Publikuar me : 27.10.2011 Ne :
Kronike - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Dhjetra banorë të Orikumit u janë rikthyer sot protestave, gjithçka për pronat. Dy vjet pas protestave që nisën po me këtë objekt, aktualisht çështje e mbetur pa zgjidhje, tubimi ka kujtuar se deri në zgjidhjen përfundimtare të çëshjes së pronave, do të ketë forma të tilla.
Sot në orët e para të mëngjesit përpara Bashkisë së qytetit janë bashkuar me dhjetëra banorë, të cilët kanë protestuar për t’u rikujtuar organeve përkatëse së banorët e Orikumit janë të vendosur të marrin atë çka u takon.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë Orikum, Gëzim Capo, i cili tha së çështja e pronave kërkon zgjidhje imediate për ta zgjidhur përfundimisht atë. Protestuesit thanë se kërkojnë nga institucionet përkatëse certifikimin e pronës së tyre. “Jemi mbledhur këtu dy vjet pas protestave, të cilat njohën edhe dhunë, për t’i kujtuar qeverisë që nuk kemi hequr dorë nga çështja jonë”.
Dy vjet më parë, banorë të Orikumit, Dukatit e Tragjasit nisën tubimet për çështjen e pazgjidhur të pronave, çka pasoi me një zinxhir protestash gjatë këtyre dy vjetëve, ku u shënuan edhe përleshje të dhunshme mes banorëve dhe forcave të policisë. /
Anila Peçi