Publikuar me : 21.12.2011 Ne :
Politike - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryeministri Berisha i është rikthyer çështjes së rishkrimit të historisë sot gjatë një aktiviteti për Ditën e Albanologjisë. Rishkrimi i historisë jashtë ideologjisë ishte mesazhi i përcjellë për historianët gjatë fjalës së kryeministrit. “Më fatkeq se ne nuk ka pasur popull. Unë kam qenë pasionant i i historisë, por mund të them se nuk e njoha kurrë historinë e vendit tim se ajo ishte e deformuar dhe e ndrydhur në bunker. Ju keni shansin e jashtëzakonshëm ta shkruani mbi bazën e të vërtetave, ta interpretoni jashtë ideologjive pushtuese, edhe komunizmi ashtu ishte”, u shpreh Berisha.
Për kryeministrin, 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar duhet të shndërrohet në një moment të nxjerrjes në shesh të vërtetave të mëdha. “Ne kemi pasur ngritjet dhe rëniet tona, por kemi 1001 arsye për të qenë krenarë me historinë tonë. A ka më primitive se shqiptarët të mos dinë kush ishte kryetar i Lidhjes së Prizrenit”, tha kreu i ekzekutivit.
Duke u ndalur në çështjen e gjuhës shqipe, Berisha u shpreh se ajo kërcënohet nga agresioni mediatik.
“Duhet ta mbrojmë gjuhën nga agresioni mediatik. Gazetarët janë pjesë e çmuar e kësaj shoqërie,po ata duhet të jenë të vetëdijshëm sesa shumë kanë në dorë ta mbrojnë e ta zhvillojnë gjuhën”, u shpreh Berisha.
G.N. / Redaksia Online