Publikuar me : 30.11.2011 Ne :
Sport - 29 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
Kristiano Ronaldo mori çmimin e së përditshmes madrilene, “AS 2011” për 40 golat e shënuar në sezonin e kaluar në “La Liga”. Këtë vit portugezi e ka nisur akoma më fort, duke shënuar 16 herë në 13 ndeshje dhe natyrshëm që në intervistën tradicionale të gazetës pranë Realit, pyetja e parë ishte nëse e ndien veten në kulmin e karrierës.
“Nëse jam në momentin më të mirë të karrierrës? Ndoshta, por sezoni është ende i gjatë. Mendoj se po përjetoj një moment të mirë dhe dua të vazhdoj kështu. Skuadra është mirë dhe duhet t’u japim vazhdimësi rezultateve tona deri në përfundim të sezonit. Nëse mund të bëj më mirë? Unë nuk i vë vetes objektiva të tjerë përveç atij për t’u argëtuar në fushë duke ndihmuar skuadrën, duke filluar nga golat”, tha Kristiano Ronaldo.
Gjithsesi, portugezi nuk e fsheh se goli që ndien më shumë është ai që në sezonin e kaluar vlejti sa Kupa e Mbretit në finalen me Barcelonën. “Ishte një moment unik i karrierrës sime këtu nëMadrid”.
Reali po përgatitet për sfidën e 10 dhjetorit me Barcelonën me gjashtë pikë avantazh ndaj tyre. Por Ronaldo frenon: “Është ende herët për të thënë se e kemi fituar “La Ligën”. Ne po bëjmë kampionatin tonë, po luajmë mirë dhe jemi të parët, por mungojnë ende shumë ndeshje. Nuk po mendojmë se do të fitojmë, por kemi besim dhe duam të vazhdojmë kështu. Në futboll vlen vetëm fitorja dhe unë dua ta bëj këtë me Realin e Madridit, si në nivelin individual, ashtu edhe me grupin. Nuk do të lodhem kurrë së fituari”, u shpreh Kristiano. Ai ka sigluar 82 gola në 76 ndeshje në dy sezone të La Ligas, dhe 106 gola në 108 ndeshje të luajtura në total me fanellën e bardhë