Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Romani i aktorit, nga feminia ne pragun e teatrit

Publikuar me : 29.10.2011 Ne : Kulture - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Uk Lushi

“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, nxjerrë në qarkullim në qershor të këtij viti nga shtëpia botuese prishtinase “Koha”, është libri i parë i botuar i Bekim Fehmiut. Mirëpo, ndonëse autor i vetëm një libri të njohur për lexuesit, Bekim Fehmiu mund të thuhet se tashmë qëndron meritueshëm në shoqërinë e shkrimtarëve më të mirë shqiptarë.

“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” është historia fantastike e vogëlushit dhe të riut Bekim Fehmiu, i cili baravitet nëpër një fëmijëri të stuhishme dhe ndërsa bëhet gati të kapërcejë pragun për në botën e të rriturve gjen thirrjen e zemrës së tij – aktrimin.

Libri nis me 1936 në Sarajevë, që janë viti dhe vendlindja e autorit, kujtimet e para herake aty; vazhdon me zhvendosjen e familjes me 1939 në Shkodër, ku Fehmiu fillon të njohë botën dhe ku zbulon tërheqjen primordiale të dashurisë tek vogëlushja e quajtur Bukuroshe; me 1941 rrëfimi prej Shkodrës kalon në Prizren, ku autori së bashku me familjen sistemohen dhe jetojnë në shtëpi të ndryshme si qiraxhinj deri me 1955, kur edhe mbyllet libri, pasi autori sapo ka kaluar provën e pranimit në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

Ashtu si ngjyrat në pikturë apo notat në muzikë, në shkrimtari janë fjalët ato që, ndaras dhe në kombinim, krijojnë domethënie që shkon përtej të rëndomtës. Fehmiu, një lexues i pangopshëm i letërsisë, një aktor me rezultate kulminante në të katër anët e botës, por edhe një erudit i shumicës së arteve tjera — sidomos muzikës, e di mirë këtë, prandaj fjalori i përdorur i tij është një visar plot me terma dhe idioma magjepsëse të papërdorura në gjuhën shqipe. Ç’është e vërteta, ai është shpëtimtari i një duzine të fjalëve dhe shprehjeve shqipe – posaçërisht nga vitet para Luftës së Dytë Botërore – sepse po të mos ishin shkruar në librin e tij, kushedi, do të humbnin përgjithmonë.

Një veçori tjetër e librit është narracioni – një narracion me stil origjinal dhe që ka fytyrë njerëzore fillim e mbarim. Fehmiu përshkruan situatat dhe ngjarjet e jetës së tij sinqerisht dhe njerëzisht dhe duke bërë këtë ai e shndërron librin në një pasqyrë në të cilën lexuesit shohin vetveten. Ajo që vërehet menjëherë në tekst është shkrimi që i ngjason regjistrimit të një kamere filmike; mirëpo tisi misterioz i bukurisë së librit nuk rrjedh nga mënyra incizuese e narracionit. Përkundrazi, Fehmiu dokumentimet fotografike — sidomos të karaktereve që hyjnë e dalin në jetën e tij — i shfrytëzon si një mjet mbështetës apo si një vitrinë ku vendosen deri detajet më të imta, ashtu që lexuesi apo lexuesja të kenë krejt kushtet për të vlerësuar dhe përjetuar autenticitetin e rrëfimit pa u ndikuar nga ndjenjat e autorit.

Pra, misteri i bukur i romanit biografik të Fehmiut zë fill dhe rrezatohet nga neutraliteti i rrëfimit. Bekim Fehmiu, si personazh dhe si autor, është i vetëdijshëm që në jetë asnjëherë nuk ka një të vërtetë absolute singulare, por gjithherë një lëmsh të të vërtetave, të cilat shpeshherë janë kontradiktore. Ambiguiteti është i pranishëm edhe kur realitetet mund të duken krejt bardh e zi. Së këndejmi, si një maestro i vërtetë i shkrimit, ai përqendrohet në përshkrime dhe gjuhë, gjegjësisht në fuqinë shprehëse që ato i japin një shkrimtari dhe artisti. Rrëfimtari Fehmiu dëshmon, por nuk gjykon – as kur jeta e keqtrajton apo i shkakton dhimbje siç është burgosja e padrejtë apo humbja e babait të tij Ibrahim Fehmiu — mësues, patriot dhe njeri që vendos shërbimin për të tjerët mbi veten.

Prej fillimit të kujtimeve të hershme e deri kur uni i tij fillon të marrë formë, ndërkaq që e ka vendosur të ndjekë udhën e artit, Fehmiu asnjëherë nuk krekoset apo protagonizohet. Truri i tij kurioz absorbon dhe imagjinon pandalur, ndonëse bota përreth, shpeshherë, mundohet të imponojë klishetë dhe gjoja realitetet e ngurta konvencionale si vlera universale të jetës. Fëmija çapkën është si një engjëll me krahë që nuk ja vëren askush, por për të cilat as ai nuk do të bezdisë askënd, sepse djali i vogël beson që shumica e njerëzve janë si ai – engjëj me krahë lara-lara. Shkrimtari Fehmiu nuk ngurron të tregojë për plot episode kur vepronte gabimisht; për udhëtimet dhe dashuriçkat djaloshare; për djallëzitë dhe mistrecllëqet rinore; pastaj tensionet etnike mes serbëve dhe shqiptarëve; porse ai kallzon çiltërsisht edhe për besnikërinë, miqësinë dhe përkrahjen e ndërsjellë të dhjetëra shokëve që bën gjatë viteve, siç kallzon edhe për momentet e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit njerëzor mes serbëve, shqiptarëve dhe etnive tjera. Në librin e tij janë të dyja – edhe veprimet e gabuara edhe veprimet e mira – ato që ja trasojnë rrugën për sukses në jetë, i cili, nëse punohet vazhdimisht dhe pa hile, detyrimisht, herët a vonë, do të vijë.

Bekim Fehmiu është autori dhe personazhi kryesor i romanit biografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, mirëpo çdo njeri që do të lexojë librin që në fillim do të shquajë që familja e Fehmiut do të jetë në të njëjtin piedestal me protagonistin gjatë tërë kohës. Është ky një fakt i rëndësishëm të theksohet, sepse familja që prej se ekziston njerëzimi është qeliza bazë e krijimit të një individi dhe shoqërie të shëndoshë, produktive dhe humaniste. Një relacion i tillë njerëzor pa mëdyshje duhet të ketë kontribuar në formimin e Bekim Fehmiut si njeri, aktor dhe shkrimtar i dimensioneve të jashtëzakonshme.

Libri i parë i Bekim Fehmiut është një libër që drithëron, habit dhe çon në mendime. Ai është testament që jeta fluturake ikën më shpejt se përvojat jetësore.

Nobelisti Gabriel Garcia Marquez në parahyrjen e librit të parë për jetën e tij, “Vivir para contarla”, shkruan: “Jeta nuk është ajo çfarë përjetojmë, por ajo çfarë kujtojmë dhe si i rrëfejmë ato kujtime”.

Jeta e përshkruar në librin “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” janë kujtimet e rrëfyera prej Bekim Fehmiut dhe mund të thuhet pa asnjë drojë që rrëfimi i tyre nuk është vetëm i shkëlqyeshëm — por tmerrësisht i shkëlqyeshëm.

Një libër i bukur është shumë më shumë se një pije e mirë, se një gjellë e shijshme, se një palë rroba të modës së fundit, se një pushim ekzotik, se një përvojë intensive kalimtare. Leximi i një libri tmerrësisht të shkëlqyeshëm është dhurata më e çmueshme që mund t’i jepet vetvetes apo si peshqesh dikujt të dashur. Një libër i mirë i lexuar mbetet me ty përgjithmonë. Një libër i tillë i jashtëzakonshëm që të jep përjetime të mrekullueshme është “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” nga Bekim Fehmiu. Mos e lini pa e lexuar, veç mos mujshi kurrqysh!

 

Të dhëna për librin

Libri: E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme

Autor: Bekim Fehmiu

Gjinia: roman biografik

Botues: Koha, Prishtinë

Viti i botimit: 2011

ISBN 978-9951-417-52-8

 

 

Kush është

Bekim Fehmiu i cili u vetëvra në moshën 74-vjeçare, ishte i pari aktor nga Lindja Evropiane që interpretoi në prodhimet hollivudiane gjatë Luftës së Ftohtë. Ai shkëlqeu gjithashtu edhe në anën e vet të Perdes së Hekurt, në të cilën do të nderohej më vonë si një nga figurat e pakta që i rezistoi nacionalizmit që i pararendën luftërat etnike të nëntëdhjetës në Ballkan. Ai shkëlqeu në mbledhësi i puplave, 1967 që fitoi dy çmime në Kanë dhe u nominua për Oscar. Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shoë, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. I martuar me aktoren Branka Petric, ishte nga ata njerëz që nuk e braktisi në asnjë moment Beogradin ku lëvroi teatrin, pasionin e tij natyral.

Hiri i trupit të tij u hodh në Lumbardh të Prizrenit në qershor 2010.

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit