Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Reforma, PS ndryshim i KQZ dhe lista te mbyllura

Publikuar me : 30.12.2011 Ne : Politike - 46 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike duket se bien dakord në Komisionin e Reformës Zgjedhore për ruajtjen e listave të mbyllura të kandidatëve për zgjedhje. Eksperti i PS në Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi thekson se ky sistem i përshtatet më mirë terrenit shqiptar. Sipas tij, listat e hapura, siç kërkohet prej disa partive të vogla dhe të shoqërisë civile, do të krijonin terren për konkurrimin e më “të fortëve”. Për ekspertin e PS, kjo mënyrë e kandidimit, do të vështirësonte së tepërmi edhe procesin e votimit pasi vetëm në një fletë do të kishte mbi 30 kryqe. Duke pohuar komunikimin e vazhdueshëm ndërmjet me homologun e tij demokrat Bylykbashi përmes postës elektronike, eksperti Çuci deklaroi se PS do të ishte e gatshme për ndryshimin e sistemit, por një kërkesë e tillë mbetet edhe në dorën e aleatëve të PD, si LSI apo PR.

 

Zoti Çuçi, anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore kanë lënë për në janar të fillojnë diskutimet për pikat e axhendës. Përse kjo shtyrje e punës ?

Unë nuk mendoj se kemi të bëjmë me shtyrje të punës. Zhvendosja për në janar e diskutimeve të çështjeve të para të axhendës nuk do të thotë se puna nuk ka filluar apo është zvarritur, përkundrazi. Komisioni ka filluar punën në dhjetor dhe, përveç disa veprimeve dhe vendimeve të domosdoshme që ai ka marrë për funksionimin normal të tij, është punuar intensivisht edhe për çështjet e para që ishin caktuar në axhendë si ato që kanë të bëjnë më fushatën zgjedhore dhe median, regjistrimin e kandidatëve, etj. Nga ana tjetër, jemi duke pritur edhe mendimet dhe opinionet që Komisioni ka kërkuar nga partitë joparlamentare, nga institucionet publike që përfshihen në administrimin e zgjedhjeve dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, për ti përfshirë ato në diskutim dhe debat. Kjo është edhe arsyeja që nuk ka pasur një diskutim për çështjet e para të axhendës në Komision.

 

Ju bashkë me Oerd Bylykbashin jeni dy ekspertët e reformës zgjedhore. A zhvillohen takime ndërmjet jush?

Sigurisht që ne kemi kontakte të vazhdueshme duke u takuar apo komunikuar nëpërmjet postës elektronike. Me zotin Bylykbashi na lidh një bashkëpunim i kahershëm, që kur ai ishte ekspert në zyrën e OSBE-së për çështjet zgjedhore. Kjo padyshim që krijon një klimë të mirë bashkëpunimi dhe premisë për të kapërcyer pozicionet politike të secilit në funksion të gjetjeve të zgjidhjeve sa më të përshtatshme për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe me standarde. Kjo nuk do të thotë që qëndrimet tona do të jenë gjithmonë në sinkron por, në qoftë se kemi vullnetin për të ndërhyrë në disa momente të rëndësishme të administrimit të zgjedhjeve, në mënyrë që të garantojmë më shumë siguri, integritet dhe transparencë të procesit zgjedhor, në qoftë se zgjidhjet do të jenë teknikisht dhe procedurialisht të realizueshme dhe në mbështetje të parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, atëherë nuk shoh arsye pse të mos konvergojmë në qëndrime të përbashkëta.

 

Një nga pikat është edhe regjistrimi i subjekteve dhe i kandidatëve. Në media ka pasur një debat të madh nëse listat do të jenë të mbyllura duke i dhënë më shumë kompetenca kryetarit, apo të hapura . Si është konceptuar prej jush ky problem, do të kemi sërish lista të mbyllura?

Kjo është një çështje që nuk është shtruar ende për diskutim në Komision, megjithatë partitë politike përgjithësisht janë për lista të mbyllura. Me këtë qëndrim, madje ka pasur dhe prononcime publike, kanë qenë edhe lidershipi i opozitës dhe ai i mazhorancës. Kështu që unë nuk mendoj se kjo çështje do të hajë debat. Gjithsesi, personalisht mendoj se është herët që Shqipëria të aplikojë sistemin me lista të hapura. Në radhë të parë, ky sistem do të krijonte terren për konkurrimin e atyre që kryeministri i quajti “të fortëve” (kushdo qoftë kuptimi i tyre) dhe kjo do të sillte uljen e nivelit të përfaqësuesve në Kuvend. Deri në vitet 70’, në Angli një sistem i ngjashëm që favorizonte frymën lokaliste në përfaqësim kombëtar, kishte bërë që nga zonat e minierave të qymyrit, anëtarë parlamenti (Dhoma e Komunëve) të ishin minatorë apo, anëtarë parlamenti që përfaqësonte një qytet hekurudhor (Creëe ose York), do të ishte gjithmonë një mashinist i dikurshëm treni apo një punonjës hekurudhe. Pra, ky ka qenë një problem për shoqërinë angleze, imagjino se ç’mund të ndodhë në Shqipëri ku nuk ka as miniera e as hekurudhë, por ka kazino dhe klube nate (me të gjitha shërbimet që ato ofrojnë). Së dyti, një sistem i tillë do ta komplikonte shumë si procedurën e votimit, ashtu edhe procesin e numërimit. Numëruesve ju deshën një javë për të numëruar fletët ku kishte vetëm një kryq/plus, imagjino se çdo të ndodhë me procesin e numërimit kur vetëm një fletë mund të ketë mbi 30 kryqe/plusa.

 

Besoni se afati tre mujor për zgjidhjen e dhjetë problematikave të axhendës së hartuar nga ju dhe të miratuar nga reforma është i mjaftueshëm për realizimin e një reforme të thellë dhe të plotë?

Unë mendoj se ky afat është plotësisht i realizueshëm nëse do të ekzistojë vullneti politik për të bërë ndryshimet e duhura për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe me standardet e kërkuara në mënyrë që të risim besimin tek njerëzit dhe ti garantojmë se një person voton vetëm një herë dhe vota e tij lexohet ashtu si ai ka shprehur vullnetin. Gjithsesi, duhet sqaruar se nuk nevojitet bërja e një Kodi të ri, por vetëm hartimi i disa amendamenteve të Kodit ekzistues, në mënyrë që të vendosim disa garanci më shumë ligjore, teknike e organizative me qëllim që të parandalojnë apo evidentojmë paligjshmërinë në proceset zgjedhore. Duke filluar me kufizime të mëtejshme në përdorimin e burimeve publike dhe influencën e paligjshme në favor të partisë qeveritare. Kufizime të një rrethi zyrtarësh të lartë në kandidim që buron nga Kushtetuta, por që ende nuk ka gjetur materializim në Kodin Zgjedhor. Për të vazhduar me rishikim dhe korrigjim serioz të procesit të përgatitjes së listës së zgjedhësve, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, siç rekomandon dhe ODHIR, të mbështetur nga teknologji e të dhëna të disponueshme, të cilat mund të zgjidhin njëherë e mirë këtë problem. Gjithashtu jemi duke punuar edhe për zgjidhje teknologjike, të realizuara në një sërë vendesh dhe bazuar në kapacitetet që disponohen në vend si rezultat i pajisjes së shtetasve me letërnjoftimin elektronik, për të ndihmuar procesin e identifikimit gjatë votimit, me qëllim shmangien njëherë e mirë të votimit fiktiv apo akuzave dhe frikës së përdorimit të dokumenteve false në votim. Përdorimi i teknologjisë së informacionit edhe në procesin e numërimit e shpalljes së rezultateve mund t’i japë zgjidhje përfundimtare kaosit në numërim apo akuzave tashmë të provuara të tjetërsimit të votës, etj.

 

Cilat janë ato ndryshime që PS kërkon, por PD ka vendosur veton ?

Duke qenë se nuk jemi futur akoma në detaje, mund të themi se deri tani nuk ka pasur çështje për të cilat është nevojitur vetoja. Gjithsesi, mendoj se në çdo rast, vetoja duhet përdorur në emër të ruajtjes së standardeve dhe krijimit të një infrastrukture zgjedhore që garanton siguri, integritet dhe transparencë të procesit zgjedhor, dhe jo për të mbajtur qëndrime për interesa të ngushta dhe banale politike.

 

Zgjedhjet e fundit u shoqëruan me kontestime për vendimmarrjen e KQZ-së dhe ankimimit në Kolegjin Zgjedhor. Nisur edhe nga rekomandimet e OSBE-së dhe rezoluta e Komisionit të Venecias të miratuar këtë muaj, si mund të zgjidhen këto dy probleme?

Zgjedhjet e fundit, sidomos ato vendore e cenuan shumë rëndë integritetin e KQZ-së dhe e zbehën mjaft besimin tek organet e drejtësisë. Kjo e shprehur qartë edhe në raportet që ju përmendët. Rikompozimi i KQZ-së dhe ndërtimi i një skeme efikase ankimimi, që siguron profesionalizëm dhe paanshmëri, mbetet një sfidë e vështirë, nisur nga gjendja e institucioneve dhe Gjyqësorit në vend. Ne jemi duke e diskutuar me shumë seriozitet dhe do të ofrojmë propozime ligjore, që të paktën synojnë të kthejnë besimin në administratën qendrore zgjedhore, për të krijuar mundësi për më shumë transparencë dhe profesionalizëm në këtë strukturë, larg kthetrave të politikës. Një institucion i ribërë dhe që merr përsipër të implementojë masat e mësipërme, mund të krijojë një premisë për një proces më të mirë zgjedhor dhe të rikthejë besimin e palëve në procesin zgjedhor.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Presidenti i ri, Berisha Do negociohet dhe me Ramen dhe Dulen

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 89 here.
Presidenti i ri, Berisha  Do negociohet dhe me Ramen dhe DulenIlir Meta - Sali Berisha Menjëherë pas përfundimit të takimit me kreun e LSI-së, kryeministri Berisha u shpreh se të dy palët kanë rënë dakord për zgjedhjen e një presidenti sa më konsensual. Për këtë, Berisha  ka ftuar kryetarin e PS-së, Rama, të mandatojë dy bashkëpunëtorë për të nisur negociatat. “Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të LSI-së, që është aleatja kryesore e PD-së në koalicion. U ra plotësisht dakord...Lexo te gjithe artikullin »


» Presidenti i ri, Berisha Do takoj dhe Ramen me Dulen
» Rama Takimi Berisha-Meta per Presidentin e ri teatral
» Rama Takimi Berisha-Meta teatral
» Skadon afati KQZ-ne Kolegjin dhe kutite nuk i levizim
» Berisha Me Meten rame dakord per nje president sa me konsensual
» Berisha Presidenti i ri nga Kryesia e PD-se
» PS, Bushati Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» PS Raporti i DASH konfirmoi shqetesimet e ngritura nga opozita
» Berisha – KE-se Ne ato ndihma qe na jepni, percaktoni nje pjese te mire per bujqesine
» Presidenca e KiE-se, Haxhinasto Forcimi i dialogut, prioriteti yne

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit