Publikuar me : 28.11.2011 Ne :
Kulture - 65 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Czeslaw Milosz
Kur shfaqet e Vetmja? Beatriçja e Dantes nuk ishte as gruaja e tij, as e dashura, ishte thjesht një zonjushë e njomë e parë veç nga larg, por që në
Komedinë hyjnore do ta takoj atë dhe do ta udhëheqë , atëherë kur Virgjili e çon poetin në katin më të lartë të Purgatorit. Ky ideal mesjetar i feminitetit, i paprekshëm dhe i admiruar, është përherë i pranishëm në poezinë e trubadurëve të Langvedozës. Ngjitja e femrës në dinjitetin e objektit
amore sacro është në një farë kuptimi pasqyrim i kultit marin.
Më vonë poezia kristiane bie nën ndikimin e poezisë pagane latine, e cila nuk e favorizon dashurinë sipërane, anipse bukurisë femërore i këndohet në vargje të panumërt. Shekulli XVIII, shekulli i arsyes, u dallua për lirshmëri të zakoneve seksuale, ku në krye u vu Italia, ditarët e Kazanovës duket të jenë tablo jo vetëm e aventurave të tij. E vetmja, femra e destinuar, i përket romantizmit, ndaj Verteri, në pamundësi për ta fituar, u detyrua të vetëvritej. Ky shkak për vetëvrasje do të ishte i pakuptueshëm për stoikët dhe epikuranët, po ashtu edhe për poetët që patën përqafuar filozofinë e lashtë. Ndërsa njerëzit e fundshekullit XVIII dhe fillimshekullit XIX, ku hynin edhe romantikët polakë, kishin një lloj tjetër literature, nga e cila mund të mësonin sidokudo mbi martesën e dy shpirtrave. Leximi , për shembull, i Swedenborg-ut (1688-1772, filozof suedez), ushqente fantazinë e Sllovackit dhe Balzakut, kur ishin ende fëmijë. Me që është rasti e vlen të theksohet, se pak a shumë në të njëjtën periudhë, në fillim të viteve tridhjetë të shekullit XIX, dalin në dritë
Ora e mendimit dhe dy romanet “swendeburgiane” të Balzakut,
Serafita dhe
Louis Lambert.
Ludvika Sniadecka tek Sllovacki është një dashuri imagjinare, kurse zonja Hańska qëndron me të vërtetë fort në jetën e bufalaqit tepër të ndjeshëm, më anë tjetër Serafita u shkrua jo pa mendimin për të mposhtur skrupujt katolikë të dashnores dhe çuarjes më në fund në Kal të femrës grua. Asnjë sistem teofizik nuk i jep një vend kaq qendror dashurisë së dy njerëzve, saç ajo gjen në ngrehinën e imagjinatës së Swedenborg-ut. Duke qenë se bota shqisore dhe bota shpirtërore tek ai janë të lidhura me fijet e “korrespodencës” me atë çka ndodh në tokë, ajo merr edhe zgjatimin në qiell. Dashuria e këtushme, në tokë, tek ai nuk merr trajtat e asketizmit mesjetar apo të idealizimit platonian. Kjo është një dashuri e plotësuar në martesë, është mishtore, por ekzaktësisht monogamike.
Sepse i tillë është parakushti i qiellit, në qiell gjithë engjëjt kishin qenë më parë njerëz dhe e ruajnë forcën e bukurisë së rinisë së tyre, po ashtu edhe seksin, mashkull apo femër qoftë. Ruajnë edhe tërheqjen shqisore dhe kanë ngaherë potencë seksuale të lartë. Martesa të lumtura tokësore takohen sërishmi, por të rinuara. Ata që mbeten vetëm, gjejnë partnerë qiellorë. Seksualiteti engjëllor tek Swedenborgu nuk është, pra, i privuar nga trupi, nuk është arrati në rajone eterike, por një përmallim i vazhdueshëm dhe ëndërrim. Ȅshtë fizik, është më tokësori nga tokësorët, dhe dallon tërësisht nga seksualiteti tinëzar me atë që joshja i drejtohet vetëm një personi. Harmonia e plotë e dy shpirtrave dhe dy trupave është qëllimi i qenieve tokësore dhe nëse nuk e arrijnë dot këtë, atëherë shndërrohen në qiellorë, që nuk e njohin asfare mërzinë dhe veljen me njëri-tjetrin.
Serafita e Balzakut fut motivin
androgyne, do të thotë të një lidhjeje të shpirtit mashkullor dhe femëror, të atillë që bashkë formojnë një unitet dyseksësh, ndoshta për arsye se tek Swedenborgu mendjet e bashkëshortëve në qiell njësohen tërësisht dhe çifti nuk quhet dy engjëj, por vetëm një engjëll. Me ç’duket as Serafita, as letrat ku Balzaku rreket të bindë zonjën Hańska për të pranuar swedenborgizmin, nuk ndryshuan dot pikëpamjet e së adresuarës, në llogari të fundit kritika në këto letra në adresë të besimeve kristiane e bëri katolicizmin e saj volterian. Por nga e mësojmë këtë? Nuk jam balzakian, vetëm se njohja e frëngjishtes më ka dhënë mundësinë të lexojë komente dhe punime, që në Francë janë me bollëk.
Pas
Komedisë njerëzore të Balzakut fshihet një skeleri e ndërlikuar filozofike, në përgjithësi e pakonsideruar nga ata që tek ai shihnin vetëm realistin. I përpunuar disa herë romani
Luois Lambert , figurë qendrore e të cilit është një mendimtar gjenial, ofron konceptin mbi dy rryma që ndërthuren, “shkencoren” dhe mistiken. Në këtë të dytën shumë vend zë Swedenborgu, pothuaj njëlloj si në rastin e Sllovackit, i njohur për këtë jo aq mirë. Tablotë qiellore (të shumta) dhe fernale (të shumta) tek Swedenborgu i kanë magjepsur letrarët ndoshta ngaqë tabloja tradicionale kristiane e ferrit dhe ndëshkimit të përjetshëm nuk puqej me konceptin e Zotit të mirë. Ȅshtë më e lehtë të përfytyrohet lloji natyral i të ngjashmeve me të ngjashmit, të cilët ngjiten në qiell ose bien në ferr në sajë të fuqisë së tërheqjes së ndërsjellë, pa asnjë lloj verdikti. Poetët kanë marrë me të dyja duart nga Swedenborgu, madje edhe atëherë, siç bëri Baudelaire, kur merrnin prej tij korrespondencën midis botës shqisore dhe asaj shpirtërore, duke i dhënë emrin e simbolit.
Mbi udhëtimet në kohë
Mbi udhëtimet në kohë (Botimet Papirus 2011, përkthyer nga origjinali polonisht nga Astrit Beqiraj, f. 425, 900 l.) është prezantimi i dytë i plotë (pas
Mendje e robëruar 1997) i mendimit filozofik, kulturor të Czeslaw Milosz (1911-2004). Bota polake me dy hemisfera letërsia dhe feja, zënë secila nga një kapitull dhe secila e tejkalon ngastrën polake sepse esetë e Milosz-it kapin në thelb atë që është e qëndrueshme dhe e pandryshueshme në kohë dhe në hapësirë.
Një kapitull përbëhet nga nekrologji, portrete intelektualësh e shkrimtarësh ku Milosz lëvron me zotësi të admirueshme zhanrin e nëpërkëmbur, e për të cilin në parathënie vërehet: “Jetët njerëzore i përshkruan jo për qëllime hagiografike, por vetëm e vetëm për të ngulitur dëshminë e ekzistencës tokësore të personazheve, të famshëm vetëm për të, për të tjerët krejt të panjohur, i bindur në peshën e kësaj ekzistence. Përmes portreteve përftohet bindja, se fati i cilitdo ka domethënien e vet, çdo qenie njerëzore diç na ofron, na pasuron dhe shndërrohet në një sfidë për ne.”
Eseja që kemi zgjedhur nga ky libër “Seksualiteti i engjëjve” i përket pjesës së parë, të grupuara në “udhëtimet në kohë” në të cilën Milosz trajton çështje të katolicizmit duke e futur subjektin thellë në histori e duke ndjekur raportet e fesë së Evropës, (Milosz mbeti deri në fund të jetës katolik i devotshëm) përgjatë zhvillimeve moderne të shekullit të njëzetë.
Dy esetë që mbyllin përmbledhjen, “Natyralisti” dhe “Lumturia” janë autoportrete të Milosz-it, kushtuar takimit që njeriu shpreson të ndodhë një ditë ku do të puqen çunaku me plakun, fëminia me pleqërinë. Ky takim që i takon lumturisë, ndodh në tokën e të parëve, në Lituani, ku merr fund jeta endacake dhe e shqetësuar në mërgim e poetit dhe mendimtarit nobelist (1980).
Mbi udhëtimet në kohë botohet në shqip, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Czeslaw Milosz-it.