Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Rruga e Kasemit

Publikuar me : 11.08.2011 Ne : Kulture - 126 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli


Në foto: Kasëm Trebeshina


Nga Ardian Klosi

Si sot 85 vjet më parë lindi në Berat Kasëm Trebeshina. Nuk është kujtuar me sa duket për këtë jubile asnjë gazetë e asnjë stacion radioteleviziv shqiptar, edhe vetë u kujtova disi rastësisht: ngaqë pak kohë më parë Kasëmi më ka dhënë të lexoj në shkrim dore tijin dramën “8 gusht 1926”. Më erdhi ndër mend pastaj ai kapitull nga vepra autobiografike “Dafinat e thara” (1988) ku tregon ardhjen e tij në jetë; po botojmë një fragment të shkurtër prej tij, nga një libër që deri tani është botuar vetëm në italisht (!).

Kasëmi nuk i do jubiletë, madje nuk do që ta përmendin fare në publik. 5 vjet më parë, në 80-vjetor, kur u mblodhën qindra admirues të jetës dhe veprës së tij në Muzeun Kombëtar, Kasëmi nuk erdhi. Jo pse nuk vlerësonte njerëzit e mbledhur aty, por nuk vlerëson sinqeritetin e gjesteve publike në këtë vend. Nuk është për t’u çuditur, kur mendon se vendi në 85 vjetët e jetës së tij i ka dhuruar shumë më tepër helme, burgje, sulme e shpifje sesa gëzime. Gëzimet kanë qenë ndoshta të rrethit të ngushtë, familjes: një grua vetëmohuese në krah, Zydijen, që ia ka lehtësuar sadopak, pa i munguar asnjëherë, rrugën e vuajtjeve dhe privimeve; një vajzë e një djalë, të thjeshtë, të sinqertë e pa shumë fat në jetë si dhe prindët, nipër e mbesa që kanë sot pa dyshim një jetë shumë më të mirë e më të qetë seç e pati gjyshi.

Këto për gëzimet e jashtme. Mirëpo ka qenë gjithmonë një tjetër gëzim i madh, që nuk i ka munguar asnjëherë prej rinisë së parë: gëzimi i krijimit. Zor se ka patur në jetë ndonjë ditë Kasëm Trebeshina prej se kuptoi dhuntinë e tij krijuese, që mos jetë ulur të shkruante diçka nga ato që zienin në fantazinë e tij, apo nga ato që realiteti i linte për të kthjelluar kur përplasej pas një personaliteti të fortë si i tiji. E kështu kanë lindur me dhjetëra romane, tregime e novela, kushdi sa drama, ese, me mijëra vargje. Jo për t’i botuar, sepse nuk ka qenë botimi synimi i prurjes krijuese. Qysh herët Kasëmi u mësua me të vërtetën që veprat e tij pushteti nuk i donte. Qysh herët e rrethuan në Lidhjen e Shkrimtarëve ziliqarët dhe paditësit. Kryesorja: Kasëmin nuk e donin njerëzit me të cilët luftoi si komunist, si njëri nga komandantët më të rinj e më trima të bataljoneve partizane, nuk e donte udhëheqja e ngushtë që përcaktonte tani fatin e çdo individi shqiptar: Shumë herët e përjashtuan nga partia, në moshën 27-vjeçare e arrestuan, pas Promemorjes që i shkroi Enver Hoxhës, ku regjimit të tij absolutist i bën paralele të qarta me absolutizmin e Luigjit XIV:

„Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty punët ishin ndarë në mënyrën më të qartë. Mbretërit dhe Princat e kishin siguruar pjesëmarrjen e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve… Tashti, a mund të pranohet si e drejtë në gjë e tillë të zbatohet në shekullin e njëzetë dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?“

E kam takuar rastësisht para 9 ose 10 vjetësh dhe e pyeta nëse kishte botuar ndonjë gjë së voni. “Eh, botimet tani janë si pazari i pasdites, më tha, e ç’vlerë kanë gjërat në pazarin e pasdites?”

Në rininë krijuese, me përjashtim të libërthit “Artani dhe Minja” nuk i botuan asgjë. Dhe rini krijuese quaj për shkrimtarin edhe tridhjetat, edhe dyzetat, ndoshta edhe pesëdhjetat.

Kur ra regjimi komunist, Kasëmi s’kishte as dy vjet që kishte dalë nga burgu i tretë. Kishte arritur moshën 64-vjeçare. Prapa tij një jetë me të cilën mund të krenohej, ndërkohë që ish- kolegët shkrimtarë të Lidhjes mundoheshin të përligjnin përthyerjet, konformizmin, servilizmat, denoncimet. Ishim të gjithë në një burg të madh, ishte sistemi, nuk dilnim dot jashtë tij etj.. Kurse Kasëmi e kishte paguar me lirinë e humbur krenarinë e tij, ndershmërinë ndaj vetes dhe krijimit. Prapa asnjë vepër e botuar; përpara, në dhomën e vogël të punës, me dhjetëra dorëshkrime, të daktilografuara e të qepura me dorë në kushdi sa mijëra orë vetmie. Në vitet që do të vinin aty-këtu ndonjë botim, pa rregull, pa një botues të përkushtuar. Me lloj-lloj goditjesh në publik, ku çfarë s’e kanë bërë: terrorist gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, themelues të Sigurimit të Shtetit pas lufte, vrasës, falsifikator. Makina e baltës punoi posaçërisht fort me rastin e tij. Përpara 1990s i sëmurë psiqik, pas 1990s kryekomunist, kryesigurimës etj.. Sepse nuk qe thyer asnjëherë. Sepse nuk i ngjante shumicës së shkrimtarëve nën socializëm. E sidomos sepse u tregoi gjithë njohësve të letërsisë, sapo që u botuan “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalseni”, “Rruga e Golgotës” e një numër veprash të tjera, çfarë kalibri kishte si shkrimtar.

Në do ta fyesh Kasëmin, quaje shkrimtar disident. Përfaqësues i letërsisë disidente. Ç’është kjo letërsia disidente? më pyet dhe ndalon një çast. Letërsia ose është ose s’është letërsi.

Kasëmi ka një trishtim të thellë në gjithë qenien, sikurse e ka edhe në veprën e tij. Nuk është zymtia e fatit të tij personal por shumë më tepër. Sheh rrugët qorre ku ka hyrë ky vend sa herë, ku ndodhet dhe sot dhe dëshpërohet. Sheh goditjet e vazhdueshme që u janë dhënë elitave dhe dëshpërohet. Sheh urrejtjen mes njerëzve, lakminë e babëzinë e individëve dhe brengoset. Në shëtitje të gjata kur më mban përherë në krah të djathtë, ngaqë syri i majtë i është verbuar, ndalon atëherë kur tregon me gjeste (p.sh. çfarë tha Napoleoni në Ejlau), ose kur vjen në përfundime që ndoshta deri aty i ka thënë pa zë: Ka keq e më keq dhe ne duhet të zgjedhim të keqen më të vogël. Ose: Mos u habit që, po vazhduan kështu njerëzit, në të ardhmen do tregtojnë organe siç tregtojnë sot naftë në pikat e karburantit.

Pastaj i gërmoj nga kujtesa e tij e jashtëzakonshme. Episodet t’i tregon me datën dhe me orën e saktë. Librat tanë të historisë së re duhet t’i hedh në Lanë. E çuditshme se si kanë shpikur e shpifur kundër këtij njeriu, them. Sepse më përpara do duhej t’i atrofizonin kujtesën. Le që tanimë është vonë se të gjitha i ka shkruar.

Po botojmë vetëm një fragment që ka të bëjë me 8 gushtin 1926.

 

 

Kasëm Trebeshina

Ardhja ime në jetë

 

(Nga „Dafinat e thara“, kapitulli i dytë)

Në mbrëmjen e 8 gushtit 1926, në shtëpinë e familjes Vinokashi, që ishte në qendër të lagjes “Murad Çelebi” në qytetin e Beratit, ishte ngritur një rrëmujë e madhe. Gratë ngjiteshin e zbrisnin, këtu dhe atje, nga kati i parë në të dytin, nga sallat në dhomat dhe ktheheshin prapë, ndërsa në dhomën e gjumit të të zot të shtëpisë, Hysen Vinokashit, kishte hyrë xhiko Zyba, mamia empirike e Lagjes.

Gruaja e Hysen beut, Hatixheja, në lindjen e fëmijëve kalonte vështirësi dhe rreziqe, prandaj nëna e saj, Rabihana, bashkë me të gjitha gratë e fisit ishin duke pritur me ankth që të lirohej gruaja e dashur e tyre nga ai fëmija që pritej të vinte në jetë. Kështu ishin punët dhe ato shkonin poshtë e lart, këtu dhe atje, sepse nuk dinin ç’të bënin. Vetëm motra më e re e Hatixhesë, tezja e fëmijës që dukej se do të vinte, nuk e humbi gjakftohtësinë dhe qëndronte e rëndë dhe e ftohtë si një sfinks. Ajo ishte një grua gjakftohtë dhe nuk turbullohej kurrë.

Dita ishte në të mbaruar… Asgjë nuk dukej qartë në muzg dhe gratë e familjes Vinokashi prisnin me ankth mbarimin e vuajtjeve të vajzës së tyre, të motrës dhe të kushërirës së tyre, kur përnjëherësh u dëgjua një thirrje bebeje dhe zëri i mamisë empirike:

- Djalë!

Gratë u sulën atje ku u dëgjua qarja e çuditshme e jetës, ndërsa nëna e gruas që porsa kishte lindur atë fëmijë urdhëroi vajzën e saj të dytë:

- Dërgo Ismailin për t’i dhënë mushtullukun babait të fëmijës!

Ismaili ishte shërbëtori i kalit të racës që mbante i zoti i shtëpisë. Sa e urdhëruan, ai shaloi kalin me nxitim dhe, duke e mbajtur për freri, u nis për në kafenenë ku e kishte zakon të kalonte kohën zotnia e tij. Në të vërtetë zotnia po kthente atje disa gota me miqtë e tij, parinë e qytetit. Kur ai pa tek hyrja e kafenesë shërbëtorin e tij, kërkoi leje, u ngrit nga vendi… Se shërbëtori kishte ardhur para kohës së caktuar!… E kuptoi se kishte ndodhur diçka. Sa u afrua zotnia tek dera e kafenesë, shërbëtori tha:

- Zonja bëri djalë!

Zotnia, i kënaqur tej masës, nxori një napolon flori dhe ia dha shërbëtorit siç ishte zakon në Shqipëri në raste të tilla.

- Prit këtu! – i tha zotnia shërbëtorit dhe u kthye në vendin e tij, ku i gostiti të gjithë. Pastaj doli, i hipi kalit dhe, duke e ngarë me të katra, arriti në shtëpi.

Atje ishin ndezur gjithë llambat dhe farë e fisi i familjes Vinokashi ishin grumbulluar në sallonin e katit të parë.

Zotnia i përshëndeti gjithë njerëzit që ishin aty me fjalë të përgjithshme dhe u ngjit lart që të shikonte fëmijën. Ishte në atë kohë dyzetë e tre vjeç.

Fëmija ishte shumë i vogël, pa ndonjë shenjë të jashtëzakonshme që të tregonte të ardhmen e tij, por një dritë e çuditshme ndriçoi fytyrën e t’et. Babai e mori fëmijën në dorë me një dashuri shumë të madhe dhe me një respekt të pashpjegueshëm fetar… Pastaj zbriti poshtë dhe filloi një darkë e madhe.

Në këtë mënyrë dhe me ceremonialin që tregova më sipër unë erdha në jetë dhe ata ma vunë emrin Kasëm Vinokashi, siç quhej gjyshi i im. Vetëm në vitin 1938 ne qemë të detyruar që ta ndërrojmë mbiemrin tonë në “Trebeshina”, se Drejtori i Shkollës Normale të Elbasanit refuzonte të na regjistronte me mbiemrin e një fshati

Si qëlloi që unë u linda në shtëpinë e nënës time në Berat dhe jo në atë të babait tim atje lart në Malësi?!…

Kjo është një histori e gjatë, por shkurtimisht… Ndofta qe pasojë e origjinës turke të familjes sime!…

Të parët e mi, Durasi dhe djali i tij Bali, ishin turq nga Saruhani dhe, të përzier në luftërat civile të epokës së Bajazit Jillderëmit dhe të Mehmetit të Parë, u internuan në Shqipëri më 1417 dhe u vendosën në Vinokash të Kazasë së Përmetit. Atje ata u aklimatizuan me jetën shqiptare dhe, për pesëqind vjet u ndryshuan në mënyrë të atillë, sa që asnjë nuk mund t’i dallonte më nga shqiptarët e tjerë. Duket rreth njëzetë e tre vajza shqiptare që ishin radhitur në më shumë se pesëqind vjet e kishin kryer plotësisht transfuzionin e gjakut.

Babai i im, një burrë shumë i pashëm, pak aventurier, mori pjesë në një lëvizje anti-turke në fillim të shekullit dhe qe i detyruar të shkonte më 1907 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndroi gjer në Janar të vitit 1920. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri ndodhën ngjarje shumë të mëdha, por më e rëndësishmja për familjen tonë qe shpallja e Luftës Ballkanike më 1912. Familja e jonë e la fshatin e lindjes dhe shkoi në Berat, ku qëndroi për një kohë të gjatë, se forcat greke, që kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut, e morën fshatin tonë dhe e vetmja shtëpi që ata dogjën ishte ajo e gjyshit tim, pasi ai me armë në dorë kishte luftuar kundër Armatës Greke të pushtimit.

Gjyshi im, me tokat që kish, ishte mjaft i pasur dhe mbante me shpenzimet e tija edhe dy familje të tjera të fisit tonë, të shpërngulura nga fshati i pushtuar Frashër i Dangëllisë. Kjo gjendje vazhdoi për rreth tetë vjet. Pikërisht në këtë kohë, disa kushërinj tanë, të hurit dhe të litarit, i propozuan gjyshit se për ne ishte më mirë që të shpërnguleshim përfundimisht nga fshati i lindjes dhe të vendoseshim në fushën e Myzeqesë. Për këtë qëllim, fillimisht në interes të tyre, ata kishin vrarë burrin e parë të nënës time, me të cilin ajo kishte pasur një djalë që i kishte vdekur në lindje dhe pastaj, më 1919, ata e fejuan babanë tim me nënën time. Gjyshi e informoi menjëherë të birin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e urdhëroi të kthehej pa humbur kohë në Shqipëri. Babai im u nis nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Janar të 1920-ës dhe, pasi kaloi në disa porte të Europës që nga Doveri dhe gjer në Napoli, arriti në Shqipëri më 17 shkurt 1920 dhe tri ditë më vonë, më 20 shkurt, u martua me nënën time. Është një gjë e çuditshme për rrethanat në të cilat ata u martuan, por ata qenë të lumtur me njëri-tjetrin. Babai im ishte tridhjetë e shtatë vjeç, kurse nëna ishte njëzetë e tetë. Më 1 janar 1921 lindi vëllai i im i madh. Më 8 gusht 1926 erdha unë në jetë… Dhe mbaj mënd që në dimrin e 1931-së nëna ishte duke vdekur, por mjekët më në fund ia shpëtuan jetën, duke sakrifikuar vëllanë tim të tretë, të cilin e nxorën të vdekur me operacion. Nëna nuk lindte më fëmijë!

O Zot!… U nxitova shumë duke treguar dhe më duhet të kthehem prapë tek martesa e prindërve të mi…

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit