Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Politike - 89 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Luis Tanushi
Reforma zgjedhore do të kryhet vetëm nga PD e PS ndërsa pretendimet e partive të vogla nuk do të merren në konsideratë. Komisioni u mblodh mesditën e djeshme dhe për të treguar se nuk do të pranohen sugjerimet e të vegjëlve, PD e PS miratuan axhendën e përgatitur nga dy ekspertët përkatësisht Bledar Cuci për Partinë Socialiste dhe Oerd Bylykbashi për Partinë Demokratike. Mbledhja është shoqëruar me debate të ashpra ndërmjet përfaqësuesve të partive të mëdha dhe atyre të vogla.
Përfaqësuesit demokrat kanë deklaruar se grupi i punës nuk ka mandatin për ndryshimin e sistemit. Reforma, sipas demokratëve, duhet të fokusohet vetëm në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për dy zgjedhjet e fundit në vendin tonë. Sipas dy anëtarëve të PD në grupin e punës për reformën zgjedhore, Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi, raporti final i OSBE/ODIHR-it nuk e përmendin fare ndryshimin e sistemit, por ka vetëm rekomandime për çështjet teknika që kanë të bëjnë me përmirësimin e zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e majtë, siç edhe janë shprehur në qëndrimet e tyre, lanë të hapur mundësinë e rishikimit të sistemit elektoral. Gjithsesi, socialistët ranë parimisht dakord me qëndrimin e demokratëve për të mos futur në këtë axhendë ndryshimin e sistemit elektoral. Diskutimi vetëm i çështjeve teknike, duke mos u futur në diskutimin e sistemit ka lënë të pakënaqur forcat e vogla politike. Të vegjlit janë irrituar duke akuzuar partitë e mëdha për shmangien e partive të vogla politike nga diskutimi duke vendosur veton. Mësohet se krerët e partive të vogla janë shprehur se dy partitë kryesore, PD dhe PS po devijojnë nga ajo që ata e konsiderojnë thelbin e problemit, sistemi elektoral. Në mënyrë demonstrative, përfaqësuesi i Partisë Republikane, Fatmir Mediu së bashku me përfaqësuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo kanë braktisur mbledhjen.
Reformimi i sistemit zgjedhor ka rikthyer debate ndërmjet dy partive kryesore,PS-PD me partitë e tjera të vogla të cilët kanë qenë kundër ndryshimit të sistemit në proporcional rajonal. Partitë e vogla dëshirojnë ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar, sistem që do u lejonte të merrnin maksimumin nga zgjedhjet dhe do të rriste ndjeshëm pjesëmarrjen e tyre në Kuvend. Nga ana e saj, PS ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të sistemit në proporcional rajonal, por me korrigjim kombëtar. Kërkesa për të mos ndryshuar sistemin ka qenë kushti i demokratëve të cilët, duke marrë shkas edhe nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009, janë favorizuar së tepërmi.
Axhenda, ja çfarë do diskutojë komisioni i reformës
Dy ekspertët, Bledar Cuci për Partinë Socialiste dhe Oerd Bylykbashi për Partinë Demokratike kanë përgatitur axhendën e grupit të punës për Reformën Zgjedhore. E konceptuar në dy faza, reforma do të diskutojë problematikat e konstatuara nga partitë politike dhe nga raporti i OSBE/ODIHR-it. Brenda dhjetorit grupi i punës do të nisë punën me katër çështje të rëndësishme ku pika e parë do të jetë regjistrimi i subjekteve politike dhe kandidatëve për në zgjedhje.
Ekspertët dhe anëtarët kanë menduar që puna të nisë që në dhjetor për të dhënë sinjalin e bashkëpunimit ndërmjet dy partive kryesore dhe për të shfrytëzuar momentin e mirë ndërmjet palëve. Edhe për këtë fazë ka debate të shumta pasi listat e mbyllura, siç janë tani u kanë lënë dorë të lirë kryetarëve të partive politike që të caktojnë renditjen e kandidatëve duke shmangur nga kandidimi të pakënaqurit e tyre. Faza e parë lidhet pikërisht me atë që ka të bëjë me fazën parazgjedhore dhe që nuk lidhet direkt me ditën e zgjedhjeve. Dy pikat e tjera pas asaj të regjistrimit, ekspertët Çuci dhe Bylykbashi kanë përcaktuar fushatën zgjedhore dhe media gjatë fushatës. Fushata zgjedhore në zgjedhjet e fundit është shoqëruar me incidente të shumta ku në jo pak raste nuk kanë munguar edhe konfrontime të ashpra fizike ndërmjet simpatizantëve të dy palëve. Një nga pikat më të rëndësishme të fazës së parë është financimi i partive politike. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, jo vetëm rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por edhe raportet e tjera kanë shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës dhe për financimet e dyshimta.
Tremujori i dytë, janar-mars do të jetë periudha më me intensitet e komisionit i cili do të shqyrtojë gjashtë pikat e tjera të përcaktuara në axhendë. Dy partitë e mëdha pritet që të provojnë se sa i qëndrueshëm do të jetë konsensusi i arritur në fund të vitit 2011. Regjistrimi i zgjedhësve, procedurat e votimit, votimi nxjerrja dhe shpallja e rezultatit janë disa prej pikave kryesore të axhendës së punës së grupit për Reformën Zgjedhore. Në fund të axhendës janë përcaktuar edhe dy pika të tjera, konkretisht Administrata zgjedhore dhe procesi i animimit. Dy palët priten që të diskutojnë gjatë për gjashtë pikat e fazës së dytë të grupit të punës. Listat e zgjedhësve kanë qenë të kritikuara nga opozita e cila ka akuzuar për shtim efektiv të zgjedhësve si dhe për votim të shtetasve nga Kosova duke i pajisur me pasaporta shqiptare apo me dublime të listave. Procesi i numërimit së bashku me animimin janë dy pikat më delikate të reformës zgjedhore. Zgjedhjet vendore të 8 majit treguan se komisionerët e të dyja partive politike ndërprisnin numërimin sa herë që kandidati i tyre ishte në disavantazh ndërkohë që për Tiranën nuk mungoi as ndryshimi në tavolinë i rezultatit të zgjedhjeve. Për pesë muaj PS dhe PD u përballën në dyert e Kolegjit Zgjedhor duke ankimuar rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vetë ky i fundit pritet që t’i nënshtrohet një reforme të thellë. Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kritikuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it për vendimmarrje politike.
Fatmir Mediu, anëtar PR
Sot ne na u vendos para një axhendë pune e komisionit, e cila bazohet thjesht mbi çështje teknike të reformës zgjedhore duke devijuar nga diskutimi në thelb problemeve. Nuk besoj se ne jemi thjesht përfaqësues teknik, por jemi përfaqësues politik të zgjedhur me detyrimin që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe vota e tyre të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë. Për sa kohë është një komision teknik, pjesëmarrja politike më duket krejt e tepërt. Nga ana tjetër, dua të theksoj që është e pavend që në debate të cilat kanë interes për publikun, ka nevojë për transparencë. Qëndrimi im është se për sa kohë ne nuk arrijmë të diskutojmë politikisht, nuk e di pse duhet të jemi në një komision të reformës zgjedhore. Kjo është një çështje që do e diskutoj me kolegët e mi të PR, po ashtu dhe me përfaqësues të mazhorancës për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Damian Gjiknuri, anëtar PS
Miratuam një axhendë paraprake pune me gjithë ato çështje që janë identifikuar si problematike dhe që duhen adresuar nga reforma zgjedhore. Bëhet fjalë për të gjithë çështjet që kanë lidhje me kritikën për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri. Të gjitha. Rekomandimet e OSBE/ODIHR prekin pak a shumë të gjitha elementët që kanë të bëjnë me administrimin zgjedhor. Me shumë interesi i partive të vogla, ose i atyre që janë të përfaqësuara në tavolinë ishte tek sistemi zgjedhor. Të paktën, në pikëpamjen tonë, u diskutua se kjo është axhendë pune për të nisur punën komisioni. Kur të dëgjojmë gjithë opinionin e të gjitha partive të tjera, që dhe ato janë po aq të interesuara për sistemin zgjedhor, patjetër që ky proces do dojë një konsensus politik dhe do zhvillohet në rrugë e sipër. Por, komisioni nuk mund të mbahet peng për çështje të tjera që janë po aq imediate dhe që kanë të bëjnë po me rritjen e standardeve të zgjedhjeve.
10 pikat e axhendës
1. Regjistrimi i subjekteve politike dhe kandidatëve
2. Fushata zgjedhore
3. Media gjatë fushatës
4. Financimi
5. Regjistrimi i zgjedhësve
6. Procedurat e votimit
7. Numërimi i votave
8. Nxjerrja dhe shpallja e rezultatit
9. Administrata zgjedhore
10. Procesi i ankimimit