Publikuar me : 02.07.2011 Ne :
Kulture - 153 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo

Është thjesht një lule në ballkon, por po ta shohësh me kujdes del lule marijuane. Fotoja e bimës narkotike është marrë në ballkonin e një apartamenti të zakonshëm në Tiranë. Alketa Ramaj punonte për një histori mbi konceptin “Propaganda intime – Albumi i familjes” kur e kapi këtë kënd në një shtëpi në rendin banal të gjërave. Është pjesë ciklit me shtatë foto bardhë e zi dhe me të, Alketa u bë një nga tre përfaqësuesit e Shqipërisë në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë “Sotiri 2011” që është hapur në Korçë që prej 25 qershorit. Cikli nuk ka titull, por nisur nga metoda me deduksion e të punuarit, mund ta imagjinojmë autoren si një Sherlock Holmes, që në sajë të gjurmëve pranë shtratit të hamendësojë për karakterin e personit që gdhihet përnatë aty. Gjurmët mund të mos jenë fare të qarta, të hapura për intrigë me të cilën mund të ndërtosh historinë e banorëve të shtëpive. Sepse ata nuk shfaqen. Në fotot e Alketës sheh një zemër e qëndisur me makinë, në cepin e mbulesës së tavolinës; një pikturë ku janë ngjitur fotot e një fëmije, si të ishte pasqyra; një dhelpër e balsamosur; një statuetë kitsch dekorative me një varg hudhrash në sfond; një çelës me shenjat fikur-ndezur, d.m.th se personi mund të jetë plak ose nuk e vepron dot aktin e duhur rutinë. “Njerëzit zgjedhin të jetojnë në forma dhe mënyra të ndryshme”, thotë Alketa. “Një pjesë thelbësore në atë që quajmë familje është “habitati” i tyre, që mund të jetë një dhomë, një vilë apo kështjellë… njerëzit ndërtojnë intimitetin sipas nevojave që kanë. Me anë të sjelljes së tyre kuptojmë shumë gjëra ose thjesht dhe vetëm atë që të tjerët duan që të na tregojnë. Nëse kalojmë pak çaste në shtëpitë e tyre, kuptojmë që disa detaje tregojnë më tepër se ç’mund të thonë ose të duken ata vet. Shumë shtëpi mund të duken të ngjashme por ka detaje të cilat në pamje të parë na duken të rëndomta, por që tregojnë për dëshirat, mënyrat, sjelljet apo lloje temperamentesh të cilat qëndrojnë të fshehura në mënyrat sesi ata vendosin gjërat.”
Fotot janë realizuar në Tiranë gjatë një viti, në shtëpitë e fqinjëve, miqve dhe te të tjerë jo shumë të njohur. Qëllimisht është shmangur njeriu.
Kuratorja e “Sotirit 2011” mbi idenë e propagandës intime priste nga artistët një refleksion sa estetik edhe etik mbi prezantimin e familjes jo më si vendin për të cilin nuk flitet sinqerisht dhe thuren të pavërteta për veten e të tjerët. “Mua nuk do të më tërhiqte kompozimi me njerëz që pozojnë, kurse kështu të lind kureshtja çfarë lloj njerëzish mund të jenë, pse zgjedhin këtë jetesë? Pra edhe kur s’e njeh dikë t’i afrohesh njohjes së tjetrit pa paragjykime. Nga një detaj i vogël fillon e ngre një histori personale. Një pikë rastësie krijon ndonjëherë një histori të tërë. Unë i besoj intuitës.” Në këtë rast, Alketa mendon se personazhet e padukshëm të shtëpive që ka fotografuar, bëjnë historinë e njerëzve jo të organizuar, të shpërndarë si njerëz, pak bestyt, që e jetojnë jetën pa i vënë vetes ndonjë qëllim, që kërkojnë diçka dhe nuk e dinë se çfarë kërkojnë. Nëse do t’i mblidhje personazhet e këtyre familjeve mund të krijohej një shtëpi-kafaz Big Brother, “një familje që nuk do kishte asnjëherë kuptim por mbase edhe mund të funksiononte në fund të fundit.”
Teknika dhe joteknika
“Fotot janë printuar në letër, janë pa kontrast, komplet në gri të lehtë. Zbehtësia është lënë qëllimisht. Në çdo hapësirë ka diçka të cilën në pamje të parë nuk e vëmë re por, nëse qëndrojmë dhe ndoshta për pak do të kuptojmë që mund të na thonë diçka më shumë…Kam fotografuar shumë për hir të pasionit për të zbuluar fotografinë jo për t’u matur sa mirë mund ta bëj unë fotografinë. Ndodhi që pas këtij viti nuk shikoja gjë të re. Më mungonte një lloj mediumi tjetër fotografie dhe akoma po e kërkoj. Më vret ideja që mund ta kem gjetur dhe realizuar në fare pak fotografi atë që kërkoj, atë që dua të bëj, nga ana kompozicionale të paktën. Sepse për mua në kompozim ti do të tregosh ose nuk do të tregosh.”
Duke xhiruar krizën në Athinë
Alketa Ramaj (28) është artiste vizuale por ndonjëherë ajo trajton edhe tekstin si element shprehjeje, siç ndodhi në “Onufri 2010”. Sapo është kthyer nga Athina, ku për një javë mori pjesë në turneun dhe ekspozitën shëtitëse “Kush ua ka frikën krizave?”. Shkupi, Tirana dhe së fundi Athina janë disa qendra ku të rinj nga Ballkani realizojnë gjatë disa ditëve dokumentarë apo videoart mbi temën e krizës. Alketa realizoi një video 4 minuta që e ka filmuar vetë. “U kërkova personave të ndryshëm, vendas, të vizatojnë diçka që u vjen në mendje kur u kujtojnë krizën. Në bllokun tim të vogël të shënimeve, njerëzit vizatuan apo shkruan diçka që tregonte sidomos për aspektin material të krizës. Kriza është edhe një formë energjie, krizën e bëjnë njerëzit. Dhe dëshiroja të takoja njerëzit e thjesht: të rinj që patinonin, punëtorë të zakonshëm, apo të tjerë që pinin birra.”