Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Restaurimi privat, pervoja e parakohshme ne nje ishull

Publikuar me : 28.07.2011 Ne : Kulture - 110 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Profesionin e restauratorit që gëzon nga dhjetë vjet shkollim e përvojë praktike brenda e jashtë vendit, Eduart Bitri e daton në origjinën e traditës së artizanëve të fisit të tij, njerëz që erdhën nga Voskopoja në vitet 1700 dhe gjetën në Kolonjë të Lushnjes një vend të mirë afër pyjeve. Aty është lindur dhe është rritur ai. “Babai i babait tim ishte një prift, një njeri që kishte studiuar teologji dhe kjo mendoj se është arsyeja që më ka shtyrë drejt restaurimit”, tregon Edi. “Më kujtohet që i vogël, gjyshja shumë besimtare na merret e vete në kishë. Më bënin përshtypje afresket në errësirë në manastirin e Ardenicës.”

Realiteti nuk i ngjan asnjë ëndrre dhe as historia e Edit nuk është bërë me nostalgji. Është thjesht një histori e vazhdimësisë: njeriu dhe mjedisi që i kundërpërgjigjen njëri-tjetrit.

 

Edi, edukimi yt si restaurator fillon në një shkollë greke në Tiranë…

Unë kam një nënë myslimane dhe baba ortodoks. Jam rritur më shumë me frymën kristiane dhe kjo besoj më ka lidhur me artin kishtar dhe restaurimin. Kur dëgjova për shkollën që kishte hapur një Institut Grek për restaurimin e veprave të arti, i thashë vetes se më në fund duhej të mësoja për këto gjëra. Asnjë nga ne nuk e dinte se ç’ishte ajo degë, libra nuk kishte. Ndër profesorët e huaj që na mësonin teknikat e restaurimit dhe teknikat e reja, ishin edhe ata shqiptarë Mustafa Arapi, Ali Ago.

 

Shkollat shpesh janë një zhgënjim.

E drejtë është. Informacioni teorik më ka ndihmuar. Sa më shumë jam përfshirë aq më shumë e kam dashur.

 

Çfarë ishte restaurimi i parë?

Një ikonë shumë e dëmtuar, nga të shumtat që ishin hedhur nga monumentet e kishës ortodokse dhe i kishin sjellë në ambulancën e vogël ku ishim ne studentët që pregatiteshin për t’i trajtuar dhe shpëtuar. Ishte një ikonë e Krishtit Pantokrator, 10×20 cm e shek. 18-19 që për mua ishte e rëndësishme. Ato ikona s’mund t’i besoheshin ndoshta një studenti, madje ishin shumë edhe për një student.

 

Ju kanë besuar më shumë nga ç’duhet?

Në kontekstin si funksionojnë gjërat në Shqipëri jo, por në kontekstin e përgjithshëm them se na kanë besuar shumë. Nga eksperienca në shkollën franceze me studentë ndërkombëtarë në Stamboll, organizuar nga “Patrimoine sans frontières”, kuptova çfarë kisha marrë nga shkolla shqiptare ku isha ndjerë si ai restauratori që do të shpëtojë vendin e vet. Këto janë probleme ndërkombëtare dhe kanë të njëjtat zgjidhje. Aty ndërtova një mendim realist sepse në mjedisin shqiptar jemi mësuar t’i zhvlerësojmë ose mbivlerësojmë gjërat.

 

Me çfarë lidhet kujtimi nga restaurimet në Stamboll?

Me një ikonë të Shën Stefanit. Është e rrallë sepse është e periudhës së ikonoklastisë kur brenda besimit ortodoks pati një skizmë dhe vetë njerëzit që besonin te ikonat, filluan t’i shkatërronin. Janë akoma shenjat e një mjeti të fortë që e ka goditur për ta shkatërruar dhe këto janë fazat e pastrimit. Ka dalë syri i vërtetë. Pjesa tjetër është një pikturë e të njëjtit shenjtor, e pikturuar një shekull më përpara. Ka një kokë më të madhe. Kështu nga një ikonë janë krijuar dy. Kemi punuar në grup për gjashtë muaj. Ishte një punë të secilës duhet t’i mësonim të gjitha ndërhyrjet. Është si një mjek që duhet të bëjë dhe ndërhyrje të vështira. Heqja e një shtrese të pikturuar dhe arritja e marrjes së dy veprave. Është një ikonë që vendoset në brezin e parë të ikonostasit. I përket Patriarkanës së Stambollit.

Për ne është si një arkeologji. Arkeologët zbulojnë site të mëdha dhe ata emocionohen kur zbulojnë sipërfaqet, rrënojat, kurse këtu zbulimi është mikroskopik.

 

Puna të solli në Galerinë Kombëtare në Tiranë…

3 vjet në Galerinë Kombëtare të Arteve si restaurator i pikturës dhe skulpturës shqiptare. Ekzaltuese për një person i cili më në fund punonte për një institucion të rëndësishëm shtetëror. Aty arrita të kuptoj që shteti ka shumë fëmijë dhe arti e kultura është nga fëmijët e lënë mënjanë e të harruar. Ishte sfidë e pamundur t’i shinim të gjitha veprat të restauruara, në kushtet e atyre hapësirave. Rezultatin e punës sonë e gjeni në tablotë dhe skulpturat e linjës së re të Galerisë.

 

Je marrë me artin e realizmit socialist dhe atë bashkëkohor…

Kryesisht me skulpturën e Janaq Paços, Muntaz Dhramit, Kristaq Ramës që i kemi mbajtur i gjithë stafi i burrave të Galerisë dhe në Galeri të gjithë bëjnë hamallin kur duhet.

 

Në çfarë niveli është këtu përdorimi i teknikave moderne të konservimit dhe restaurimit?

Në fakt është një term që ecën më shpejt se sa ne. Teknika moderne do të thotë të ecësh me shkencën, të përdorësh materialet më të fundit dhe në këtë pikë institucionet shqiptare kanë shumë probleme. Institucionet djegin fonde të cilat mund t’iu shërbejnë vërtet specialistëve. Është e gabuar logjika shqiptare e fondeve për restaurim. Restaurimi i veprave bëhet jashtë kurse trajnimi i shqiptarëve bëhet këtu. Mendohet që duhet të jetë e kundërta.

 

Pse e le punën e restaurimit në shtet?

Sepse mendoja që po të vazhdonte, do të transformonte natyrën time si njeri. Pastaj hapa Art Conservation and Restauration Studio. Punuam me koleksionistë të huaj, kryesisht në tregun privat, me objekte që gjendeshin nëpër familje. Bashkë me Altin Metellarin dhe Fabian Pashollin, dy nga miqtë e mi që pranuan të kontribuojnë me financat e tyre për të themeluar studion, trajnuam disa kimiste. Krijuam nga një hapësirë për një disiplinë më vete. Studion e mbajtëm mbi një vit. Prej pak kohësh nuk është më.

 

Falimentuat?

Koleksionistët privatë të kategorive të caktuara janë shumë të vështirë. Punonim me çmime shumë modeste por prapë ata nuk ishin dakord dhe kjo pengonte ekzistencën tonë. Vendosëm ta mbyllim studion dhe ato pajisje i shitëm për pak para. Ishte eksperiencë e parakohshme për Shqipërinë. Kur situata të jetë më e mirë, do të kthehem të rihapë një studio restaurimi.

 

Po ikën nga Shqipëria?

Po largohem i pakënaqur nga situata në profesionin tim, por ka shumë gjëra që nuk funksionojnë në këtë vend prandaj nuk mërzitem. Secili nga gjithë restauratorët e përgjegjshëm ka vënë nga një gur të vogël në këtë murin aq të ngritur që është restaurimi, kjo shkencë pothuajse e panjohur për realitetin shqiptar. Shqipëria ka pasuri të trashëguara por nuk ka potencial për të restauruar. Prandaj unë tani po iki.

 

Mendon se i ke dhënë të gjitha?

Unë jam rritur në një vend të mbyllur si Shqipëria, që është një ishull. Dijet e mia janë modeste në fushën e restaurimit dhe këtu vazhdon të mungojë informacioni për këtë shkencë që duhet të njihet nga njerëzit dhe t’i shërbejë shoqërisë. Shqipëria është e vonuar në shumë procese, mendoni sa e vonuar është në fushën e restaurimit.

 

Si do ta përshkruaje këtë “tregun shqiptar të veprave të artit”?

Një restaurator gjendet në mes të një loje që përcakton “ky vlen” dhe “ai nuk vlen”. Tregu i Shqipërisë i komprometon shpejt njerëzit dhe njerëzit mendojnë se marketingu më i mirë është duke denigruar kontributin e njerëzve të tjerë. E kam vënë re shpesh këtë gjë, jo vetëm për sa i përket profesioneve po edhe në biznes e kudo. Kjo nuk është metodë e shëndetshme. Jam i sigurt që asnjë nga kolegët e mi restauratorë nuk është i pasur dhe ky është çmimi që duhet të paguajë një restaurator të paktën edhe për dhjetë vjet në Shqipëri derisa këtu të fillojnë bizneset private të restaurimit dhe njerëzit të paguajnë për veprat që kanë për zemër.

 

Në terren

Tiranë-Stamboll-Selanik dhe disa stacione të shkurtra në Angli dhe Francë janë vendet ku Eduarti studioi për gjashtë vjet. Mezi priste të kthehej e të restauronte afresket që kishte parë që i vogël. Prof. Hasan Nallbani e përfshiu në ekipin e tij në Zervat të Gjirokastrës, për restaurimin e afreskeve në kishën “Fjetja e Shën Mërisë”. Pastaj restaurimet arkeologjike i hapën një fushë më të gjerë. “Ka qenë intriguese arkeologjia gjithmonë, duke qenë se edhe restaurimin e kam menduar si një arkeologji në minitaurë.” Dhe arkeologu Lorenc Bejko i dha mundësinë për të punuar në misionet arkeologjie në Apoloni, përkrah Philipa Pearce, për restaurimin e poçerive, objekte të shek. IV para Krishtit.

Për muze privatë ka restauruar objekte në gur, qeramikë, metal nga ato prehistorike, të të neolitit, amfora korinthike me figura të zeza të shek. VI para Krishtit, një amforë helenistike me figura të kuqe të shek. IV para Krishtit, restaurimi i të cilës nxori në pah vepra arti të shkëlqyera. Megjithatë Edi ka kuptuar që specialiteti i tij është restaurimi i objekteve të artit kishtar.

 

 

Sendet e gjyshërve:

“Ruajmë tespihet e gjyshit që e mbaj mend të ulur në cepin e shtëpisë, ashtu të vetmuar. Ai kultivonte duhanin. Dhe unë isha aty ta shikoja kur bënte proceset mekanike, e priste, e thante dhe e pinte me aq pasion. Mbaj mend kur i vogël më dërgonte të blija paketën e tij “Partizani” dhe më linte një bakshish. E lija lojën me top dhe shkoja ia bleja.

Gjyshja punonte në tezja. Kemi ruajtur lëmshet e leshit me të cilët ajo bënte fijet që thurte. I kemi ruajtur në baulen e saj me gjithë përparësen e saj. I kam të gjalla imazhet e përpjekjes së atyre njerëzve për të punuar, për të ekzistuar, për t’ia dalë. Mendoj se dhe ne sot nuk bëjmë asgjë më shumë, përpiqemi t’ia dalim si ata shumë kohë më përpara. Unë kam vazhduar traditën. Restaurimi ka dhe pak artizanat brenda. Pa dashur të fyej kolegët që mendojnë se ne jemi shkencëtarë dhe merremi me shkencë.”

 

Elsa Demo

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit