Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Sport - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
Odise Roshi vazhdon ta befasojë stafin teknik të Këlnit me të dhënat e tij fizike. 20-vjeçari i kombëtares shqiptare ka rënë sërish në sy gjatë zhvillimit të testeve fizike, duke arritur rezultatet më të larta krahasuar me futbollistët e tjerë të skuadrës së Bundesligës.
Roshi tegon se shpejtësia është dhuntia më e madhe që ka. Në Shqipëri ka arritur t’i përshkojë 30 metrat për 3.7 sekonda, ndërsa 100-metërshin e ka bërë për 10.9 sekonda.
Tilman Bokhorst, përgatitësi atletik i Këlnit, siguroi që rezultatet në sprint të talentit shqiptar do të ishin ndër më të mirat tek atletët e rinj në Gjermani. Ai shtoi se me këto shifra Roshi do të ishte në majat e sprintierëve të rinj gjermanë.
Por qëllimi i tij nuk është të shkëlqejë në testet fizike. Odise Roshi po lufton fort për të zënë vendin e titullarit. Kjo pritet të ndodhë ndaj Shalkes, sot në orën 18:30. Talenti shqiptar thotë se mundësitë për të qenë titullar i ka 50-50, por ai po punon shumë për të qenë në fushë qysh nga minuta e parë. Ndërsa trajneri norvegjez, Solbaken, tregon se gjatë seancave stërvitore asnjë futbollist i skuadrës tij nuk dëshiron të përballet me Roshin. “Në stërvitje shfaqet me tërë agresivitetin e tij dhe askush nuk dëshiron të përballet me të. Kjo e ndihmon shumë edhe në ndeshjet zyrtare.”
Oside Roshi është futbollisti i parë kuqezi që do të vëzhgohet nga stafi italian i kombëtares. Ndihmësi i De Biazit, Tramexani, pritet të jetë i pranishëm në stadium në takimin Këln-Shalke, për ta parë në fushë talentin shqiptar.