Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Salve Caesar!

Publikuar me : 30.09.2011 Ne : Kulture - 55 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Gazeta “Përlindja e Shqipëniës” prej dhjetorit 1913 deri në pranverë 1914, përshëndeste ardhjen e princ Vidit si mbret i Shqipërisë. Se ç’gëzim i madh ishte kjo ditë për shqiptarët, gazeta e shpreh në shumë artikuj. Njëri mban titullin Salve Caesar! Përzierje e gjuhëve për shprehjen latine “Ave, Caesar, morituri te salutant!” – “Tungjatjeta o Çezar! Ata që po shkojnë drejt vdekjes, të përshëndesin.” Është thirrja e gladiatorëve romakë për perandorin para se të përleshen në Arenë.

Një komb që i dorëzonte veten në duar një princi të huaj pasi ky të ishte menduar gjatë për një përgjigje zyrtare për poltisjen e kurorës së Shqipërisë dhe fronit mbretëror.

Vërtet gëzonte mbreti këtë besim në popull? Apo ishte propaganda e shtypit që e paraqiste besimin e tij me kësi ngjyrash? Po media e huaj si reagonte? Therëse janë karikaturat e shtypit anglez, italian, austriak. Ato paraqesin distancën ndërmjet qytetërimit që përfaqësonte Wilhelm Wied (1876-1945) dhe qytetërimit që gjeti në një vend i saponjohur shtet në Ballkan.

Stacioni imagjinar më interesant i mbretërisë gjashtëmujore duhet të jetë ai i propagandës. Ekspozita “Trashëgimia e një princi” dhe libri-album “Princi i Shqiptarëve”, Toena, Tiranë 2011, me autor Artan Lamen që u prezantuan mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar, e paraqet pa e vënë në dukje këtë këndvështrim ndaj figurës së Princ Vidit dhe kohës, kur ndodh përpjekja e parë serioze që Shqipëria të jetë pjesë e Evropës moderne. Ky është opinion i Artan Lames, koleksionist i objekteve dhe dëshmive historike, autor i disa botimeve në këtë fushë dhe i “Shqipni e harrueme”, rubrika disavjeçare në periodikë të përjavshëm mbi trashëgiminë.

E për ta thënë të plotë mendimin e tij, përpjekja për bashkim “nuk funksionoi, për njëmijë arsye, por mbi të gjitha për shkak të humnerës kolosale të krijuar ndër qindra vjet midis qytetërimit evropian ku po i fusnin shqiptarët dhe atij otoman prej nga po dilnin. Mënyra më e thjeshtë për ta kuptuar këtë gjë me sa më pak fjalë, është imazhi”.

Albumi përmban 270 fotografi, skica, dokumente, kartolina e karikatura, midis të cilave rreth 80 botohen për here të parë. Janë shfrytëzuar Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit në Tiranë; Arkivi i Familjes Wied, Neuwied; koleksioni i Misionit Ushtarak Holandez (publikuar nga Robert Elsie); koleksioni i Artan Lames, koleksioni i Fuli Kalivopullit dhe Nikolla Xharos të dy nga Tirana.

Në periudhën shkurt-prill 1914, karikatura nga gazetat gjermane, angleze, italiane, austriake pasqyrojnë situatën gjatë përzgjedhjes së princit, mbërritjes së tij dhe ngjarjeve në vend dhe venë në dukje kontrastin e fortë midis pritshmërisë së Fuqive dhe situatës anakronike dhe kaotike të Shqipërisë. Nga disa karikatura të ekspozitës po veçojmë dy. Njëra paraqet mbërritjen e Princ Vidit në mesin e një grupi këmbëzbathurish e gjysmë të veshur si indigjenë. Princi përshëndet: “Hello! Is this Raggamuffin ball?” Një perceptim krejt i kundërt me shtypin shqiptar që përshëndeste Vidin perandor.

Një tjetër karikaturë tregon parlamentin shqiptar, një kasolle. Në prag janë varur rrecka në diell dhe një malësor me armë bën roje. Ai vështron rreptë korrespondentin e Times-it që kërkon me përulësi lejen për të hyrë në parlament.

Në fillim të vitit 1914 kartolina propagande e paraqesin princin si vazhdues të veprës së Skënderbeut. Nga Koleksioni Lame ekspozohet një kartolinë me dy profilet përballë njëri-tjetrit, Skënderbeu – Vilhelmi I.

Një poster 21×28 cm e paraqet princin, i veshur me uniformën prusiane, tek qëndron me respekt para varrit imagjinar të Skënderbeut. Në fjongon e kurorës shkruhet: “Prehi o eshtrat e shenta”.

Besnikëria e parakohshme ndaj mbretit ishte shprehuar tanimë në fjalët e himnit të Principatës së Shqipërisë: “Mbretin ta nderojmë/ e të vdesim të gëzuar… O burra s’duhet kursyer”.

Përshëndetjet për princin dhe princeshën Sofi me sloganet “Rroftë Shqipëria!” vijnë përmes fotosh nga Shijaku, Kavaja, Gjirokastra. Dhe faza e fundit e propagandës e kësaj historie vjen pas caktimit të princ Vidit në fronin e Shqipërisë. U printuan një seri kartolinash me portretin e tij dhe të familjes për t’u bërë të njohur vendasve sovranin e ardhur nga larg. Lame e quan këtë kategori kartolinash e modës në atë kohë, të vetmen mënyrë informacioni dhe njëkohësisht edhe propagande në favor të princit. Madje për një pjesë të këtyre kartolinave u përdorën fotografi ekzistuese të princit ku ai paraqitet me uniformë ushtarake gjermane dhe në një moment të dytë kur u prodhuan uniformat e shtetit të ri shqiptar, u prodhuan edhe kartolinat e princit me këto uniforma. Në të gjitha kartolinat princi nuk paraqitet asnjëherë civil për t’iu lënë përshtypjen e sovranit nënshtetasve të tij shqiptarë.

Pjesë e propagandës është jeta e përditshme e familjes princërore qoftë në mjediset e Konakut të Durrësit, qoftë me daljet në qytet të Princeshës Sofia. Në një foto ajo mban përdore vajzën, Princeshën Mari Eleonora, ndërsa në karrocë është djali, princi Karl Viktor. Pas ardhjes në Shqipëri fëmijët u pagëzuan me emra shqiptarë, vajza Donika dhe djali Skënder. Fotografia mban këtë koment nga autori i albumit: “Çifti princëror dilte vazhdimisht në rrugët e Durrësit për të krijuar sa më shumë kontakte me njerëzit. Sidoqoftë duhet thënë se për shkak të diferencave të theksuara kulturore këto dalje më shumë keqkuptoheshin. Për shqiptarët myslimanë ishte një shenjë paburrërie dhe turpi dalja në rrugë e zbuluar e Princeshës Sofia.”

Lame ka zgjedhur për kopertinë të albumit një foto të Vidit tek rri natyrshëm dhe aspak zyrtar përbri një shqiptari me veshje malësori. Qëllimet e palëve ishin të mira, thotë në intervistë autori, por ishin dy kultura aliene që nuk mund të komunikonin.

 

 

Artan Lame: Kam 6 vjet që skedoj për Vidin


Sa kohë ju ka marrë libri-album?

Kam gjashtë vjet që skedoj për Vidin. Kam shfrytëzuar koleksionet private dhe Arkivin e Shtetit, që nuk ka ndonjë gjë të madhe, për të mos thënë që nuk ka fare. Ka mundësi që arkivi të jetë djegur kur u dogj konaku i Vidit. Gjërat e veta, personale i mori me vete, kurse gjërat e tjera, të rënda, një anije me plaçka – mendonte që do t’i binin dhëmbët këtu – ia la amanet Esad Toptanit t’ia dërgonte. Dhe Esad Pasha mbushi gjashtë arka të mëdha me dru dhe ja dërgoi. Mund të na turpërojë më shumë një njeri se sa kaq? Pra arkivi praktikisht është asgjësuar. Në Gjermani princi Vid ka arkivat e veta që nuk janë hapur. Pastaj materiale, fotografi, gazeta, kartolina, ka pa fund.

 

Megjithatë në Shqipëri, njohja e figurës së Vidit me libra të përkthyer, ndodhi vetëm në vitet dymijë.

Faktorët janë dy. Në periudhën e para LDB, kjo shpjegohet me mospëlqimin e Zogut. Kongresi i Lushnjes njohu formën monarkike të shtetit. Në dhjetor 1924 kur Zogu erdhi në pushtet, bëri një arsyetim juridik shumë të hollë. Po ta shpallte veten mbret do ta qeshte bota. Ishte i ri nga Mati, i panjohur si figurë. Ndërkohë vazhdonte Vidi të ishte mbret. Atëherë shpallet Republika, dhe kjo e asgjësoi juridikisht pretendimin e Vidit, pavarësisht se ai e bëri një protestë formale.

Pas luftës e njëjta gjë, ishte e natyrshme të mos flitej për të. Nëse nuk u quajt imperialist dhe shërbëtor i Fuqive, në Fjalorin Enciklopedik të ’86-ës, që është fjalori më i politizuar në gjithë globin tokësor, ku politizohen dhe bimët dhe malet,  jepet një informacion mjaft indulgjent.

Ringjallja e periudhës më tepër se sa e figurës së Vidit që ndodhi pas nëntëdhjetës kur çlirohet çdo lloj aftësie për menduar për gjërat, sjell një varg librash të përkthyer. Por ende nuk kemi një monografi të Vidit dhe të epokës të atyre gjashtë muajve.

 

Ju e keni këtë ambicie?

Kushdo që do t’i hynte epokës, të paktën nga pikëpamja vizuale, vështirë se do të gjejë gjë tjetër shtesë përtej këtij libri. I shërben shkruarjes së një faqeje të historisë së shtetit shqiptar. Nëse kam arritur këtë gjë, të nxis kërshërinë për të njohur epokën dhe kontradiktat e epokës, atëherë është arritur qëllimi. Në ekspozitë kam sjellë dhe 3-4 medalje të Vidit.

 

Si do t’i përshkruanit gjashtë muaj mbretëri duke patur parasysh vetëm imazhet?

Shpërthen një Shqipëri që kishte 200 vjet që s’ndodhte asgjë, që zvarritej jetës së vakët otomane me rutinën e halleve. Po të shohësh gazetat e kohës, përveç faktit që një pjesë kthehen nga javore në ditore, shikon që futet koncepti i orës. Intensiteti i ngjarjeve është i tillë, i pabesueshëm. Brenda një dite ndodhin shumë gjëra. Kjo ishte një traumë e vërtetë për shqiptarët, kalimi nga ajo përgjumja lindore në një ritëm frenetik intrigash, ngatërresash, presionesh, njerëzish të panjohur që hynin e dilnin.

 

Ndryshimi i konceptit të kohës thoni ju shënon hyrjen në një zhvillim të ri?

Në të gjitha aspektet. Por aventura dështoi ngaqë ishte humnera midis dy qytetërimeve, dy botë aliene, e meqë nuk ia dinin kodin njëra-tjetrës nuk arrinin të merreshin vesh.

Këtu ku jemi ne tani ka qenë Xhamia e Karapicëve. Në të vetmen vizitë që bëri Princ Vidi në Tiranë, në prill të 1914-ës, zbriti nga makina për të kontaktuar me miletin fizikisht, dhe i jep dorën princeshës Sofi për ta zbritur. Ky gjest ishte traumatik, ai u zhburrërua në sytë e njerëzve, ç’është ky burrë që i jep dorën gruas. Me pak fjalë, ishin botë me qëllime të mira në shumë raste, por nuk merreshin vesh.

 

Një figurë që shfaqet shpesh pranë Vidit është Esad Pasha.

Është një dyshe që ka apogjeun e vet në ato gjashtë muaj. Po të ishte bërë Esadi mbret i Shqipërisë, dinastia e tij do të ishte akoma sundimtare. Ai ishte një njohës i pabesueshëm i mentalitetit shqiptar të të gjithë kategorive. Kishte intuitë të jashtëzakonshme, ishte pa skrupuj. E vuajti gjithë jetën që meqenëse nuk bëhej dot i parë, të paktën të mos mbetej më pak se i dytë.

 

Keni një përfundim për këtë duet?

Në bashkëpunim me Vidin, Esad Pasha ishte totalisht i pabesë. Vazhdimisht mundohej ta sabotonte princin, mundohej t’i shërbente kujt fuqie nuhaste ai që mund të ishte kundër Vidit. Esadi ishte një nga maestrot që vinte nga perandoria osmane, e cila ishte një det ku mund ta notohej nga një vend në tjetrin, dhe të ecje përpara në karrierë. Në momentin që lind koncepti Shqipëri Esadi vazhdoi të bëjë ato gjëra që kishte bërë tërë jetën, por tashmë kishte lindur një koncept që ai s’e kuptonte. Ai nuk e kuptoi kurrë deri më njëzetën, deri kur e vranë, që kishte lindur një koncept moral: tradhtia ndaj vendit tënd. Brenda këtij deti të madh kishte lindur vendi yt të cilit ti nuk mund t’ia bëje këto gjëra sepse konsideroheshe tradhtar.

Ekspozita e sjell Vilhelm Vidin dhe familjen e tij si njerëz realë, koncept që e kemi humbur. Nga një figurë e librave dhe fotografive, falë Petraq Gramos që ra në kontakt me familjen Vid, u bë i mundur ky prezantim.

 

Libri

Shoqërohet me dy parathënie: njëra është e Nikolaus Roth-it, Kryetar i Bashkisë të Neuëied, ish-Kryeqytet i Principatës mesjetare të qeverisur nga familja e Princ Vidit që nga shekulli XII; tjetra nga Petraq Gramo i cili është personi që e ka ndihmuar autorin, të vendosë kontaktin me familjen e sotme të Princ Vidit. Përmes tij u bë e mundur të silleshin në Shqipëri një pjesë e fotografive dhe disa dokumente të tjera të Arkivit të Familjes Vid. Sipërmarrësi Gramo ka një kontribut të madh edhe për kurimin e albumin. Libri është shqip-anglisht. Botimi është bërë me mbështetjen e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë.

Viti 2012 është përvjetori 100-vjeçar i pavarësisë së Shqipërisë pas së cilës Fuqitë e Mëdha nuk vonuan të kurorëzojnë Vilhelm Vidin mbret i Shqipërisë. Për gjashtë muaj ai pati qendrën e mbretërisë së tij në Durrës, mars-shtator 1914. Problemet e shumta me qeveritë lokale dhe pengesat që në mënyrë të veçantë i solli “turkoshaku” (siç e quan në kujtimet dhe promemorien e tij Vidi) Esat Pashë Toptani me të tijët myslimanë që kishin pozita të forta në Shqipërinë e Mesme, ishin nga faktorët kryesorë që e shtynë Princin të largohet “për pak kohë nga vendi” pa u dorëhequr kurrë, në prag të Luftës së Parë Botërore.

 

Pse mbretëroi kaq pak?

Në Promemorien që ai u drejton shqiptarëve dhe botuar në shqip vitin e kaluar, ai ka shprehur pikëpamjet mbi mbështetjen e Fuqive të Mëdha që duhej të gëzonte Shqipëria e tij, po edhe shpresën, dyshimin dhe mosbesimin për të ardhmen e vendit: “Në ç’mënyrë princi i ri, pushteti dhe përkrahja e të cilit, mbështetej vetëm në famën që gëzonin Fuqitë e Mëdha dhe në frikën nga vullneti i tyre i fortë dhe i njëzëshëm, do të mund të vendoste rendin në një vend të shpartalluar e pa kurrfarë rregulli, kur qysh në fillim të dy këtyre faktorëve u ishin lëkundur themelet!

Pavarësia, nderi, besnikëria, fjalë që mbreti për gjashtë muaj i shqiptarëve i pikëlluar pret t’i përligjë nëse një ditë do të kthehej në atdheun e tij Lindor.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Homazh Pandi Zguros

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 94 here.
Me shfaqjen e dokumentarit “Pandi Zguro, një zë i papërsëritshëm” kujtohet dhe nderohet në 1-vjetorin e vdekjes këngëtari i Ansamblit të Ushtrisë. Nesër, ora 11.00, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, i bëhet homazh Pandi Zguros (1944-2011), aktivitetit të tij si artist dhe ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e dekoron nënkolonelin Pandi Zguro “Artist i Merituar” me medaljen “Për shërbime të shquara” (pas vdekjes). Marrin pjesë: Avni Mula, Milto Vaka dhe Ligor...Lexo te gjithe artikullin »


» Ah, parate, parate
» Dama Plake ne Tirane
» Finalja e Orkestres me muzike baroke
» Ne dy skenat kombetare
» Diktator jo si te tjeret
» Mbremja Gala nga Shkolla e Baletit
» Instrumenti etnik i shqiptareve
» Takim me njeriun qe di ta degjoje tjetrin
» Shkolla e restaurimit, perfundon pjesa kombetare e programit
» Qeveria i sherben Aliajt pas vdekjes

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit