Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Raveli ka ditur te njejtat perralla

Publikuar me : 25.11.2011 Ne : Kulture - 99 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Tabloja bazuar në pjesën për piano “Les Entretiens de la Belle et la Bête”


Elsa Demo

 

Marie-Alice Sorieul jeton dhe punon në Vjenë. Por fëmininë e ka kaluar në Kamargë, Arles, në peizazhet me erë detare, në një shtëpi të trashëguar nga shekulli i shtatëmbëdhjetë që punëtorët e shërbimit e quanin château të cilës një ditë i ra zjarri dhe ia bëri Marisë pluhur e hi tablotë që kishte krijuar deri në periudhën pas studimeve në “Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs” në Paris, dhe e detyroi që për të jetuar, të punojë për të tjerë.

“Teksti” i pikturave të saj lëviz midis asaj që është e lexueshme dhe hermetizmit, marrëdhënie të cilën Maria e shpjegon nëpërmjet tablove që ekspozoi në Tiranë.

Kur e vizitoi Tiranën më 2009, shëtiti muze dhe galeri për të parë origjinat e trashëgimisë kulturore të këtij vendi dhe transformimin e saj në breza artistësh.

Çfarë pa Maria në gërxhet e muzeve?

Pa diçka që e shtyu për një premtim, kur të kthehej me kursin për studentët e arteve figurative.

Duke qenë se ajo e sheh pikturën të lidhur me muzikën, muzikën franceze të Maurice Ravel-it në mënyrë të veçantë, u ndal te një seri me pesë pjesë për piano të kompozitorit francez të shekullit XX.

Maria mendonte ta mbante kursin me studentët mbi ato pyetje e tema me të cilat ajo mban dialogun me krijimtarinë e saj. Kështu, donte t’iu fliste për atmosferën kulturore, gjithçka që ka mësuar e grumbulluar në vite, historinë e artit, kulturën franceze. Në bashkëpunim me kolegun shqiptar Edmond Gjikopulli, ajo mbajti kursin “Fabula, logjika dhe realiteti”, gjatë ditëve të Festivalit Mozaik të Kulturës Vjeneze,  6-14 nëntor.

E frymëzuar nga muzika “Ma Mère L’Oye” të Ravel-it (e kompozuar në vitet 1908-’10, për të cilën Raveli është bazuar në përralla të njohura të fëmijërisë si ajo e Gishtos ose Bukuroshes së fjetur, treguar nga Charles Perrault në “Les Contes de ma Mère L’Oye”), Maria realizoi tablo ku “imiton” natyrën dhe realitetin me logjikën e përrallës.

Tabloja e parë “Pavane de la Belle au bois dormant”, mban të njëjtin titull si pjesa e parë muzikore e Ravelit. Pavane është një vallëzim ceremonial dhe i ngadaltë, është një fjalë që shënon edhe cilësitë e bukurisë dhe krenarisë. Maria thotë që “pavane është një princeshë e fjetur që nuk mund të zgjohet derisa të vijë ta përqafojë princi. Nëse jetojmë për shekuj duke fjetur, ne bëhemi si planetët e largët. Unë paraqes te kjo tablo princeshën e fjetur që si një planet që nuk ka sensin e kohës, pret t’i vijë një zot njerëzor për t’i dhënë kuptim dhe për të rifituar kohën e humbur.”

Tabloja e dytë “Le Petit Poucet” i referohet pjesës ku Ravel ilustron momentin e frikës dhe panikut të djalit të vogël që ndodhet në mes të bukurisë së pyllit. Sepse “sido që të jetë”, shton Maria, “natyra është indiferente ndaj nesh. Natyra na duket e bukur, por ne jemi shumë të vegjël para saj si qenie biologjike, dhe ne s’mund të bëjmë dot pa mjedisin social.”

Tri tablotë e tjera “Laideronnette, Impératrice des pagodes”, “Les entretiens de la Belle et de la Bête”, dhe “Le jardin féerique” shprehin një marrëdhënie të muzikës me kulturën e përrallave që e zhvendosin Marinë në fëmini. Dhe fëmininë e përfaqëson mirë kjo botë fantazmagorish. “Në botën e përrallave ka një fantazi imagjinare, jo logjike dhe irreale ku të gjithë fëmijët bien brenda. Edhe arti për të krijuar “efektin e reales” ngrihet mbi këtë logjikë të realitetit. Ne, si shikues, dëgjues, spektatorë, lexues, biem te ky kurth falë talentit të artit, piktorit, regjisorit…”

Çfarë e lidh botën e përrallës, Ravelin dhe pikturën është pikërisht pikëvështrimi teknik: si mund ta përdorim iluzionin me qëllimin për të përftuar realen, dhe për të tërhequr brenda saj perceptuesin, admiruesin e artit, “sepse një vepër arti s’mund të kuptohet pa veprimin interaktiv”.

Maria e përshkruan Ravelin si adhurues të natyrës, që kishte bërë një kopsht të vogël në shtëpinë e tij. Këtij kopshti ai i jep gjithë frymëzimin dhe dhuntinë e tij muzikore për të përshkruar mrekullinë e natyrës. Po ishte edhe adhurues i përrallave dhe ilustrimeve të tyre sipas Gustave Doré-së.

Ky është zinxhiri i trashëgimisë që analizon Maria:

“Raveli ka njohur të njëjtat përralla si unë; është influencuar nga një trashëgimi ikonografike si e Doré-së; ky i fundit ishte koleksionist i miniaturave dhe i objekteve të vjetra dhe pak kitsch; nëna ime kishte një koleksion figurinash të cilat u dogjën. Të gjitha këto koleksione që po ju flas e që ndodheshin në shtëpinë time, u dogjën.”

Kitsch-i dhe natyra janë një lidhje e çuditshme që Maria e ka përzemër. “Një nga mrekullitë është që duke parë natyrën, njerëzimi ka një ide të së bukurës e cila shpesh është diçka e pakapshme. Por është gabim që natyrën ta identifikojmë me realitetin real. Efektin e reales ne e përftojmë nëpërmjet iluzionit.” Me iluzion Maria nuk kupton “trompe-l’oeil” as efektet optike, por një lloj perceptimi “origjinal” që e zhvendos shikuesin te një botë e rikrijuar. Sa për publikun e veprës së saj, ajo dëshiron që ky të shkojë i lirë drejt saj, pa shtrëngesat estetike apo semantike, dhe të ndihet njëlloj si krijuesi në botën e krijuar.

Maurice Ravel e shtyn të mendojë për të gjitha këto dhe të ndërtojë këtë ekspozitë mbi idenë se arti është trashëgimi, gjithçka që është krijuar më parë, gjithçka që është në muze, gjithçka që sheh në fjalor, në rrënojat arkeologjike, gjithçka që na ka mbetur nga ikonografia, është një continuum i artistit për të krijuar dhe njëherësh për t’iu referuar veprave të paraardhëse, një continuum që ndryshon kodin dhe domethënien e trashëgimisë.

Vizita në muzetë e Tiranës, ku ajo ndeshi një trashëgimi të ndërprerë, e provokoi dhe e shtyu të diskutojë me studentët: sepse ideja që njeriu ka për natyrën varet nga kjo influencë.

Historia e Marisë, zhdukja e pikturave të saj nga zjarri është një histori sa personale aq edhe metaforë e këtij diskutimi. Kohë pas kohë ajo nxjerr nga memoria disa tablo të djegura. “Për mua ishte vërtet e rëndë. Nuk e preka më me dorë për një kohë të gjatë pikturën në vaj. Tani pikturoj akuarel.”

 

 

Ravel

Maurice Ravel (1875- 1937) u rrit në Paris. Nga nëna u ushqye me kulturën hispanike dhe nga babai zviceran mori shpirtin kujdesit për detajin. Në periudhën e hershme të kompozoi “Sheherazade” 1898, “Pavane pour une infante défunte (1899)”, “L’enfant et les sortilèges”. Pas kësaj muzika e Ravelit evoluon dhe përparësi merr onirizmi dhe e mrekullishmja. Përveç muzikës për piano dhe muzikës vokale, vallja zë një vend të rëndësishëm në krijimet e Ravelit. Shkruan më 1912 “Daphnis et Chloé” dhe me kërkesë të Ida Rubinstein shkruan muzikën e baletit “Boléro”, vepra e tij më e dëgjuar.

Më 1916 u nis vullnetarisht ushtar në luftë dhe shkroi një vepër kushtuar shokëve të vrarë, “Le Tombeau de Couperin” (1917).

Mik me Claude Debussy, të dy të tërhequr nga Orienti.

Maurice Ravel, kompozitor neoklasik u josh fillimisht nga muzika e Chabrier-it dhe e Satie-së, u frymëzua gjithnjë nga Spanja e së ëmës, ishte kurioz për muzikën e së shkuarës po e aq sa për muzika e Schoenberg-ut dhe jazz-in, por ai krijoi një vepër personale dhe moderne me saktësinë e një “sahati zviceran”.

 

 

Maria

Lindur në Arles në 1960, Marie-Alice Sorieul, ka studiuar për pikturë në Paris në “Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs” pranë ateliesë së Zao Wou-Ki (një nga artistët më të njohur në botë për Abstraksion lirik). Pas zhdukjes së pikturave të saj, të cilat u dogjën aksidentalisht në atelienë e saj, Sorieul i dedikohet tërësisht nje aktiviteti të ri për të siguruar jetesën e saj. Ajo filloi të krijonte bizhuteri për stilistë të mëdhej të modës “haute couture”, si psh.: Givenchy, Antigona, Diamant noir etj.. Më pas ajo lë Parisin për tu shpërngulur në Vjenë ku dhe i rikthehet artit figurativ duke punuar me Peter Zejmon.

Edhe pse preferon më tepër qetësinë në studion e saj, ajo ekspozon vazhdimisht në Austri, Francë dhe ShBA. Pikturat e saj janë vështirë të përshkruhen, duke qenë njëkohësisht shumë figurative dhe abstrakte. Kur flet për punën e saj ajo i referohet shpesh muzikës.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit