Publikuar me : 05.01.2012 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 76 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Emirjon Senja
Publikimi më i fundit i Instat mbi rritjen e Prodhimi të Brendshëm Bruto gjatë tre mujorit të dytë të vitit 2011, edhe pse tepër i vonuar, ka nxjerrë në pah një çështje tepër të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, e cila lidhet direkt me buxhetin e këtij viti. Qeveria e ka programuar buxhetin 2012 mbi një rritje ekonomike vjetore 3.9 për qind gjatë 2011, kjo ishte shifra e fundit e konfirmuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode.
E thenë ndryshe, qeveria kishte parashikuar një Prodhim të Brendshëm Bruto rreth 13.3 miliardë dollarë për vitin 2011 dhe bazuar mbi këtë shifër ka projektuar realizimin e një PBB-je prej 13.8 miliardë dollarë për vitin 2012. Në mënyrë që të realizohet kjo e dyta, duhet realizuar rritja ekonomike e parashikuar për 2011, e cila më pas lejon rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 13.8 miliardë dollarë gjatë këtij viti. Por sa gjasa ka kjo të ndodhë?
Kur qeveria nuk kishte nisur ende zbatimin e buxhetit të ri 2012, Instat publikoi se rritja ekonomike e vendit për tre mujorin e dytë 2012 ishte vetëm 0.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ekonomia shqiptare kishte pësuar një rënie me 1.7 për qind krahasuar me tre mujorin e parë të vitit 2011, një sinjal tepër i fortë ky për ecurinë e pritshme të periudhave pasardhëse.
Pas rritjes minimale gjatë tre mujorit të dytë 2011, ekonomia shqiptare duhet të marrë një hov të fuqishëm për të kompensuar ecurinë e keqe gjatë muajve të fillimit në mënyrë që viti të mbyllet sipas parashikimeve të qeverisë, e cila do të shpëtonte më pas edhe buxhetin 2012. Gjasat që Instat të na lajmërojë për një rritje ekonomike surprizë gjatë gjysmës së dytë të 2011-s janë të pakta.
Qeveria shkurtoi ndjeshëm shpenzimet publike gjatë kësaj periudhe, kurse konsumi ra edhe më tepër duke bërë BSH-në të apelojë për më shumë besim tek ekonomia. Në kushte kur do t’i mungojnë të ardhurat në buxhet, qeveria duket se do të ndërmarrë shkurtime të mëtejshme në Qershor të këtij viti. Ndryshimet në buxhet janë lajmëruar më parë edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode, gjë e cila konfirmohet edhe nga treguesit mbi rritjen ekonomike të publikuar nga Instat.
Degët që patën rritje më të madhe gjatë tre mujorit të dytë 2011 ishin transporti, shërbimet dhe telekomunikacioni. Nga ana tjetër, degët që kanë qenë deri më tani lokomotiva e zhvillimit të vendit si ndërtimi përshembull pësuan një rënie të ndjeshme. Ky i fundit u tkurr edhe me 7 për qind gjatë tre mujorit të dytë, industria pësoi një rënie 13.4 për qind, kurse tregtia ra me 0.1 për qind.