Shkoder, shperthen makina, vdes kambisti. Dyshohet per atentat
Publikuar me : 13.10.2011 Ne :
Kronike - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Foto ilustruese
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një mjet tip Benz duke plagosur rëndë drejtuesin e tij, i cili vdiq më pas në spital.
Ngjarja ka ndodhur në 06.40 në lagjen “Vasil Shanto” në qendër të qytetit të Shkodrës pranë tregut të shkëmbimit të valutës. Mjeti tip Benz me targë SH 1465 E që drejtohej nga Mark Gjoni, 50 vjeç, me banim në Shkodër, ka ardhur nga rruga e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe është parkuar në fund të saj tek kryqëzimi i tregut valutor, në parkingun pranë një pallati, jo larg kishës ortodokse.
Sapo ka parkuar mjetin dhe e ka fikur atë, një shpërthim i fuqishëm i shoqëruar me zjarr ka përfshirë mjetin. Drejtuesi i tij, 50-vjeçari Mark Gjoni është mundur të nxirret nga mjeti me dëmtime të rënda dhe është dërguar në spitalin e Shkodrës ku ka ndërruar jetë pas dy orësh. Kanë qenë persona që punojnë në tregun valutor dhe dyqanet e zonës ata që sapo kanë dëgjuar shpërthimin, janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë të dëmtuarit. Një mjet zjarrfikës ka bërë shuarjen e zjarrit.
Sipas policisë akoma nuk dihet shkaku i shpërthimit, por dyshohet se në mjet ka qenë e vendosur lëndë plasëse që është aktivizuar nga largësia. Për të patur të dhëna më të sakta, nga Tirana kanë ardhur specialistët përkatës. Mark Gjoni punonte si kambist dhe është vëllai i një punonjësi policie në Shkodër. Policia akoma nuk ka dhënë versionin e saj për ngjarjen, shkaqet, pistat e hetimit apo autorët e dyshuar.
Anila Dushi