Publikuar me : 02.10.2011 Ne :
Kronike - 30 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Burime nga Shkodra bëjnë të ditur se është sulmuar një tren mallrash dhe është tentuar të vidhet rreth 1 ton sheqer që transportohej me të. Ngjarja ka ndodhur rreth ores 15.30 në Vukpalaj të Malësisë së Madhe pranë linjës hekurudhore ndërkombëtare Shkodër- Han i Hotit.
Persona të paidentifikuar ndaluan një tren malazez të ngarkuar me mallra të ndryshëm ushqimorë që kishte hyrë në Shqipëri dhe kishte destinacion Sukthin. Rreth 5 vetë kanë vendosur një tra në mes të linjës hekurudhore duke improvizuar një ndalesë dhe kanë detyruar trenin malazez që të ndalohet.
Pasi kanë shkarkuar rreth 1 ton sheqer nga vagonët, kanë larguar traun dhe i kanë kërkuar drejtuesve të trenit të vazhdojnë udhëtimin. Por këta nuk kanë pranuar dhe kanë lajmëruar stacionin ndërkombëtar të Bajzës dhe policinë. Ardhja e kësaj të fundit ka bërë që thasët me sheqer të shkarkuara nga treni për t`u vjedhur të mos mund të tërhiqen nga grabitësit të cilët janë larguar.
Sipas drejtorit rajonal të hekurudhës Tonin Trupa, treni kishte sheqer dhe lëngje frutash që vinin nga Mali i Zi me destinacion Sukthin, por grabitësit janë drejtuar tek vagoni i ngarkuar me sheqer dhe aty kanë bërë shkarkimin e thasëve.
Trupa shton se kjo ndodh pas rasteve të përsëritura me skrap ku në segmente të ndryshme të linjës së vetme hekurudhore që lidh Shqipërinë me Evropën, bllokoheshin trenat dhe vidhej skrapi duke u hedhur në tokë e më pas tërhiqej nga autorët.