Publikuar me : 13.10.2011 Ne :
Politike - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
TIRANË – “Pse nuk u pranua Shqipëria? Ngërçi politik ka ngadalësuar proceset”.kjo është përgjigjja që dha pasditen e djeshme kreut i delegacionit të Këshillit të Europës në Tiranë, Etore Sekui në lidhje me dështimin e dytë të vendit tonë për të marrë statusin e vendit kandidat. Duke fajësuar politikën shqiptare për këtë vendim të Bashkimit Europës, përfaqësuesi i këtij institucioni në Tiranë kërkoi që çështja e integrimit të kthehet në një interes kombëtar për të gjitha palët politike.
“Procesi i integrimit duhet të shihet si objektiv kombëtar. Unë kam bërë një analizë se cilat ishin pasojat e mungesës së dialogut. Ajo që kam parë është se të gjitha aktorët politikë e shohin si detyrim kombëtar procesin e integrimit dhe kjo është e pasqyruar dhe në deklaratat e tyre publike. Nga ana tjetër opozita u fut në parlament. Unë shikoj disa shenja të tjera që tregojnë se të dyja palët kuptojnë që integrimi është në interes të shqiptarëve. Të dy partitë politike duhet të tregojnë me fakte dhe në mënyrë të qëndrueshme angazhimin për integrimin në BE”, – deklaroi dje Sekui.
Në komunikimin e mbajtur për mediat nga qendra e informimit e BE-së, ambasadori tha se kriteret për anëtarësim janë të njëjta për të gjitha shtetet që aspirojnë këtë proces dhe për Shqipëri ato nuk janë të dyfishta. “Nuk ka standarde të dyfishta për Shqipërinë. Kushtet janë të njëjtat për vendet që aspirojnë hyrjen në BE. Ne veçanti, këto standarde kanë të bëjnë me ndërmarrjen e atyre reformave që kanë të bëjnë me BE-në dhe reformat që kanë të bëjnë me prioritet kyçe të BE. Ne jemi të sigurt që Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për të përmbushur standardet e larta që duhen për anëtarësim”,- vlerësoi përfaqësuesi i BE-së.
Zyrtari lartë europian i kërkon politikës shqiptare që të bëjnë përgatitje rigoroze dhe të plota që të gjendet konsensusi. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë që të bashkojë forcat e veta dhe veprojë në mënyrë të vazhdueshme. Nga ana tjetër, ai nënvizon se raporti është mjet i rëndësishëm dhe ka nevojë që të politika të bashkojë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë të vazhdueshme. Për të, ky raport jo vetëm që krijon një panoramë të standardeve të BE, por tregon dhe rrugën se si duhet ecur përpara në rrugën drejt integrimit dhe raporti i progresit duhet parë si element bashkues dhe jo si element ndarës.
Ambasadori i BE-së sqaroi gjithashtu dhe mënyrën se si është hartuar progres raporti. “Raporti bazohet mbi një informacion që mblidhet dhe analizohet nga Bashkimit Europian. Për ta mbledhur atë kemi përdorur shumë burim: Qeverinë, shtetet anëtare, por edhe organizata ndërkombëtare. Burimet kanë qenë të shumta, të mirinformuara dhe të ndryshme”, – bëri të ditur për mediat Etore Sekui. Mbi këtë dokument, ai nënvizoi se ndonëse reformat e rëndësishme nuk janë kryer, Shqipëria duhet të bëjë një progres thelbësor për të përmirësuar punën e Kuvendit dhe zgjedhjet e ardhshme të bëhen në përmbushje me standardet ndërkombëtare.
Pas dhënies së raportit kryeministrit, Presidentit dhe kreut të opozitës, ditën e sotme ambasadori i Bashkimit Europian do t’i dorëzojë dokumentin zyrtar edhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Rama: Raporti, instrument për demokratizimin e shoqërisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi dje progres raportin si një instrument të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Pasditen e djeshme, në selinë rozë ishte i pranishëm ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, i cili dorëzoi progres-raportin e Komisionit Europian për vendin tonë së bashku me Strategjinë e Zgjerimit. Zyra e shtypit e Partisë Socialiste bëri të ditur se “kryetari Rama falënderoi shërbimet e Komisionit Europian për analizën e kthjellët në këtë Raport, që është një vazhdimësi e detyrave të lëna për vendin tonë nga Opinioni i vitit të kaluar”. Nga ana e tij, Rama “rinënvizoi vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë”.
Berisha: Humbja e statusit, një traditë fatkeqe
Kryeministri i vendit ka vlerësuar se humbja e statusit për vitin e dytë radhazi është një traditë fatkeqe. “Është një traditë fatkeqe, edhe këtu, por edhe më gjerë, që problemet i shohin te të tjerët e jo te vetja. Unë u them shqiptarëve që absolutisht problemet janë te vetja jonë, sepse kërkesat e Komisionit janë të drejta, sepse nuk ekziston asnjë vend tjetër në të cilin nuk votohet për kërkesat e BE-se. Në Shqipëri nuk votohet, ky është një fakt”,- deklaroi dje në mbrëmje Berisha, pas dorëzimit të progres-raportit nga ambasadori i BE-së në Tiranës. Sipas tij, ky është një problem që duhet ta zgjidhin shqiptarët, në mënyrë paqësore, në mënyrë demokratike, por duhet ta zgjidhim dhe nuk mund të themi se nuk ekziston. Është i njohur fenomeni i përdorimit të votës për të bllokuar. Ai shprehu gatishmërinë që të shohë përpara dhe sa më shpejt të adresohen problemet në reformën zgjedhore. Në konferencën e përbashkët me Etore Sekuin, Berisha u tregua gjithashtu i gatshëm që të bashkëpunojë jo vetëm për reformën zgjedhore, por edhe për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.
Topi: Aktorët politikë të adoptojnë një sjellje evropiane
Gjatë takimit me kreun e delegacionit të BE, Etore Sekui, i cili i dorëzoi zyrtarisht raportin e përparimit të Shqipërisë të përpiluar nga Komisioni Evropian, Presidenti Topi vuri në dukje se aspirata e qytetarëve shqiptarë për integrim në BE vijon të mbetet përparësia jonë kryesore. “Ne do ta lexojmë Raportin e Përparimit me kujdes e me shumë vëmendje duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues, por do të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxisim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë evropiane”, – është shprehur Topi, sipas një njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës. Nga ana e tij, ambasadori Sekui vuri në dukje rolin pozitiv institucional dhe konstruktiv të Presidentit Topi si simbol i unitetit të popullit, duke nënvizuar rëndësinë dhe koherencën e deklaratave dhe apeleve të tij të vazhdueshme publike për rivendosjen dhe efikasitetin e dialogut dhe komunikimit politik dhe institucional të klasës politike shqiptar. Ai theksoi se progres-raporti do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për rrugëtimin e ardhshëm integrues të Shqipërisë dhe plotësimin e standardeve nga ana e saj.