Publikuar me : 08.09.2011 Ne :
Politike - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ambasadori i OSBE, Eugen Uollfarth, përsërit nevojën për bashkëpunimin mes palëve në vend për reformat. Në një raport prej 10 faqesh të hartuar mbi Shqipërinë, i cili i paraqitet Këshillit të Përheshëm të OSBE-së, Uollfarth bën një panoramë të situatës në vend, ku evidentohet ngërçi politik i dy viteve. Ambasadori i OSBE-së thekson nevojën urgjenete për arritjen e një konsensusi për reformën kushtetuese.
“Kohët e fundit janë bërë disa deklarata publike nga opozita, e cila ka bërë thirrje për reformë kushtetuese. Deri tani, këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga koalicioni qeverisës. Nëse periudha nga tani deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka për të qenë një periudhë ku do të shihen përparime në çuarjen përpara të axhendës së reformave, atëherë të gjitha palët politike duhet të llogarisin vëllimin dhe përmasat e “projekteve” legjislative që mund të ndërmerren. Përndryshe, mbetet rreziku që qëllimet e mira të “mbyten” politikisht mes një përzierjeje mbingarkese institucionale dhe mllefi politik. Objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të diskutohen më pas”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat. “Partia Socialiste, si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore”, thotë Uollfarth duke shpresuar se opozita do të tregojë vullnet më të madh për të bashkëpunuar dhe koalicioni qeverisës të bëjë më shumë për të krijuar klimë politke gjithëpërfshirëse.
Lidhur me Kuvendin, raporti vlerëson përpjekjet për reformim të Rregullores së Brendshme të tij, por vëren arritjet vetëm në disa fusha të kufizuara, edhe ato të miartuara pa consensus. “Duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislastive dhe rregulloreve të brendshme si: ligji për statusin e deputetit, ligji për punën e kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Rregullorja e Brendshme e Kuvendit, për t’u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve të përmbushin në mënyrë efikase detyrat e tyre. Këto ndryshime duhet të miratohen me konsensusin e të dyja palëve”, sugjeron raporti.
Gërdeci
Raporti ndalet në zvarritjen e çështjes “Gërdeci”, për të cilin kërkon nga drejtësia përmbylljen në afate të arsyeshme të një gjykimi të drejtë, kjo në mënyrë që të nxirren mësime.
“Procesi gjyqësor nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ndonëse një i akuzuar duhet të ketë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor. Vonesat e mëtejshme veçse do të cenojnë besimin aq të nevojshëm të publikut te shteti i së drejtës. Autoritetet e sistemit të drejtësisë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar zhvillimin dhe përmbylljen në afate të arsyeshme të seancave gjyqësore të hapura për publikun dhe të një gjykimi të drejtë. Publiku mbetet i zhgënjyer dhe i lodhur nga zvarritja e kësaj çështjeje. Kjo situatë meriton disa përgjigje konkrete, në mënyrë që të nxirren disa mësime”, thuhet në raport.
Decentralizimi
Në lidhje me decentralizimin, në raport thuhet se megjithëse qeveria ka hartuar një strategji të rishikuar sektoriale, nuk ekziston asnjë dokument përfundimtar dhe asnjë Plan Veprimi. “Nevojiten akte nënligjore për të përcaktuar në mënyrë të hollësishme rolin e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces. Projektstrategjia e decentralizimit nuk përmban asnjë orientim për zbatimin e një reforme territoriale administrative. Sfidat kryesore lidhen me komercializimin e sektorit, i cili mbetet i subvencionuar në një masë të madhe për shkak të borxhit të trashëguar, mbledhjes së ulët të të ardhurave, humbjeve sistematike dhe mosbalancimit struktural. Burimet financiare në dispozicion të qeverisë vendore nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm me zgjerimin e përgjegjësive të tyre duke i bërë ato që të mbështeten gjithmonë e më shumë te grantet e qeverisë qendrore për investime të rëndësishme publike në nivel vendor. Kjo prirje shkon kundër parimit të autonomisë fiskale vendore. Së fundmi, ngërçi politik krijoi përçarje në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Rrjedhimisht nuk ekziston asnjë organ i bashkuar dypalësh për të mbrojtur interesat e përbashkëta të pushtetit vendor”, thotë raporti.