Publikuar me : 25.06.2011 Ne :
Kulture - 236 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Sot e nesër zhvillohet në Paris, Salloni i Librit nga Ballkani. Në Théâtre de la Grande Comédie, në kujdesin e lartë të Akademisë Franceze, organizohen disa aktivitete që përpurohen me ekspozitën “Karikatura në Ballkan”.
Kosova prezantohet me Gani Jakupin. Marrin pjesë Alexandar Zograf (Serbi), Alexandru Ciubolariu (Rumani) Dodo Nita (Rumani) etj.. Rumania është e ftuara kryesore në Sallonin e Librit. Organizohe disa tryeza të rrumbullakëta mbi letërsinë rumune, përpos pjesëmarrjes së muzikantë rumunë.
Takimi dyditor organizohet nga Shoqata e Miqësisë Shqipëria-Francë dhe Le Courrier del Balkans, me mbështetjen e Region Ile de France dhe të Centre National du livre.
Shoqata franko-shqiptare kishte ftuar nga Shqipëria artistin Maks Velo që të prezantonte librin “Paris”, i botuar posaçërisht për këtë rast. Por dy javët e fundit ftesa është anuluar për shkak fondesh.
Velo e ka botuar tashmë librin që është një homazh për qytetin e lindjes, Parisin. Përmban 70 vizatime bardhë e zi dhe 34 poezi shqip-frëngjisht, përkthyer nga Evelyne Noygues. Në album ndërthuret një poezi, një vizatim nga seria që Velo i ka kushtuar qytetit. Rezultati është një libër jo i zakonshëm, një botim special që quhet
livre d’artist, me tirazh të kufizuar 200 copë dhe i firmosur nga autori.
Velo thotë se meqë asnjë organizatë frankofone apo institucion ekonomik francez nuk e ndihmoi financiarisht, gjithë shpenzimet për botimin e tij i përballoi vetë. “Pavarësisht se të shtunë dhe të diel nuk do të jem prezent në Paris, në aktivitetin Salon Du Livre Des Balkans, unë angazhimin që kisha marrë ndaj qytetit ku linda, e plotësova.”