Publikuar me : 07.10.2011 Ne :
Politike - 55 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Një grup deputetësh socialistë ishin sot në Azotikun e Fierit, i kthyer tashmë në gërmadhë për shkak të zhveshjes nga çdo gjë metalike, që përdoret për skrap. Deputeti socialist Eduard Shalsi u shpreh se njerëz të pushtetit nuk ndalen në babëzinë e tyre për të grabitur pasurinë publike të shqiptarëve.
“Çdo ditë, çdo orë, çdo çast, kjo qeveri po provon qartësisht se nuk është fryt i vullnetit të sovranit por pjellë e grabitjes së vullnetit të popullit. Kemi ardhur të shohim nga afër se çfarë po ndodh në Azotikun e Fierit. Media kurajoze kanë nxjerrë në dritë fakte rrëqethëse për një grabitje në mes të ditës, denoncim që ka gjetur si dhe në raste të tjera heshtjen e të akuzuarve. Po çfarë ka ndodhur? Një ankand me fitues të paracaktuar ka vendosur që mbetjet metalore të uzinës të shiten për skrap. Megjithëse komisioni i prokurimit publik vendosi të pezullojë procedurën e ankandit, njerëzit e Sali Berishës dhe Ilir Metës jo vetëm që nuk ndalen, por përkundrazi, ju vërsulen me një shpejtësi marramendëse duke çmontuar dhe transportuar – një zot e di se çfarë sasie”.
Shalsi u shpreh se pasuria e përbashkët e shqiptarëve nuk po përdoret më për interes publik, por po grabitet për të majmur familjet e njerëzve në krye të qeverisë.
“Babëzia, me të cilën këta njerëz i janë turrur çdo gjëje që u del përpara pa kurrfarë përgjegjësie e turpi, është e paimagjinueshme. Këta njerëz duhen ndalur. Këta njerëz nuk duhen lejuar të sillen me pasuritë publike si të jenë mall pa zot”, tha Shalsi.
Ai tha se vendosja para përgjegjësisë e personave që janë përfshirë në këtë aferë do të fillojë duke i kërkuar llogari ministrit Naço, pa urdhërin dhe bekimin e të cilit, kjo aferë nuk do të mund të ndodhte.