Publikuar me : 05.07.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 219 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANË- Skema e Sigurimeve Shoqërore vazhdon të thithë nga viti në vit më shumë para nga buxheti i shtetit duke mos mundur të financojë në masën e duhur veten. Qeveria pritet të rrisë edhe më tepër subvencionet nga buxheti i shtetit në ndryshimet që do të kryhen, pasi në të kundërt, mijëra pensionistë rrezikojnë të marrin pensionin e tyre mujor. Kontributet që derdhen nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet vjetore të saj duke detyruar kështu qeveritë që në çdo vit kur bëhet hartimi i buxhetit të ndajnë edhe një shumë të posaçme për të mbuluar deficitin e skemës.
E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit. Skema e Sigurimeve Shoqërore pritet të mos mbulojë në një masë të madhe shpenzimet e saj duke detyruar qeverinë që të rrisë edhe më tepër subvencionet. Madje, mosrealizimi i të ardhurave pritet të jetë më i madh nga sa ishte parashikuar në fillim të vitit. Nisur nga kjo, ekzekutivi ka ulur edhe me 1.2 miliardë lekë pritshmëritë për realizimin e të ardhurave nga Sigurimet Shoqërore, duke i zbritur ato nga 51.2 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim të vitit në 50 miliardë lekë.
Parashikohet që deri në fund të vitit, shteti shqiptar të shpenzojë rreth 79.8 miliardë lekë për pensionet, nga të cilat 50 miliardë lekë arrihet të mblidhen nga derdhja e kontributeve. E gjithë diferenca prej 29.8 miliardë lekë do të transferohet nga buxheti. E thënë ndryshe, në çdo 10 mijë lekë pension që merr një i moshuar në vend, rreth 3 700 lekë atij i shkojnë direkt nga arka jonë e përbashkët, buxheti i shtetit.
Shuma e transferuar nga buxheti vjen edhe shtohet çdo vit për shkak të deficitit të lartë të skemës, pyetja është se deri kur do të vazhdojë buxheti të mbajë këtë barrë të rendë, e cila në vlerë është përafërsisht sa buxheti vjetor i Ministrisë së Shëndetësisë? Nëse qeveritë nuk subvencionojnë skemën me para nga buxheti i shtetit, ajo është e destinuar të falimentojë. Një ndër paralajmërimet më seriozë në lidhje me këtë çështja ka ardhur nga ish-përfaqësuesja e Bankës Botërorë në Tiranë, Kamille Nuamah një vit më parë, e cila kërkoi ndërmarrjen e reformave të qëndrueshme dhe afatgjata në këtë sektor.
Thuajse në të njëjtën linjë qëndron edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Madje, në konferencën e fundit për shtyp, kreu i saj për Shqipërinë, Geruin Bell i sugjeroi qeverisë që të rikthente masën 29.5 perqind të detyrimeve për kontributet e Sigurimeve Shoqërore duke e rritur atë me 5 perqind krahasuar me sot. Qeveria uli dy vjet më parë këto detyrime me 5 perqind duke shpresuar zgjerimin e bazës së kontribuuesve, e cila më pas do të rriste edhe të ardhurat. Efekti pozitiv i muajve të parë nuk u vijua edhe në vazhdim duke bërë që edhe kjo ndërhyrje e qeverisë të mos ishte e suksesshme në iniciativën për futjen e sa më shumë punonjësve në skemë.
Subvencionet e buxhetit për skemën e Sigurimeve Shoqërore
2007 18 mld lekë
2008 20.8 mld lekë
2009 22.9 mld lekë
2010 28.2 mld lekë
2011 28.9 (+1.2)mld lekë
Subvencionet e buxhetit të shtetit ndaj skemës së Sigurimeve Shoqërore vijojnë të rriten nga viti në vit. Zakonisht, qeveria parashikon një vlerë më të ulët subvencioni gjatë hartimit të buxhetit, por tabelat e buxheteve (2008,2009, 2010) tregojnë një rritje të menjëhershme pasi ato janë rishikuar në mes të vitit.
Pagesa e kontributeve
15 perqind punëdhënësi
9.5 perqind punëmarrësi
30.1
miliardë lekë pritet të jetë me të cilën buxheti i shtetit do të subvencionojë skemën e Sigurimeve Shoqërore deri në fund të vitit 2011. Shuma është e përafërt me buxhetin vjetor të Ministrisë së Shëndetësisë
Sigurimet Shoqërore shtrydhin financat publike
TIRANË- Të ardhurat e skemës së Sigurimeve Shoqërore varen direkt nga kontributet që derdhin të punësuarit në shtet apo privat. Në kushte normale, rritja e numrit të të punësuarve apo atyre që futen në skemë, përkthehet në më shumë kontribuues dhe automatikisht në rritje të të ardhurave. Nëse i bazohemi të dhënave zyrtare në lidhje me punësimin dhe shpenzimeve të skemës së Sigurimeve Shoqërore vërejmë se rritja e të punësuarve nuk është shoqëruar me shtim të të ardhurave, përkundrazi. Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, qeveria ka rritur pensionet duke rritur kështu edhe shpenzimet, por gjithsesi kostoja e rritjes së pensioneve (mesatarisht 2 mld lekë në vit) është e pakrahasueshme me masën e subvencionit që transferohet nga buxheti i shtetit.
Në kushtet aktuale, shuma e parave që hyn në skemë është më e vogël se shuma që del nga ajo.
Shifrat e papunësisë kanë ardhur në ulje të vazhdueshme gjatë këtij dhjetëvjeçari. Kështu përshembull, nëse në vitin 2 000 në Shqipëri papunësia në Shqipëri përllogaritej në 16.8 për qind, në vitin 2005 ajo zbriti në 14.2, një vit më pas arriti në 13.9 për qind e kështu më radhë deri në vitin 2009 ku pësoi një rritje të lehtë më vetëm 0.6 për qind. Të dhënat më të fundit nga INSTAT flasin për një rritje të mëtejshme të punësimit edhe përgjatë tre mujorit të parë të këtij viti, ku shifra e papunësisë ka zbritur deri në 13.4 për qind. Por nëse punësimi ka ardhur në rritje, shtimi i të ardhurave në skemën e Sigurimeve Shoqërore nuk është me të njëjtin ritëm me rritjen e shpenzimeve duke bërë mëse të domosdoshme mbështetjen me fonde të posaçme nga buxheti i shtetit. Kështu përshembull, në vitin 2007 qeveria ka ndarë për skemën e Sigurimeve Shoqërore rreth 18 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, në vitin 2008 shuma e subvencionit u rrit në 20.8 miliardë lekë, në vitin 2009 ajo arriti në 22.9 miliardë lekë, në vitin 2010 28.2 miliardë dhe pritet që në vitin 2011 të arrijë rreth 30 miliardë lekë. Sipas të dhënave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore lidh çdo vit mesatarisht 20 mijë pensione të reja, të cilat ndahen kryesisht në pension pleqërie dhe invaliditeti, ndërkohë që numri i atyre që dalin nga skema (largimi nga jeta) është më i vogël.
Nëse ndiqet ky ritëm, një ditë buxheti nuk do të mund të vijojë më me mbushjen e gropës së të ardhurave që shkakton skema. Në këto kushte, edhe qeveria është e kapur në kurth dhe është e detyruar të vijojë subvencionet, pasi nuk mund të lejojë falimentimin e skemës, gjë e cila do të shoqërohej me probleme sociale, por edhe kosto politike. E vetmja zgjidhje sipas ekspertëve është futja në Shqipëri të sistemit tri kolonësh të pensioneve, i cili krahas atij shtetëror përbëhet edhe nga fonde private.
Të punësuarit në vitin 2010 sipas sektorëve
18.1 perqind në shtet
26.6 perqind në privat
55.3 perqind në bujqësi
Camille Nuamah, ish-Përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri
Çështja e pensionit në Shqipëri nuk është një çështje afatshkurtër por afatmesme. Ka gjasa që mënyra sesi sistemi aktual i pensioneve funksionon do të kalojë në deficit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe kjo gjë mund të trajtohet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Nuk është një gjë që mund ta mbyllni në 2015-ën dhe pastaj të rregullohet përmes reformave të tjera
Geruin Bell, kreu i FMN-së për Shqipërinë
Është e mundur që të mbahet ky nivel aktual i investimeve por në këtë rast do të duhej që pagat dhe shpenzimet e tjetra të mbaheshin konstante me terma realë. Por nëse kjo do të konsiderohej mjaft e vështirë, ka opsione nga ana e të ardhurave. Një masë mund të ishte heqja dorë nga ulja e normës së sigurimeve shoqërore (qeveria e uli me 5 perqind dy vjet më parë), pasi nuk çoi në atë rritje të shpresuar në zgjerimin e bazës që paguajnë dhe gjithashtu do të ndihmonte për të ngushtuar deficitin e skemës së pensioneve.
37 perqind
e pensionit që marrin sot të moshuarit në të gjithë vendin financohet me para direkt prej buxhetit të shtetit. Qeveria pritet të subvencionojë skemën e Sigurimeve Shoqërore me rreth 30 miliardë lekë deri në fund të vitit. Ulen parashikimet për arkëtimin e të ardhurave nga Sigurimet Shoqërore, por nga ana tjetër INSTAT konfirmon rritje të punësimit në vend, ç’ka automatikisht do të përkthehej me rritje të të ardhurave në skemë, në të kundërt duhet pranuar rritja e numrit të të punësuarve në të zezë
Skema
Aktualisht, kontributet e Sigurimeve Shoqërore përbëjnë 24.5 për qind të pagës. Nga këto, 21.6 për qind shkojnë tek fondet për pensionet, 1.4 për qind për barrëlindje, 0.9 për qind për pagesë papunësie, dhe 0.6 për qind për aksidentet në punë dhe sëmundjet. Pjesën më të madhe të detyrimit e paguan punëdhënesi (15 për qind) dhe pjesën tjetër punëmarrësi (9.5 për qind) kësaj të fundit i shtohen edhe sigurimet shëndetësore me 2 për qind.
Emirjon Senja