Publikuar me : 11.10.2011 Ne :
Politike - 88 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka kritikuar ashpër dje deputetët socialistë për mungesat e tyre të shumta gjatë seancave plenare të Parlamentit, por edhe në komisione. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit të PS-së, Ruçi ka shprehur shqetësimin për atë që po ndodh me deputetët që ai drejton në parlament. Sipas burimeve brenda mbledhjes, Ruçi ka vënë në dukje mungesën e një numri të madh deputetësh gjatë diskutimeve që zhvillohen. Sipas tij, shumica e komisioneve parlamentare kanë mungesa në Kuvend. Ai theksoi domosdoshmërinë e pranisë së të gjithë deputetëve pavarësisht diskutimit që bëhet.
Kritikat e Ruçit janë mbështetur në mbledhje edhe nga kryetari i partisë, Edi Rama. Ai ka kërkuar marrjen e masave që këto situata të mos përsëriten më. “Vetëm një ditë në javë ju kërkohet që të rrini në Parlament dhe ju atë ditë nuk rrini. Kjo është një detyrë që duhet të plotësohet nga të gjithë ju”,- i ka thënë Rama deputetëve.
Në këto kushte, kryesocialisti ka ngarkuar sekretarin e grupit dhe krerët e komisioneve që të bashkëpunojnë midis tyre dhe të arrijnë sëbashku mundësimin e shumicës së deputetëve në sallë përgjatë gjithë pikave të rendit të ditës. Këta do të mbajnë edhe listë-prezencën e deputetëve duke shënuar arsyet e mungesave.
Mungesa e deputetëve gjatë seancave plenare të Parlamentit dhe në punën e komisioneve vihet re jo vetëm në grupin socialist, por edhe në atë demokrat. Kjo pasi, të zgjedhurit vendorë gjatë kohës që zhvillohen diskutimet largohen për kafe apo për të ngrënë drekë dhe paraqiten vetëm në momentin e votimit. Përjashtim në këtë rast bëjnë deputetët që duhet të qëndrojnë për shkak se kanë për të mbajtur fjalim.
Por ndryshe nga socialistët, demokratët i kanë të kufizuara mungesat vetëm gjatë punës së komisioneve, ku shpesh herë paraqiten vetëm në fund sa për të shënuar emrin. Kur vjen fjala për në seancat plenare, grupi i deputetëve të PD-së është më i organizuar dhe shumë pak herë ka pasur më pak se 71 të pranishëm në seancë. Nga ana e saj, opozita ka një mesatare prej 53-55 deputetësh nga 65.
Rama kujton ditëlindjet e deputetëve
Rikthimi i PS-së në Kuvend është shoqëruar edhe me një qëndrim ndryshe të kryetarit Edi Rama, i cili po përpiqet të rikthejë unitetin mes deputetëve. Në këtë drejtim, ai po tregohet tepër i vëmendshëm ndaj detajeve, siç është datat e ditëlindjeve të deputetëve socialistëve. Dje ai njoftoi deputetët se ditën e mërkurë anëtari i Komisionit të Ligjeve, Bashkim Fino, ka ditëlindjen. Ky i fundit ishte i pranishëm në mbledhje. Kryesocialisti ka lënë të nënkuptohet se pret nga deputeti socialist i Qarkut të Fierit që të organizojë një koktejl apo diçka tjetër dhe që të festohet kjo ditë edhe midis të zgjedhurve socialistë. Pak javë më parë ai lajmëroi nga mbledhja e grupit të deputetëve për 50-vjetorin e deputetëve Arben Malaj dhe Marko Bello, të cilëve i bëri dhe një urim publik.