Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Çmimi i energjisë elektrike pritet të mbetet një nivelet aktuale duke mos prekur konsumatorët final. Qeveria ndërkohë, do të paguajë borxhin e enteve publike ndaj CEZ Shpërndarjes duke bërë që kjo e fundit të heqë dorë nga kërkesa për rritje të çmimit. Ky është varianti, në të cilin pritet të bazohet vendimi i ditës së mërkurë i Entit Rregullator të Energjisë. ERE u mblodh dje për të marrë vendimin final, por mbledhja u shty për arsyetimin se treguesit që kishte dhënë CEZ Shpërndarja për investimet nuk ishin bindës.
Mos rritja e çmimit final të energjisë ishte lajmëruar tërthorazi në media edhe nga krerë të lartë shtetërorë. Nga ana tjetër, edhe në ERE nuk parashikohet një rritje çmimi, vendimi i të cilës më shumë se nga të dhënat e ofruara nga kompanitë duket se do të varet nga marrëveshja për shlyerjen e borxheve të ndërsjellta midis shtetit dhe kompanisë CEZ Shpërndarja.
Varianti më i pranueshëm dhe më i diskutuari deri më tani është ai i rritjes së çmimit të energjisë që KESH ia shet CEZ Shpërndarjes. Kjo nisur edhe nga fakti se korporata është ankuar vazhdimisht për vendimin e një viti më parë, i cili uli çmimin në 1.48 lekë për kWh duke i shkaktuar kësaj të fundit milionë euro humbje. Përballë kësaj situate të krijuar, KESH ka kërkuar ndihmën e qeverisë me fonde për të blerë energji gjatë muajve të ardhshëm. KESH kërkoi një rritje deri në 5.05 lekë për kWh, ndërkohë që ERE pritet të miratojë një rritje që do të arrijë në rreth 2.5 lekë për kWh. Humbjen e pësuar nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë që blen nga KESH-i, CEZ Shpërndarja do të mbulojë me mbledhjen e faturave të papaguara të institucioneve shtetërore. Qeveria gjithashtu ka hequr nga buxheti fondin për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin 2012, me arsyetimin se “nuk kishte rritje çmimi”. Një tregues tjetër ky se gjatë vitit të ardhshëm nuk do të kemi rritje të re të çmimit të energjisë elektrike.
Ekzekutivi ka pranuar në parim pagesën e borxhit ndaj CEZ Shpërndarjes, i cili arrin disa dhjetra milionë euro. Kjo siguron vijimin e investimeve të parashikuara nga kompania në periudhat në vijim. Pagesa e borxheve nga qeveria ishte dhe kushti i CEZ Shpërndarjes për heqjen dorë nga kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë. Ndërkohë mësohet se KESH pret të marrë një pjesë të borxhit, që CEZ Shpërndarja i ka kompanisë shtetërore. Për këtë çështje janë zhvilluar herë pas herë takime midis të dyja kompanive. “Rregullimi” i kompanive me njëra-tjetrën ishte edhe opsioni për shmangien e rritjes së çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë. Më shumë se për çështje teknike, duket se shtyrja e mbledhjes së djeshme të Bordit të Komisionerëve të ERE-s ishte për t’i dhënë kohë palëve për të arritur në një marrëveshje për zgjidhjen e problemeve me borxhin.
Kompanitë paraqiten dje para Bordit të Komisionerëve të ERE-s planet e tyre për investime përgjatë viteve 2012-2014. Planet duhet të miratohen nga ERE pastaj të vihen në veprim.
Planet e investimit 2012-2014
CEZ 20.2 mld lekë
KESH 12 mld lekë
OST 13 mld lekë