Publikuar me : 16.08.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 55 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Botohet në fletoren zyrtare nivelet e reja të pagave për punonjësit administratës shtetërore dhe ushtarakëve dhe të mësuesve
“Shekulli” jep të detajuar tabelat se sa do të jetë rritja për të gjithë të punësuarit në varësi të llojit të diplomës si dhe pozicionit ku ata punojnë
Luis Tanushi
Institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave si dhe Kryeministrit do të paguajnë punonjësit e tyre sipas një niveli të ri pagash. Rritja e pagave varet nga pozicioni i punës së nënpunësit, vjetërsia si dhe nga lloji i diplomës. Pwr shkak vjetërsia rritja e pagës për punonjësit e shtetit është në masën 2 përqind. Pavarësisht deklaratave të kreut të qeverisë për rritje të pagave për të përballuar edhe rritjen e çmimeve, këtë vit rritja është tepër e vogël për të gjithë nënpunësit. Gazeta zbardh vendimin e plotë të qeverisë për të gjithë nënpunësve të shtetit si dhe të atyre që punojnë në arsim, shëndetësi dhe në ushtri. Më të privilegjuarit janë ata të cilët punojnë në pozicione kyçe që lidhen me ekonominë ku rritjen më të madhe do e kenë ata që punojnë tek tatimet, doganat apo nëpër inspektorate. Pagat më të larta i kanë ata që punojnë në institucionet kryesore të vendit si në presidencë po në Këshillin e Ministrave. Paga e një zëvendësministri është 138750 lekë. Këshilltari i Presidentit, i Kryeministrit, i Kryetarit të Kuvendit, i Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shefi i Protokollit të Kryeministrit, Drejtori i Kabinetit të Zëvendëskryeministrit, Drejtori i Kabinetit të Avokatit të Popullit, barazohen në pagë me zëvendësministrin. Pagesë tepër të mirë kanë prefektët dhe nënprefektët të cilët marrin mbi një milion lekë të vjetra në muaj. Kështu prefektët marrin një pagë prej 117300 lekë. Në kryeministri, pozicionet “Drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit” dhe “Drejtor i Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj”, përfitojnë rritje në masën 8 mijë (tetë mijë) lekë; pozicionet “Inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit” dhe “Koordinator në Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj”, marrin një rritje 10 mijë(dhjetë mijë) lekë në muaj. Shtesë page 15 mijë lekë në varësi të diplomës që kanë do të përfitojnë edhe pozicionet Specialist, Përgjegjës sektor apo Drejtor në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës, Administratën e Presidentit, Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme Diplomë të Nivelit të Dytë (DND) ose Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët Inxhinieri elektronike apo Informatikë. Të njëjtën shtesë për “kushte pune” e përfitojnë edhe specialistët e suportit funksional në Drejtorinë e Administrimit të Sistemit të Thesarit, në Ministrinë e Financave. Specialistët në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, nëpunësit në pozicionet “Inspektor i Lartë” dhe “Ndihmës Inspektor i Lartë”, është në masën 10 mijë (dhjetë mijë) lekë në muaj. Në Komisionin e Prokurimit Publik, Kryetari i Komisionit në masën 15 mijë (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj, ndërsa zëvendëskryetari dhe anëtarët në masën 10 mijë (dhjetë mijë) lekë në muaj. Po kaq rritja është edhe për nëpunësit në pozicionet “Drejtor drejtorie”, “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist” në drejtoritë dhe sektorët teknikë.
Ushtria
Ndryshime kanë pësuar edhe pagat e ushtarakëve të cilët do të përfitojnë rritje në bazë të gradës dhe të vjetërsisë në shërbim. Pagën më të lartë në ushtri e ka Gjeneral Lejtnant të cilit paga I fillon nga 155 mijë lekë duke pasur karrierë 26 vjeçare. Pagën më të ulët për kategorinë e parë të ushtarakëve e ka Nëntogeri, paga e të cilit fillon nga 425mijë lekë nëse ka më pak se dy vite në shërbim dhe rritet pothuaj me 1 mijë lekë në varësi të viteve në shërbim duke arritur nivelin maksimal në 46, 6 mijë lekë për ata me mbi 8 vite në shërbim ushtarak. Paga e një Kapteri në ushtrinë shqiptare është 43,7 mijë lekë ndërsa për një Rreshter paga bazë e tij është 38,3 mijë lekë. Më e ulët është paga për ushtarët profesionistë si dhe e detarëve për të cilët paga fillon nga 28, 7 mijë lekë ndërsa paga më e lartë për këtë kategori shkon në 36, 3 mijë lekë. Pjesë e vendimit të qeverisë është edhe rritja e pagave për atashetë ushtarakë të vendit që shërbejnë në përfaqësitë ushtarake pranë NATO-s si dhe të punonjësve në institucionet e pavarura të vendit.
Arsimi
Pjesë e vendimit të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagës është edhe ajo për punonjësit e arsimit. Rritja ndahet sipas pozicionit në punë si dhe sipas vjetërsisë ku mësuesit të cilët kanë më shumë vite pune përfitojnë një rrogë më të mirë. Punonjësit mësimorë që punojnë brenda rrethit të tyre jashtë qendrave urbane, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, përfitojnë shpërblim deri në 1800 lekë në muaj. Punonjësit mësimorë që punojnë brenda rrethit të tyre jashtë qendrave urbane, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre përfitojnë shpërblim deri në 5250 lekë në muaj. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2011, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për rritjen e pagave.
Shëndetësia
Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen mjekët dhe punonjësit e tjerë me arsim të lartë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë; infermierët e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë; dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Për mjekët kur punojnë në rrethet: Pukë, Tropojë, Kukës, Has, Malësi e Madhe, Dibër, Bulqizë, 4 500 lekë në muaj ndërsa kur punojnë në rrethet: Mat, Mirditë, Gramsh, Librazhd, 3 800 lekë në muaj. Ata mjekë të cilët punojnë brenda rrethit te tyre, por larg vendbanimit dhe kthehen brenda ditës, 1 000 lekë në muaj dhe kur nuk kthehen në vendbanim brenda ditës, 3 000 lekë në muaj. Mjekët e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe mjekët civilë të strukturave të Forcave të Armatosura, të cilët kryejnë specializimin në qendrat spitalore universitare, gjatë kohës së specializimit, të paguhen në masën 80 për qind të pagës së mjekut të fushës në të cilën kryhet specializimi.
SHISH
Bahri Shaqiri nuk përfiton rritje rroge. Mazhoranca është hakmarrë ndaj kreut të SHISH duke mos I dhënë rritje pavarësisht vjetërsisë dhe gradës. Paga e tij është 125 mijë lekë të reja e cila është më e larta në këtë strukturë. Rritja e pagës së punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror varion nga 2 përqind deri në 20 përqind kjo në varësi të funksionit dhe gradës që ai ka në këtë strukturë. Punonjësit e nivelit zbatues e kanë pagën nga 428 mijë deri në 474 mijë lekë.
Policia
Paga më e ulët e punonjësve të Policisë së Shtetit është 36500 ndërsa në varësi të punës që ata bëjnë përfitojnë edhe rritje shtesë. Punonjësit e policisë të cilët punojnë në strukturat e policisë shkencore, në zyrën e përgjimeve, në strukturat kundër antieksplozivëve dhe lëndëve të tjera plasëse, në strukturat e policisë së qarkullimit rrugor, si dhe mjekë e ndihmësmjekë në strukturat e Policisë së Shtetit, përfitojnë shtesë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin.
Bashkitë
Në fletoren zyrtare është botuar edhe rritja e pagës për krerët e njësive vendore. Paga e kreut të Bashkisë së Tiranës varion nga 138 750 – 173 400 lekë ndërsa për nënkryetarin 130 000 – 138 750 lekë. Për krerët e bashkive më të vogla paga e tyre është edhe më e vogël duke arritur deri në 37 mijë – 54 mijë lekë.
Kultura
Në Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Drejtorinë e Teatrit të Fëmijëve në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin Kombëtar të Komedisë, punonjësit e trupës artistike në këto institucione, rritja e përfituar është në masën 6000 (gjashtë mijë) lekë në muaj.
Ministria e Jashtme
Rritje tepër të vogël përfitojnë punonjësit e Ministrisë së Jashtme të cilët janë ndër më të diskriminuarit në krahasim me disa kategori të tjera të nënpunësve të shtetit. Shtesën më të madhe e përfiton Ambasadori dhe Pas tij vjen Konsulli. Ndërsa rritjen më të ulët e përfiton Atasheu. Për të gjitha kategoritë rritje për vjetërsi është 2 përqind.
Universitetet
Nga vendimi për ndryshimin e strukturës së pagave preken edhe institucionet e arsimit të lartë. Paga më e lartë është ajo e Rektorit 127,5 mijë lekë ndërsa e dekanit me titullin Profesor është 122,4mijë lekë. Profesori e ka pagën 105570 lekë ndërsa Docenti 83650. Pagën më të ulët e ka Lektori i Parë 80600 dhe Lektori i thjeshtë 64300.