Publikuar me : 23.12.2011 Ne :
Politike - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ministria e Drejtësisë ka hartuar një raport për gjykimin e rastit të Kostandin Xhuvanit, i cili u dënua me dy vjet burg për vrasjen e shokut të tij, në 12 shkurt, te rruga “Ali Visha”, në kryeqytet.
Raporti mbi çështjen e djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani është hartuar pas inspektimit në gjykatën që mori vendimin. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ia ka përcjellë raportin Presidentit të Republikës, duke e cilësuar të paparanueshëm vendimin për ndëshkimin me dy vjet burg të agresorëve të jetës së qytetarëve.
“Siguria publike cenohet rëndë në rast se politika penale ndaj agresoreve të jetës së qytetarëve ushtrohet në mënyrë selektive nga Prokuroria, të cilës Kushtetuta në nenin 148 ia ka besuar këtë funksion për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim. Një politike penale që kërkon vetëm 2 vjet burgim, ndaj agresorëve të jetës së qytetarëve është e papranueshme”, shprehet Halimi.
Sipas tij, barazia para ligjit është një parim që nuk mund të shkelet.
Kostandin Xhuvani, djali i artistëve Gjergj e Luiza Xhuvani, u deklarua i fajshëm për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Në të njëjtin vendim, Gjykata e Tiranës dënoi me 14 muaj burg edhe Albi Zelën, për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.