Publikuar me : 19.10.2011 Ne :
Kulture - 49 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Darius Rochebin
Gazetari Darius Rochebin i mori një intervistë që është transmetuar në tetor në Televizionin Zviceran. Polanski përshkruan arrestin dhe punën në burg dhe përvijon ngjarjet dramatike që kanë lënë gjurmë në jetën e tij. Ai pothuajse nuk jep kurrë intervista, por gazetari shfrytëzoi rastin kur Polanski vinte në Zyrih për të tërhequr çmimin që iu dha kur ishte nën arrest. Bëhen dy vjet qysh atëherë. Rochebin thotë se kjo intervistë është fryt i mirëbesimit. “E kam takuar disa herë në shtëpinë e tij në Gstaad. Kemi biseduar për dhuntinë e tij të pabesueshme për të mbijetuar, për shijet letrare të njëri-tjetrit dhe për ëmbëlsirën polake me lulëkuqe që ka shërbyer në shenjë mikpritjeje.”
Çmimi honorifik nga Festivali i Zyrihut për filmin “Gjakderdhje” i duartrokitur në Festivalin e Venecies, a nuk është ironik ky turne nderimesh pas turpit të burgut?
Ka tridhjetë vjet që jam mësuar me këtë gjë! Nuk duhet harruar që kam bërë burg. E kreva dënimin tim. Këtë donin atëherë në SHBA, prandaj ika. Kësaj radhe ishte ndryshe. Nuk e kisha më panikun prej regjisori të ri që s’rri dot në një vend më shumë se tre o katër ditë.
Çështjen Dominique Strauss-Kahn, disa e kanë krahasuar me rastin tuaj. Instinkti që përmbys jetën…
Po. Po. Sigurisht, që po.
Keni ndjerë keqardhje?
Natyrisht. Megjithatë kanë kaluar 34 vjet. Sigurisht që më ka vrarë ndërgjegjja.
Sot nuk mund të shkoni veç në Zvicër, Francë, Poloni…
Unë jetoj në Francë, jam francez!
Në shumë nuk mundeni të shkoni. Ndiheni i izoluar?
Jo, mjaftoi ky vit sabatik për të gjitha (qesh). Pastaj, kam udhëtuar shumë në jetën time. Për mua ka rëndësi të jem pranë familjes dhe të mos ndahem siç ndodhi këtë vit. Tani jeta është kthyer në rrjedhën normale.
Shpesh ju përshkruajnë ose si një xhuxh i keq dhe me vese, ose si gjeni i kinemasë, ose të dyja bashkë…
Ky imazh për mua është krijuar qysh nga vdekja e Sharon Tate. I ka pëlqyer medias dhe ky imazh rrokulliset si ortek deri sa shpërtheu vërtet me shpikjen e internetit.
Herën e parë në Zvicër, përse erdhët?
E çuditshme është, por kam ardhur për t’i shpëtuar medias. Ishte pas tragjedisë që na ndodhi në Los Anxheles, ku Sharon Tate, ime shoqe, tetë muaj shtatzënë, u vra bashkë me tre miq të mitë. Para se të kapej Manson, u hodhën dyshime mbi mua. Kjo e ngacmoi tepër median sepse asokohe unë isha duke përfunduar filmin “Rosemary’s Baby” për magjinë e zezë dhe menjëherë e bënë lidhjen.
Ishte e padurueshme. Një mik më ftoi në Gstaad dhe më tha: “Këtu je i mbrojtur.” Vërtet, në atë kohë, isha krejtësisht i mbrojtur. Kishte tek tuk ndonjë
paparazzi që vinin aty për Krishtlindjen dhe kaq ishte e gjitha.
Sharon Tate ishte shtatzënë kur e vranë. Nëna juaj që vdiq në Aushvic, gjithashtu ishte shtatzënë. Dhe ja ku jeni. Si ia keni dalë?
E dini, ia bëj dhe unë vetes këtë pyetje. Ndoshta jam gatuar nga materiali më i fortë.
Ju e keni parë shpesh vdekjen, vdekjen e njerëzve të dashur, vdekjen të cilës i keni shpëtuar! Jua ndryshon kjo këndvështrimin?
Sigurisht. E kam parë vdekjen shumë i ri, në geto. Herën e parë, isha 7 vjeç, pashë një grua të vrarë, 4 metra larg. Është si puna e kirurgut, ai mësohet me barkun e hapur. Unë jam mësuar me vdekjen, po jam mësuar.
Me kinemanë kur e patët shkëndijën e parë?
Kur motra ime e madhe më çoi për të parë filma. Isha shumë i vogël për të shkuar në kinema, e vetmja gjë interesante ishte salla bosh, ishte pasdite dhe kur unë doja të bëja pipin, dhe ajo që nuk donte të humbiste skenën, më detyroi ta bëja mes radhëve të karrigeve.
Pastaj prindët tuaj u deportuan. Ju u fshehët në familje katolike polake.
Ishte vërtet një fushatë mesjetare… Veç bollguri kishte mbetur për të ngrënë. Familja ku u strehova unë kishte tre fëmijë. Gruaja ishte tepër e mirë, shumë besimtare. Më donte shumë.
Kishit frikë, mosbesim?
Po, sepse mund të më zbulonin. Fatmirësisht, kisha shumë fizik polaku, flokë të çelët, duket akoma sado që janë zbardhur. Pra kisha një trup që s’ishte e vështirë për t’u fshehur.
Keni patur shumë fat?
Po, edhe fat, shumë. Dhe shumë fatkeqësi gjithashtu. Bashkë ecin.
Në filmat tuaj humori përzihet me situata dramatike.
Në jetë humori përzihet me tragjiken! Më kujtohet në Poloni, varrimi i tim eti. Po dilnim nga komunizmi. Vodkën e kishe për çdo rast dhe katër burrat që mbanin arkivolin ishin krejt të pirë. U inatosa. Nuk dija ç’të bëja. Ndodheshin miqtë e mi kineastë, Wajda, Morgenstern. Më thanë: do ta mbajmë ne arkivolin. Ishte shumë i rëndë. Unë dhe Morgenstern ishim trupvegjël. Unë ndjeja trupin e babait që rrëshqiste mbi ne, me gjithë peshën. Ishte diçka komike dhe dramatike njëherësh.
Filmin “Gjakderdhje”, e keni shkruar kryesisht nën arrest, janë rrethana shumë të veçanta.
Janë rrethana shumë të mira! Unë, ca skenaristë do t’i detyroja të arrestoheshin për t’i vënë në punë (qesh). Dikur, në studiot hollivudiane, kishte një bllok shkrimtari ku skenaristëve iu bëhej apeli i mëngjesit!
“Gjakderdhje” është historia e dy çifteve që në fillim kanë raporte korrekte, më pas degjenerojnë në poshtërime dhe urrejtje. Prandaj më ka pëlqyer drama (e Yasmina Reza-s), është denoncim i situatave “politikisht korrekte”. Personazhet zbulojnë natyrën e tyre të vërtetë. Domethënë natyrën e njerëzve të aftë për urrejtje, egoizëm, natyrë që mbulohet nga lustra e shtresës së mesme e cila duket edhe ajo shumë e civilizuar.
Kështu jemi të gjithë?
Mendoj se po, me ndonjë përjashtim, si puna ime! (qesh)
Po, ju jeni më i keq!
Jo, nuk e mendoj këtë, por them se kam më pak lustër …
Natyra e vërtetë njerëzore nën lustër, prej kësaj frymëzohen gjithë filmat tuaj…
Po, shpesh. Edhe filmi im i parë, “Thika në ujë”, bazohet shumë te kjo dhe kam qenë i ri, 27 vjeç kur e kam bërë atë film…
Gjatë izolimit keni punuar në burg, në tavolinën ku të burgosurit grinin qepë!
Punoja për “Ghost Writer”. Kisha një kompjuter por nuk kisha të drejtë të lidhesha me internet. Më dërgonin DVD. Mbaja shënime të cilat ia kaloja avokatit, avokati policisë dhe policia ia kthente avokatit. Pastaj i dërgoheshin montazhierit tim. Ishte një proces tmerrësisht i ngadaltë. Na kishin vendosur në një sallë ku të burgosurit qëronin qepë për të fituar pak para.
Na keni treguar se prangat elektronike i preu djali juaj. Si ishte shija e lirisë?
Pak e çuditshme ditët e para. Është tjetër kënd, po të flisja me gjuhën e kineastëve. Edhe kjo ka pasojat e veta, në moshën time, pas një kohe kaq të gjatë.
Ju kam dëgjuar të thoni se te kinemaja ju pëlqen ajo radha e njerëzve që presin te hyrja!
Sigurisht, mund të bëjmë gjërat më të mrekullueshme, por nëse ato nuk kapen nga të tjerët, jeta bëhet tragjike. Van Gogh-u shiti vetëm një telajo, edhe atë të vëllait besoj që ia shiti. Ky piktor madhështor që është absolutisht piktori im i preferuar jetoi për ne, jo për veten. Unë nuk kam këtë ambicie, unë do kisha dashur ta ndaj me të tjerët vështrimin tim mbi botën.
Burgu i Roman Polanskit
Nga Milan Kundera
Nuk e kam takuar kurrë Roman Polanskin, i njoh veprën që ia kam pëlqyer prej filmave të parë, edhe ngaqë ajo që kam mësuar për jetën tij, përvoja e hershme e antisemitizmit të tij, emigrimet e tij, dhe prirjen e tij fisnike franko-polake, më është dukur një shembull evropian.
Edhe pa e njohur personalisht, në këta dhjetë muajt e fundit, nuk mendoj veçse për të. E përfytyroj të izoluar e të mbikëqyrur në një shtëpi në Zvicër ku përpiqet të punojë dhe e di mirë që nuk mundet. Njeri nën akuzë është gjithnjë i burgosur. Akuza i zien në kokë, e pengon të mendojë pikërisht për izolimin.
Nuk mund të them asnjë fjalë për anën ligjore të çështjes. Dua të them të kundërtën, që është arti evropian, letërsia e tij, teatri i tij që na ka mësuar ta shqyejmë perden e rregullave ligjore, fetare, ideologjike, e ta shikojmë jetën njerëzore në gjithë realitetin e saj konkret.
Besnik i kësaj kulture, unë refuzoj t’i mbyll sytë përballë këtij absurditeti ku ndodhet Polanski, i persekutuar për një veprim që ka ndodhur 34 vjet përpara, që është falur me kohë nga gjithë aktorët e dramës dhe procesi i stërzgjatur i të cilës nuk ka për t’i sjellë të mirë askujt, kurrkujt, njeriu.
Nëse Evropa është akoma Evropë, nëse akoma është trashëgimtare e kulturës se vetë, ajo nuk mund ta durojë në heshtje absurditetin e kësaj pantomime mizore që luhet në një shtëpi zvicerane.
Le Monde 07.05.10