Publikuar me : 12.07.2011 Ne :
Kulture - 197 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ramon Sanchez Lizarralde
Në librin “Shqipëria në pasqyrën e letërsisë”, i vetëm që kemi në shqip prej Ramon Sanchez Lizarraldes, ka një ese, “Pionier me forcë”, ku mëson sa frikë e kish pasur përkthyesi detin ku po futej. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i botuar më 1987, ishte i pari përkthim i drejtpërdrejtë letrar nga shqipja në spanjisht e më i guximshmi. Sepse Sanchez Lizarralde, me gjithë traditën e përkthimit nga spanjishtja në shqip, me vepra dhe autorë si Don Kishoti, Lorka, Antonio Maçado, Unamuno, Lope de Vega, Blasko Ibanjez, nuk kishte pikë mbështetje të sigurt për sipërmarrjen e tij përkthimore. Kontributi i tij në përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, ishte një mbështetje për aq sa duke u nisur nga ajo punë, krijoi
një katalog të vogël por të çmuar me zgjidhje dhe ekuivalenca. E së fundi, përligjja e punës së tij përkthimore me emrin e Kadaresë. Por ky emër hyri në Spanjë më vonë dhe mori atë famë që ka sot, prej përkthimit që Sanchez Lizarralde i bëri pothuajse gjithë korpusit letrar të shkrimtarit shqiptar. “Unë e dija, megjithatë, se askush (përveç gruas sime dhe disa miqve) nuk mund të gjykonte në Spanjë procesin e përkthimit që po kryeja, i cili, edhe pse ishte një motiv qetësie, shpejt u bë gjithashtu një motiv marramendës, i vetëdijshëm se po bëja diçka praktikisht pa asnjë bazë mbështetëse paraprake. Qe pa dyshim kjo pasiguri apo kjo frikë nga hiçi që më shërbeu si nxitje për të hetuar, për t’u përpjekur të mbush me shpejtësi disa prej, jo më lagunave, por detrave të formimit tim letrar në spanjisht, dhe për të krijuar një infrastrukturë të tërë përkthimi të tekstit në shqip…”
Ramon Sanchez Lizarraldes jetoi në Tiranë si bashkëpunëtor gjuhësor por edhe politik i regjimit të Enver Hoxhës. E duke njohur pak e nga pak realitetin shqiptar, tek ai ndodhi shkëputja “nga apriorizma doktrinare dhe skema që në vitet e shkuara kishin mjegulluar pjesërisht shikimin dhe kuptimin tim të gjërave”.
“Shqipëria në pasqyrën e letërsisë” është një autobiografi e Sanchez Lizarraldes. Ai nuk jeton më dhe s’është e mundur të mos i referohesh kësaj vepre të kthjellët për të kuptuar raportet e tij me Shqipërinë dhe kulturën shqiptare. Shënimet për Ismail Kadarenë, për përkthimin e Don Kishotit nga Noli, për Faik Konicën e Petro Markon, për Bashkim Shehun e Xhevahir Spahiun, për Mitrush Kutelin e të tjerë, ai i trajton brenda kontekstit të secilit rrugëtim të autorëve duke ndriçuar me dritën më të fortë nga të gjitha burimet, thelbin letrar të secilit.
“Për mua, ka kohë tashmë, që elementi thelbësor, elementi krijues qëndron në kërkimin se ku dhe nëpërmjet cilave shtigje të veçanta buron frymëzimi letrar i autorit që përkthej, Kadaresë kryesisht, por gjithashtu, tani i Bashkim Shehut, apo i Mitrush Kutelit apo i Migjenit. Cilët janë mësuesit e tij, nëse i pranon; nga vijnë krijesat të cilave u jep jetë në romanet e tij, nga kalojnë itineraret e ngatërruara që derdhen në kthjelltësinë që buron nga vepra e tij, cilat janë makthet që ushqejnë vizionet e tij.”
Në vitet dymijë, Sanchez Lizarralde kishte hedhur një hap të sigurtë drejt përkthimit të autorëve të rinj bashkëkohorë si Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Ervin Hatibi, Gentjan Çoçoli etj… Ai besonte te autorët që e fitojnë lexuesin gradualisht por në mënyrë të qëndrueshme.
Vdekja e Sanchez Lizarraldes të dielën pasdite, ishte fundi i një mundimi trupor që përkthyesi 60-vjeçar po provonte prej disa kohësh. Lajmi nga familja e tij mbërriti në Shqipëri nëpërmjet miqve të tij.
Ismail Kadare: Një lajm i hidhur për kulturën shqiptare
“Ishte një lajm i hidhur për kulturën shqiptare, veçanërisht për mua, si autor. Kam humbur një mik të shtrenjtë, një përkthyes të madh, ndër më të mirët përkthyes të letërsisë shqipe, në të gjithë botën. Shkrimtarët e tjerë shqiptarë, të përkthyer prej tij, kanë ndjerë të njëjtën humbje. Të gjithë ne, ndajmë hidhërimin me familjen e tij, veçanërisht, me Marian, shoqen e jetës së tij. Ramon Sançez do të mbetet i paharruar në kujtimin tonë dhe në letrat shqipe.”
Kush është:
Ramon Sanchez Lizarralde, përkthyes i shqipes, kritik letrar dhe shkrimtar spanjoll. Erdhi në Shqipëri në vitet tetëdhjetë, si ithtar i komunizmit që aderonte në Partinë Komuniste të Spanjës. Prej vitit 1990, i kushtohet tërësisht përkthimit letrar dhe bashkëpunimit me gazetat “El Mundo”, “El País”, me revistat “El Urogallo”, “Leer”, “Quimera”, “Libronet”, “Letra Internacional”, “República de las Letras”, “Revista de Libros”. Më 1993 nderohet me Çmimin Kombëtar të Përkthimit për veprën “El concert”, (Koncert në fund të dimrit) të Ismail Kadaresë. Drejtoi fondacionin që boton revistën “Vasos Comunicantes”, dedikuar vetëm përkthimit letrar. Drejtoi shoqatën e përkthyesve në Spanjë. Është bashkautor në “Libro blanco de la traducción en España” (1997), “Traducción literaria. Algunas experiencias” (2001), “Diccionario de escritores del mundo”, autor i “Cuentos populares albaneses” (1994) dhe “El agradecimiento del muerto y otras historias albanesas” (2004).
Më 2005 u nderua nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë me “Penën e argjendtë” për kontributin në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë. Mbreti Huan Carlos i Spanjës i akordoi titullin Comendador i Urdhërit për Merita Civile “për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës”.
Bashkim Shehu: Asnjë individualitet origjinal nuk është i zëvendësueshëm
Shkrimtari Bashkim Shehu bashkëpunoi me Ramon Sanchez Lizarralden gjatë përkthimit të disa veprave të tij në spanjishte. E gjatë kësaj kohe u krijua një miqësi.
Çfarë mendime ju vijnë në këtë moment për një njeri dhe profesionist që nuk jeton më?
Në radhë të parë janë mendime për një mik. Më tepër se sa mendime, është një nyjëtim ndjenjash. Ndjenja që më kanë pushtuar herë pas here këto muaj në lidhje me ikjen e mikut. Po thellë-thellë nuk e besoj që është ndarë nga jeta. Dhe di se do vazhdoj të bisedoj mendërisht me të, për letërsinë, për Spanjën, për Shqipërinë.
Çfarë do veçonit nga bashkëpunimi me Sanchez Lizarralden: si përkthyes për veprat tuaja? E për kontributin e gjerë në përkthimin e letërsisë shqipe, jo vetëm bashkëkohëse?
Ramoni ka përkthyer dy nga librat e mi. Por në këtë moment do të desha të veçoj tregimin “Përralla e vdekjes”, përkthyer një javë pasi kisha mbërritur këtu, dhe ende s’ishim takuar, vetëm kishim folur në telefon, Ramoni banonte në Madrid dhe jemi takuar kur erdhi në Barcelonë mbas disa muajsh. Kontributi i tij për letërsinë shqipe, qysh nga mitologjia shqiptare, dhe pastaj me “Vjeshtën e Xheladin Beut” të Mitrush Kutelit, deri te Kadareja, te Kongoli, dhe deri te poetët e një brezi të ri, është një kontribut i paçmueshëm. Asnjë autor shqiptar nuk do të mund të shprehej në spanjisht në nivelet më të larta artistike po të mos ishte dora prej mjeshtri e Ramonit. Puna e tij me vepra të autorëve shqiptarë dëshmon se sa e rëndësishme është për komunikimin mes dy botësh letrare prania e njerëzve aq të talentuar e të ditur si Ramoni.
Mbeti mes jush diçka përgjysmë? Pyetja në fakt është: a ka pasardhës që ndjek kontributin e Sanchez Lizarraldes?
Siç thotë Kadareja, në letërsi nuk ka pasardhës. Ose, siç do ta thosha ndryshe, asnjë individualitet origjinal nuk është i zëvendësueshëm.
Zija Çela
“Ndoshta asnjë përkthyes i huaj nuk ka jetuar me shqiptarët, sa dhe si Ramon Sançes. Me ne në diktaturë, me ne në demokraci. E prandaj ndoshta asnjë përkthyes i huaj nuk është aq autentik për ne. Së bashku me intelektualët shqiptarë që kaluan krizën e sistemit, ai kaloi gjithashtu pjesën e krizës së vet, duke dëshmuar jo thjesht një karakter prej burri, por një burrë që po udhëhiqej nga supremacia e artit. Ma merr mendja se, në qoftë se “Don Kishotin” do ta kishte shkruar një autor shqiptar, ky përkthyes spanjoll do t’ua kishte dhënë besnikërisht bashkatdhetarëve të tij në gjuhën e tyre. Por nëpërmjet veprave të Kadaresë, prapëseprapë u ngrit në këtë mision.
Nga afër e kam njohur në vitin 1990, kur aq çiltërsisht më takoi për “Gjakun e dallëndyshes”. Vite më vonë ruaj si kujtim përkthimin e “Harrove këpucët, njeri”, një tregim ku flitet për të vdekurit. Shqiptarët kanë shumëçka që s’duhet të harrojnë nga Ramoni. Për shembull, çdo vend i paguan ambasadorët e tij. Kurse Ramon Sançes prej shumë vitesh e nxirrte bukën në Spanjë me djersën e vet, por duke punuar pa mandat e pa pagesë për Shqipërinë albanologjike.
Në shenjë të përshpirtjes, nga qirinjtë që kam në shtëpi ndeza të kuqin. Atë me ngjyrën që të kujton arenat e Spanjës, ku edhe jeta edhe vdekja duartrokiten.”
Piro Misha
Për letërsinë shqipe vdekja e Ramon Sançezit është një nga ato humbje që gjithnjë lënë pas një zbrazëti që do kohë që të mbushet. Sepse s’ka dyshim se është meritë e tij që sot letërsia shqipe zë një vend aq të nderuar ndër lexuesit e spanjishtes. Për vite me radhë Ramoni qe ambasadori më i mirë i Shqipërisë në Spanjë e, më në përgjithësi, në mbarë botën ispanike, duke sjellë aty atë që kishte më të mirë për të dhënë letërsia jonë, duke nisur që nga veprat e Ismail Kadaresë e për të përfunduar te romanet Fatos Kongoli apo të Bashkim Shehu. Në fakt, s’është rastësi që pikërisht në Spanjë, Ismail Kadareja, e nëpërmjet tij e gjithë letërsia jonë, fitoi një ndër çmimet letrare më prestigjioze që ekzistojnë sot në botë, Çmimin e Princit të Asturias.
Sot e gjithë kultura shqiptare, te gjithë ne, duhet të ndjehemi të hidhëruar për vdekjen e një miku, të një përkthyesi aq të talentuar siç qe Ramoni.”
Një ditë do të dilja mbrojtës i letërsisë
Ramon Sanchez Lizarralde
Një ditë do të dilja, përtej konsideratave politike, si mbrojtësi kryesor – në mungesë të të tjerëve, nga pasioni, nga dashuria për njerëzit që njoha atje – i letërsisë dhe kulturës së popullit që më mikpriti në rrethana aq të veçanta… Them të veçanta, sepse arsyet e qëndrimit tim dhe përmbajtja e veprimtarive të cilave iu kushtova gjatë asaj kohe, do të mund të konsideroheshin nga një vëzhgues jo i informuar si në njëfarë kontradikte me marrëdhëniet që vendosa më në fund me shoqërinë dhe kulturën shqiptare.
Detyra ime gjatë atyre viteve ishte, së pari redaktimi në spanjisht dhe më pas përkthimi, ndërkohë që po fitoja njohjen e mjaftueshme të gjuhës së vështirë shqipe, të teksteve të ndryshme pak a shumë zyrtarë, shumica me karakter politik, midis tyre veprat thuajse të pafundme të despotit prodhimtar mesatarisht të ditur që ishte Enver Hoxha. Duhet të them, për hir të së vërtetës, se pretendimet letrare, midis të tjerash, të personazhit megaloman kontribuuan jo pak që puna ime të ishte e dobishme në një kuptim krejt të ndryshëm nga ai që pretendohej: si mua ashtu dhe pjesës tjetër të vendasve dhe të huajve që punonim në sektorin e gjuhëve të huaja të asaj shtëpie botuese na u desh t’i shtroheshim punës me dëshirë për mësimin e zanatit tonë, me qëllim që të mund të përsosnim sa të mundnim ato përkthime që konsideroheshin të një rëndësie të madhe dhe që, për më tepër, i nënshtroheshin kontrolleve e rishikimeve të rrepta, edhe pse ndonjëherë prej profanësh. Sigurisht që, në disa raste, eksperimentimi përbënte një torturë, veçanërisht për miqtë e mi shqiptarë, të cilët, për shkak të një keqdashje të vërtetë apo të trilluar në përkthimin gjuhësor, mund ta shihnin të njollosur biografinë e tyre apo të viheshin në dyshim qëllimet e tyre… Megjithëse çastet më të këqija i kalonim kur, gjatë përkthimit të ndonjë libri të sekretarit të parë të shquar, origjinali në shqip i të cilit nuk qe dërguar akoma në shtyp, në funksion të të përpjetave dhe të tatëpjetave të konjukturës politike apo të mesazheve të heshtura ndërkombëtare të regjimit, autori i plotfuqishëm – më shumë mendoj sekretarët dhe shkruesit e tij – na ndryshonin thuajse përditë tekstin e dorëshkrimit, që duhej ta dorëzonim në fund të ditës, që të lihej në vend të sigurt në një kasafortë… Apo kur na jepnin udhëzime në mënyrë që, pavarësisht nga ajo që thuhej në të vërtetë në tekstin e fillimit, të përpunonim, me qëllime dogmatike të panjohura, përkthimin e tij në gjuhët e huaja – hiqma këtë përcaktues këtu, zbute këtë shprehje që tingëllon keq atje, përpiqu t’i përshtatësh këto koncepte me terminologjinë marksiste… apo “perëndimore”…
Dy reflektime më vijnë në mend t’ju parashtroj lidhur me këtë përvojë që ju tregova shkurtimisht. I pari qëndron në paradoksin dhe në të njëjtën kohë mrekullinë e rrugëve të shkëmbimit të informacionit ndërmjet botëve linguistike dhe kulturore të ndryshme: duhej të shfaqej një militant komunist spanjoll i shkarkuar nga detyra e tij që, i pajisur si me shpirtin e duhur të udhëtarit ashtu dhe me një naivitet jo më pak të tepruar, të kapërcente këtë copëz të Evropës që na ndan nga ai breg, që të niste një trafik kulturor mes dy gjuhësh të panjohura për njëra-tjetrën, shkëmbim që, edhe pse vazhdon të jetë minimal, ndoshta fillon nga këtu të forcohet dhe të shtrihet.
Fragment nga libri “Shqipëria në pasqyrën e letërsisë”
Citate
Pranoj dhe mbroj idenë se askush s’mund t’u bëjë bisht as t’u dredhojë ambientit dhe paradigmave mbizotëruese në kohën dhe në truallin ku i ka rënë për short të jetojë. Unë, ndërkaq, gjatë këtyre viteve kam jetuar kohën time me të gjithë intensitetin dhe pasionin që kam pasur mundësi.
Fakti që kam njohur këtë vend dhe njerëzit e tij më ka bërë më të pasur dhe më të mirë si njeri, se ndihem krenar dhe i nderuar që disa shqiptarë i kam ndër miqtë më të mirë të jetës sime.
Elsa Demo