar edhe ai vetë, apo deputetët e tjerë të PS-së, që të dëshmojnë.

“Lejomëni t’Ju drejtohem publikisht në këtë moment kaq përcaktues për fatin e demokracisë shqiptare, ku roli i organit të akuzës është vendimtar dhe hetimi i plotë e i paanshëm i tragjedisë së 21 janarit domosdoshmëri mirëfilli historike. Ju përgëzoj fillimisht edhe drejtpërsëdrejti për hapat e rëndësishëm që janë hedhur së fundmi në drejtim të zbardhjes së vrasjeve…”,- thuhet në fillim të letrës së Ramës. Ai shpjegon se PS e ka pranuar pa asnjë ngurrim kërkesën për hetimin e tre deputetëve dhe se kur kjo kërkesë të votohet në parlament, opozita do të jetë pro saj. Madje Rama thotë se PS do të mbështesë heqjen e imunitetit të çdo deputeti të opozitës. “Por në këtë pikë e shoh të udhës t’Ju bëj publikisht një pyetje dhe një shpjegim nga këndvështrimi im si kryetar i Partisë Socialiste e në këtë rast edhe organizator i demonstratës së 21 janarit. Pse zonja Prokurore e Përgjithshme nuk jam thirrur ende unë vetë, pikërisht në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste e të opozitës dhe për rrjedhojë edhe të koordinatorit të të gjitha përgatitjeve të asaj demonstrate, për organizmin e së cilës të tre deputetët e kërkuar prej Jush nuk kanë bërë as më shumë e as më pak se të gjithë kolegët e tyre e, padyshim, asgjë më shumë se sa unë personalisht? Jam i bindur se dëshmia ime do të vlente për hetimin Tuaj jo më pak se dëshmitë e tyre. Prandaj pres me padurim që të thirrem për të kontribuar me gjithçka di për këtë hetim kaq të rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri, e për vetë Shqipërinë në rrugën e mundimshme të ndërtimit të shtetit të së drejtës”,- thotë Edi Rama në letrën e tij. Ai sqaron se nuk ka imunitet dhe nuk ka asnjë dallim nga deputetët e tjerë pasi si ata ka qenë pjesë e organizimit të demonstratës së 21 janarit.

Duke u ndalur në këtë pikë, Rama kërkon publikisht përse nuk është marrë nën hetim edhe kryeministri Berisha apo ish-ministri Basha. “Cila është pse-ja e mospërfshirjes në hetim të kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, si dy hallkat më të larta të zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës e si përgjegjës të drejtpërdrejtë për funksionimin e asaj garde që në 21 janar vrau njerëz të pafajshëm? E pamundur të kuptohet nga ana jonë, por me sa kam vënë re edhe nga ana e opinionit të shqetësuar publik, mbetja e hetimit në nivelin politik tek vetëm tre deputetët opozitarë. Me gjithë gatishmërinë e tyre të plotë ata s’mund ta përmbushin dot assesi nevojën e një hetimi shterues të të gjithë nivelit politik, që as mund të ndahet nga hetimi e as mund të hetohet pjesërisht”,- thotë Rama. Por nga ana tjetër ai thotë se do ti kërkojë ndjesë kryeprokurores nëse kjo kërkesë e prokurorisë për imunitetin e vetëm tre deputetëve opozitarë, nuk është fundi po vetëm fillimi i hetimit mbi rolin e palëve e të aktorëve politikë për gjithë sa ndodhi në 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

 

Edi Rama: Shqipëria meriton të dijë të vërtetën

Ju me siguri jeni në dijeni të dëshmisë rrëqethëse, publike, të vëllait të njërit prej të vrarëve, të ndjerit Hekuran Deda, i cili ka denoncuar publikisht kryeministrin Sali Berisha për një ofertë tronditëse në adresë të familjes Deda. Besoj se edhe kjo dëshmi e bën të domosdoshme marrjen në pyetje të Sali Berishës, bashkë me dorëzanin e tij që ka premtuar tek familja Deda në emër të Sali Berishës jo vetëm para, por dhe fotografinë e vrasësit të Hekuranit në këmbim të favorit të mikpritjes në shtëpi të kryetarit të qeverisë.

Shqipëria meriton të dijë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Të njëjtën gjë meritojnë padyshim edhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Sepse, në opinionin tim modest, e vërteta e plotë e 21 janarit nuk është thjesht e vërteta e një ngjarjeje tragjike, por një gur themeli në procesin e demokratizimit të vendit tonë e të garantimit të barazisë para ligjit për vitet e ndoshta dekadat që vijnë.

 

 

Gjykata lë në burg Ndrea Prendin, shoferin dhe teknikun e KM

Inxhinieri i kryeministrisë Armando Kasa, ka ndryshuar dje dëshminë duke thënë se nuk ishte ai që kishte kopjuar dhe fshirë pamjet filmike të regjistruara nga 11 kamerat e sigurisë që ndodhen të vendosura për rreth ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë, Kasa tha se ai nuk kishte qenë në punë në orën kur prokuroria pretendon se janë fshirë pamjet. “Unë kam kopjuar vetëm materialet e regjistruara nga kamera lëvizëse që ishte mbi ndërtesën e Këshillit të Ministrave dhe nuk kam bërë ndonjë veprim tjetër. Nuk e di ç’farë është bërë me filmimet e regjistruara nga kamerat e tjera. Unë kam dalë nga ndërtesa e kryeministrisë në ora 22:30 minuta, para orës 23:00. Orë kjo kur prokuroria pretendon se kanë filluar fshirjet”,- tha Kasa. Po këtë version, ndoqi edhe avokati i tij mbrojtës, i cili paraprakisht kërkoi nga gjyqtari t’i vihej në dispozicion raporti përfundimtar i ekspertëve të Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) për serverin. “Prokuroria e provon që janë kopjuar dhe fshirë serveri, por nuk e provon që këtë veprim e ka bërë klienti im. Kështu që kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij, pasi nuk jemi dakord me masën e sigurisë të caktuar në mungesë”,- tha avokati. Por, këto pretendimi i hodhi poshtë prokurori i çështjes Ndini Tavani, i cili u shpreh se ekzistojnë prova të tjera materiale që provojnë se i dyshuari Kasa është larguar nga ndërtesa e kryeministrisë pas mesnatës dhe ka qenë i vetmi person që ka qenë në ndërtesë pas orës 23:00 të natës. Gjyqtari, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi të lërë në fuqi masën e caktuar nga vetë ai pak ditë më parë, atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, para gjyqtari Mustafa doli shoferi i ish-komandantit të Gardës, Margarit Kume. Ky i fundit nuk preferoi të flasë për akuzat dhe as për masën e sigurisë të caktuar në mungesë, duke pranuar kështu vetëm pyetjet e gjyqtarit për gjeneralitetet. Edhe avokati Erenik Gjoni tha se nuk kishte ndonjë pretendim konkret dhe se më shumë do të fliste përpara Gjykatës së Apelit. Prokurori Genc Qana në fjalën e tij, u shpreh se edhe pse Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, organi i akuzës nuk është dakord dhe do ta apelojë çështjen. Gjyqtari, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë tre ditë më parë nga vetë ai.

Po të njëjtin qëndrim si shoferi i tij, mbajti edhe vetë komandanti i Gardës së Republikës i dyshuari Ndrea Prendi para gjyqtarit Mustafa, duke pranuar të flas vetëm për gjeneralitetet personale dhe asnjë fjalë për akuzat. Edhe avokati i tij mbrojtës Genc Gjokutaj, në fjalën e tij nuk ngriti ndonjë pretendim në sallën e gjyqit, për akuzat apo vendimin, duke u shprehur se pretendimet do t’i paraqes në Gjykatën e Apelit. Edhe për Prendin, prokurori kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë që nuk u pranua përsëri nga Gjykata, që vendosi të lërë në fuqi vendimin e tre ditëve më parë të dhënë në mungesë me “arrest shtëpiak”.

 

 

Baraj në prokurori: Rama më tha të tërhiqja protestuesit

Ish-kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, për të cilin Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e imunitetit në kuadër të hetimeve të 21 janarit, ka dhënë dëshminë e tij përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Dëshmia ndodhet në dosjen që prokuroria ka depozituar në Kuvend dhe aty shpjegohet me detaje se çfarë ka ndodhur përpara dhe gjatë ditës së 21 janarit. Në dëshminë e tij Baraj jep shpjegime kryesisht për letërkëmbim që ka pasur me policinë e Tiranës si dhe për komunikimet që ka pasur me kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe me protestues të tjerë. Në një moment Rama i ka thënë që të takojë protestuesit dhe t’i kërkojë që të tërhiqen, por ata i janë përgjigjur se ishin të dëmtuar nga gazi lotsjellës i policisë dhe nga dhuna fizike.

“Kaluam urën e Lanës dhe ishim në një pozicion paralel me piramidën dhe në atë moment vumë re dy makina të mëdha po ju hidhnin ujë demonstruesve të cilët po shpërndaheshin. Kjo u shoqërua dhe me hedhjen e bombave lotësjellse, ku kam parë veçanërisht të moshuar që ndodheshin në gjendje shumë të rëndë. Unë gjatë të gjithë kohës kam qëndruar në bulevard përballë dy kullave dhe i shmangesha tymit pasi ishte mjaft shqetësues”, tregon në dëshminë e tij në prokurori Besnik Baraj.

Ai shpjegon se pasi u largua gazi lotsjellës, protestuesit u afruan sërish tek kryeministria. Në këtë kohë Baraj mban mend se ka ndodhur përplasja e protestuesve me policinë dhe ka parë shumë protestues të dëmtuar. “Aty kam parë shumë njerëz të dëmtuar në kokë e në fytyrë. Ne momentin kur turma u afrua dhe policia ishte tërhequr pata një komunikim me kryetarin e PSSH, z. Edi Rama, i cili më tha se duhej të ndikoja të tërhiqja qytetarët nga vendndodhja përpara kryeministrisë. Kishte qytetarë të gjakosur në kokë dhe në fytyrë, të cilët ishin revoltuar. U thosha se duhet të tërhiqen. Ata shfaqnin pakënaqësi ndaj kërkesës time për t’u tërhequr, duke mu drejtuar: E shikon se ç’na kanë bërë. Kam shkuar pranë selisë së kryeministrisë dhe kam hipur në një pjesë të ngritur (platformë) ku kishte 10-15 demonstrues të cilët i kishin kthyer shpinën kryeministrisë. Demonstruesit brohorisnin në mënyrë paqësore pa pasur asnjë mjet në duar”,- thotë Besnik Baraj.

 

 

SHBA: Kini besim tek ekspertiza e FBI-së

Këshilltari në Komisionin amerikan të Helsinkit, Bob Hand, ka komentuar dje rastin e 21 janarit dhe ka kërkuar që shqiptarët të kenë besim tek ekspertiza e kryer nga Byroja Federale e hetimit (FBI). “Jam shumë i kënaqur që shikoj se është bërë përparim që po çon në arrestimin e shpresoj edhe në gjykimin e personave që mund të kenë qenë përgjegjës për vrasjet e një viti më parë. Kjo është një çështje shumë serioze dhe fakti që FBI-ja u përfshi në hetim nënkupton se hetimi është i besueshëm dhe serioz”,- tha Bob Hand. Duke komentuar akuzat që janë bërë kohët e fundit nga kryeministri Berisha kundër kryeprokurores Ina Rama, Hand tha se ato janë të papranueshme. “Duhet të them se mërzitem mjaft kur vazhdoj të dëgjoj retorikë me tone të larta që sulmon individë të caktuar, qoftë Prokuroren e Përgjithshme, Presidentin apo udhëheqësin e opozitës, ndërkohë që institucionet bëjnë punën e tyre. Të ngresh akuza për grusht shteti apo të kërcënosh se do të ndjekësh ligjërisht zyrtarët pasi të jenë larguar nga posti, kjo sigurisht nuk është e dobishme. Mendoj se, duke vepruar kështu, kryeministri dhe zyrtarët e qeverisë nuk do të bëjnë tjetër veçse do të krijojnë më tepër mosbesim në aftësinë që kanë për të drejtuar Shqipërinë dhe kjo do të ishte për të ardhur keq”,- tha Këshilltari në Komisionin amerikan të Helsinkit. Nga ana tjetër ai i bëri apel edhe kreut të opozitës që të ketë besim tek puna e prokurorisë dhe të mos angazhohet në retorikën që po e shoqëron këto ditë.

Por Bob Hand zbuloi dje edhe disa nga kritikat që priten ti bëhen qeverisë shqiptare në lidhje me luftën kundër korrupsionit. “Ne patëm një seancë dëgjimore javën e kaluar në Komisionin e Helsinkit lidhur me perspektivat e zgjerimit të NATO-s me vende të Ballkanit Perëndimor. Në seancë u diskutua edhe për Shqipërinë, lidhur me zhvillimet e atjeshme që kur ajo u bë anëtare e aleancës. Ishte mendimi i përgjithshëm në njërën anë se, nëse Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, zhvillimet e vitit të kaluar do të ishin përkeqësuar edhe më tepër, por ekziston edhe shqetësimi se që prej anëtarësimit në NATO, Shqipëria nuk i ka vazhduar reformat ashtu siç duhej, ashtu siç kanë vepruar shumë vende të tjera. Në skenarin më të mirë, Shqipëria ka bërë në vend numëro madje në disa raste ka ecur prapa”,- tha ai.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Presidenti i ri, Berisha Do negociohet dhe me Ramen dhe Dulen

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 89 here.
Presidenti i ri, Berisha  Do negociohet dhe me Ramen dhe DulenIlir Meta - Sali Berisha Menjëherë pas përfundimit të takimit me kreun e LSI-së, kryeministri Berisha u shpreh se të dy palët kanë rënë dakord për zgjedhjen e një presidenti sa më konsensual. Për këtë, Berisha  ka ftuar kryetarin e PS-së, Rama, të mandatojë dy bashkëpunëtorë për të nisur negociatat. “Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të LSI-së, që është aleatja kryesore e PD-së në koalicion. U ra plotësisht dakord...Lexo te gjithe artikullin »


» Presidenti i ri, Berisha Do takoj dhe Ramen me Dulen
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri teatral
» Rama Takimi Berisha-Meta teatral
» Skadon afati KQZ-ne Kolegjin dhe kutite nuk i levizim
» Berisha Me Meten rame dakord per nje president sa me konsensual
» Berisha Presidenti i ri nga Kryesia e PD-se
» PS, Bushati Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» PS Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» Berisha – KE-se Ne ato ndihma qe na jepni, percaktoni nje pjese te mire per bujqesine
» Presidenca e KiE-se, Haxhinasto Forcimi i dialogut, prioriteti yne

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit