Publikuar me : 02.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 68 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Shqipëria është dhe më shumë e korruptuar këtë vit se sa një vit më parë. Publikimi i raportit të Transparency International mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në 183 vende të botës, ka nxjerrë edhe një herë në pah problemet e mëdha që ka Shqipëria me korrupsionin. Madje, vendi renditet edhe më keq se një vit më parë. Sipas raportit të TIA-as, Shqipëria është renditur në vendin e 95 ndër 183 vende të marra në shqyrtim duke humbur edhe tetë vende krahasuar me treguesit e një vitit 2010.
Raporti është publikuar nga zyra e Transparency International në Tiranë, të cilët kanë dhënë edhe sektorët me problematik në këtë drejtim, siç është ai i zbatimit të ligjit. “TIA u bën apel agjencive zbatuese të ligjit të angazhohen në mënyrë rigoroze në implementimin e tij, si dhe retorikat e angazhimet politike të përkthehen në reforma serioze në qeverisjen e vendit. Beteja anti-korrupsion duhet të vijojë të jetë në qendër të axhendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në Bashkimin Europian. TIA kujton se heqja e imuniteteve për zyrtarë të lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t’i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me çdo mjet”, – shpjeguan përfaqësuesit e TI-së në Tiranë.
Shqetësues për Shqipërinë është fakti se vendi është përkeqësua në renditje ç’ka do të thotë se sektori publik sot është edhe më i korruptuar nga sa ishte një vit më parë. Këto tregues vijnë në një kohë kur lufta kundër korrupsionit ishte kali i betejës së kësaj maxhorance gjashtë vite më parë, ku erdhi në pushtet.
Indeksi realizoi përllogaritjen e pikëve për të gjithë vendet ku u organizua sipas një intervali nga 0 (shumë të korruptuara) drejt 10 (shumë të pastra) bazuar mbi nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. Shqipëria këtë vit shënoi 3.1 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2011, nga 3.3 që ishte për vitin 2010, me tetë burime të dhënash. Llogaritja e indeksit për vendin tonë është realizuar nga shtatë institucione të pavarura nëpërmjet tetë burimeve të dhënash, të cilat janë: Fondacioni Bertelsmann, Njësia e Inteligjencës Ekonomike, Global Insight, Freedom House, Guida Ndërkombëtare e Vendeve sipas, Forumi Ekonomik Botëror, dhe Projekti i Drejtësisë Botërore. “Për përgatitjen e Indeksit u përdorën të dhëna nga 17 sondazhe të cilat analizuan faktorë të tillë si zbatimi i ligjeve anti-korrupsion, aksesi ndaj informacionit dhe konflikti i interesit. Kërkimet dhe analizat për CPI 2011 janë realizuar gjatë periudhës Dhjetor 2009 – Shtator 2011”, – shpjeguan përfaqësuesit.
Në raportin e saj për vitin 2011, TIA vlerëson se korrupsioni vazhdon të jetë shkatërrues për shumë vende në botë. Organizata e vlerëson vitin 2011 si vitin e krizës në qeverisje, duke theksuar se protestat në mbarë botën ishin tregues i zemëratës me korrupsionin në politikë dhe në sektorin publik, të nxitura nga mungesa e stabilitetit ekonomik dhe perceptimet e qytetarëve mbi mungesën e transparencës së liderëve dhe institucioneve publike.
Vendet e rajonit (nga më shumë i korruptuari)
Renditja e Transparency International mbi vendet e marra në studim është bërë nga vendi më pak i korruptuar (10 pikë) në atë më shumë të korruptuar (0 pikë). Sa më shumë pikë aq më pak i perceptuar është korrupsioni. Shqipëria renditet më poshtë se vendet e rajonit si Bosnja, Mali i Zi apo Kroacia, duke marrë vetëm 3.1 pikë.
Kosova 2.9 pikë
Shqipëria 3.1 pikë
Bosnja 3.2 pikë
FYROM 3.9 pikë
Mali i Zi 4 pikë
Kroacia 4 pikë
Turqia 4.2 pikë
Cilat janë vendet më shumë/ më pak të korruptuara në botë
Raporti tregon se më shumë se 60 për qind e vendeve në të gjithë botën janë renditur në më pak se 5 pikë, pra poshtë mesatares, por cilët janë në fakt vendet më pak dhe më shumë të korruptuara në botë. Pjesa më e madhe e këtyre vendeve i përkasin Europës Veriore. TIA rendit në vend të parë, me nivelin më të ulët të korrupsionit Zelandën e Re me 9.5 pikë nga 10 që është maksimumi. Më pas, me 9.4 pikë vijnë dy vendet Skandinave, Danimarka dhe Finlanda, të cilat edhe gjatë vitit të shkuar kanë qenë në vendet e para. Më pas, renditen Suedia, Singapori dhe Norvegjia. Lista e vende më pak të korruptuara vijon me Holandën, Australinë, Zvicrën, Kanadanë, etj.
Përkundër vendeve më të pastra nga korrupsioni, në fund të listës si vendi më i korruptuar në botë renditet Somalia me vetëm 1 pikë nga 10 të mundshme, në vend të parafundit, Korea e Veriut. Krahas këtyre, lista me vendet më të korruptuara vijon me Birmaninë, Afganistanin, Uzbekistanin, Turkmenistanin, Sudanin, Irakun, etj.
Po ku renditen vendet më të fuqishme të botës? Shtetet e Bashkuara të Amerikës, renditen në vend të 24 me një indeks prej 7.1 pikësh, Gjermania me Japoninë renditen sëbashku në vend të 14 me nga 8 pikë, Anglia në vend të 16 me 7.8 piks, Franca ndërkohë renditet në vend të 25 me 7 pikë. Rusia është e fundit në rangun e këtyre shteteve duke u renditur në vend të 144 me dy pikë.
Korrupsioni, Shqipëria kthehet katër vjet pas
Shqipëria ka humbur tetë vende këtë vit në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për shkak të zbritjes nga 3.3 pikë në 2010 në 3.1 pikë në këtë vit. Por më shumë se tek numri i vendeve të humbura, problemi qëndron tek përkeqësimi i mëtejshëm i indeksit si dhe renditja si vendi më i korruptuar në rajon përveç Kosovës. Për sa i përket Europës, krahas Kosovës vendi ynë ka lenë pas vetëm Moldavinë, ndërkohë që shumë më mirë se ne renditen të gjitha vendet përreth. Kështu përshembull, e para në rajonin tonë renditet Turqia me 4.2 pikë në vendin e 61. Vendin e dytë e mbajnë bashkarisht Kroacia dhe Mali i Zi me 4 pikë. Në një rang me to është edhe Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, me 3.9 pikë. “Në rajonin e Evropës Jug-Lindore, vërehet një përkeqësim i dukshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor; me përjashtim të Malit të Zi që ka patur rritje në pikë (nga 3.7 në 4) me 3 shkallë klasifikimi, duke arritur rezultat të njëjtë me Kroacinë e cila ka pësuar rënie të lehtë në klasifikim. Ndërkohë që vendi i parë në rajon vazhdon t`i përkasë Turqisë me notën 4.2 duke u renditur e 61-ta në klasifikim. Shqipëria renditet vendi i tetë ose i parafundit në rajon, duke lënë prapa vetëm shtetin më të ri të Kosovës”, – shpjegon raporti.
Greqia, ndërkohë që është duke kaluar periudhë të vështirë për shkak të krizës ekonomike renditet në vendin e 80 me 3.4 pikë. Italia ndërkohë, renditet më mirë me 3.9 pikë. “Vendet e Eurozonës të goditura nga krizat e borxhit, pjesërisht për shkak të dështimit të autoriteteve publike në kapjen e ryshfetit dhe evazionit fiskal si shkaqet kyçe të krizave të borxhit, u klasifikuan mes vendeve të BE me pikët më të ulëta, – citon raporti.
Studimi ka marrë në konsideratë edhe protestat e zhvilluara në një pjesë të mirë të vendeve të botës këtë vit, siç janë vendet arabe, Amerika Veriore, etj., duke theksuar se lufta kundër korrupsionit duhet kthyer në axhendë të posaçme të politikanëve. Më tej, prezantimi i zyrës së Transparency International në Shqipëroi theksoi se heqja e imuniteteve të zyrtarëve të lartë, prokurorëve apo gjyqtarëve do të ndikonte në uljen e korrupsionit në vend. “Beteja anti-korrupsion duhet të vijojë të jetë në qendër të axhendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në Bashkimin Europian. TIA kujton se heqja e imuniteteve për zyrtarë të lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t’i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me çdo mjet”, – theksuan ndër të tjera ata. TIA i është referuar edhe protestave të zhvilluara këtë vit në shumë vende të botës, një ndër pretekstet e të cilave ka qenë niveli i lartë i korrupsioni.
Reagime
Edi Rama
Kryetar PS
Shqipëria pikiatë në renditjen e Transparency International. Vendi më i korruptuar i Europës. Emergjencë për një Rilindje Shqiptare
Reagim
Aleanca Kuq e Zi
Nga pikëpamja e renditjes, nuk kemi lënë me asnjë prapa, kemi vetëm popullin shqiptar. Ne jemi të parafundit në rajon, Kosova është e fundit