Publikuar me : 07.07.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 190 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Pensionistët e fshatit dhe të qytetit do të marrin rreth 500 deri 900 lekë më shumë pension që nga Korriku i këtij viti. Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikoi dje masën e rritjes për çdo pensionist në të gjithë vendin si dhe grupet të cilat përfitojnë nga vendimi. Rritja për pensionet e fshatit do të jetë në masën e 7 për qind, kurse për pensionet e qytetit është 4 për qind. Individët që përfitojnë nga kjo rritje janë ata që marrin aktualisht pensione të pjesshme dhe të parakohshëm pleqëri, pensione të plotë, të pjesshëm dhe të reduktuar të invaliditetit, pagesë për sigurimin nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, pension familjar, pension për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi; pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pension suplementar pleqërie, pension suplementar invaliditeti, pension suplementar të invaliditeti të ushtarakëve që, për shkak të detyrës, bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare, pensioneve suplementare familjare të ushtarakëve që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, etj.
Nga vendimi përfitojnë rreth 570 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Duke qenë se vendimi ka hyrë dje në fuqi dhe pensionet janë tërhequr gjatë ditëve të para të Korrikut, ISSH do t’u shpërndajë pensionistëve shtesë gjatë ditëve në vijim, sipas datës së marrjes së pensionit. Kush ka marrë pensionin më datë 1 Korrik do ta tërheqë diferencën më datë 11, ata që e kanë marrë pensionin më datë 2, diferencën e marrin më datë 12 , e kështu me radhë deri më datë 15 Korrik.
500
Lekë është rritja që përfitojnë pensionistët e fshatit nga vendimi i qeverisë për të rritjen e pensioneve duke filluar nga Korriku i këtij viti
Evelina Koldashi, drejtore e ISSH-së
Dëshiroj të theksoj se, edhe pas kësaj rritjeje çdo pensionist, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë kompensim të të ardhurave të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave: 350 lekë për energjinë elektrike, 150 lekë për rritjen e çmimit të bukës, gazit dhe vajgurit, 1 260 lekë lekë për kompensimin e të ardhurave mujore, 390 lekë për rritjen e pensioneve.
Loja me rritjen pensioneve
Inflacioni
Heqja e kompensimit të energjisë elektrike
Ku do të gjenden paratë për rritjen e pensioneve?
Qeveria vendosi të rriste pagat dhe pensionet në masën 4-6 për qind për periudhën që vjen. Deklarata dhe vendimi u mor nga kryeministri Sali Berisha në një moment që pranohet kriza ekonomike dhe një javë pas largimit të misionit të FMN-së. Këshillat ishin ulja e shpenzimeve, mosrritja e pagave dhe pensioneve dhe rritja e taksave.
Por kryeministri Sali Berisha vendosi të bënte tre gjëra të kundërta duke i sfiduar të gjithë. Agjencia jonë e lajmeve ka zbuluar mashtrimin e madh të kryeministrit, i cili si gjithnjë është i papërgjegjshëm dhe nuk i mban asnjëherë premtimet e tij. Për të kuptuar këtë mjafton të mbështetemi edhe në deklaratën e ministrit të Financave, Ridvan Bodet, me të cilin Berisha ka pasur debate të ashpra pas largimit të FMN-së dhe rrezikon karrigen e ministrit. Bode tha se do të ulë shpenzimet prej 18 miliardë lekësh. Por si do arrihet kjo kur kryeministri tha të kundërtën.
Mashtrimi i parë është me pensionet e të moshuarve
Berisha tha se do i rrisë deri në 4 për qind. Çfarë ndodh, 4 për qind e një pensioni në qytet nuk shkon më shumë se 4 mijë lekë, kurse ai i fshatit edhe më pak. Mirëpo qeveria ka përfshirë një klauzolë kurth brenda kësaj kategorie. Nëse pensionistët do përfitojnë rritje 4 për qind, do u hiqet kompensimi i energjisë elektrike që përfitonin deri më sot. Dihet se kompensimi i energjisë për këto shtresa shkon në 5 mijë lekë. Llogarisni sa pensionistë ka vendi dhe hiquni nga shpenzimet e tyre 1-2 mijë lekë në muaj për të kuptuar rritjen reale të tyre. Nëse kanë marrë 100 mijë, tani do të marrin 99 mijë lekë në muaj.
Mashtrimi me rrogat
Një tjetër lëvizje surprizë, por e fshehtë dhe me pasoja të mëdha në papunësi. Referuar sërish deklaratës së Bodes dhënë dje, nuk ka mundësi që 18 miliardë lekë të realizohen vetëm nga uljet e shpenzimeve në zëra operativë. Ministri vetë nuk shpjegoi as nga do gjenden paratë e rritjes se rrogave e pensioneve, as edhe si do ulen shpenzimet. Atëherë një tjetër mashtrim janë rrogat. Dihet se në arsim mësuesit i bie të përfitojnë deri në 6 për qind rritje rroge. Mirëpo nëse një mësues paguhet 350 deri në 400 mijë lekë, me rritje 18-24 mijë lekë, këtu mbahen edhe taksimet që shkojnë deri 5-10 mijë lekë dhe rritja reale mbetet 13-14 mijë lekë. Por nëse kësaj kategorie u rritet paga, një tjetre i shkurtohet vendi i punës. Çdo drejtori Arsimore në qarqe ka përgatitur lista surprizë për shkurtime vendesh pune në sezonin që nis në shtator.
Çdo qark parashikon deri në 100 shkurtime. Qarqet e vogla nuk bien nën 70 shkurtime. Mesatarisht llogariten mbi 1 mijë arsimtarë që u fluturojnë vendet e punës dhe renditen tek shtresat e të varfërve. Po tu zbresësh rrogat e tyre si më sipër, arrin në përfundimin që me këto shkurtime, jo vetëm kompenson rritjen e pagave të deklaruara nga kryeministri, por mbeten më para që konsiderohen ulje shpenzimesh. Por nga ana tjetër është rritur papunësia dhe niveli i varfërisë. Lëvizjet e kryeministrit janë “Kali i Trojës” për të cilat nuk dihet përse hesht Partia Socialiste. Një tjetër fat do të jenë shkurtimet e vendeve në administratë. Edhe kjo kategori pritet të përfitojë një rritje pagash, mirëpo shkurtimet do të jenë drastike në ministri, drejtori, institucione dhe pritet që ushtria e të papunëve buxhetorë, këtu do hyjnë dhe bluzat e bardha, të jetë me të paktën 5 mijë të papunë.
Po për të vërtetuar këto lista do duhet të presim deri në muajin shtator, kur bilanci do të jetë dhe më i qartë. Më sipër analizuam vetëm dy kategori që janë dhe më të prekshmet si shtresa në vendin tonë, për të zbuluar se sa është rritja reale e pagave, çfarë fshihet pas tyre, si do realizohen shpenzimet e qeverisë në të vërtetë dhe si do plotësohen kushtet e FMN-së e duke ua hedhur shqiptarëve sy për sy nga një qeveri që të njëjtën gjë bëri dhe me piramidat në 1996. Berisha u tha shqiptarëve se paratë e tyre ishin më të sigurtat dhe të pastrat në botë, mirëpo ua mori më 1997 të gjitha pa dhënë asnjë llogari. Sigurisht që edhe tani nuk i jep llogari askujt me këtë lëvizje.
E. Senja