Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Politike - 34 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Imami- Poposki
Takimi zyrtar mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, i zhvilluar një ditë më parë (20 janar 2012) në Shkup, mund të quhet një skandal i vërtetë diplomatik mes dy vendeve.
Ashtu siç tregojnë edhe këto pamje (të bëra publike nga portali LajmeShqip.com), në tryezën e takimit dhe në zyrën e shefit të diplomacisë maqedonase, mungon simboli kombëtar shqiptar, flamuri kuqezi, i cili si çdo takim protokollar mes dy delegacionesh duhet të jetë i pranishëm gjatë bisedimeve mes delegacioneve.
Jo vetëm kaq. Zyra e ministrit Poposki është e pajisur më së miri me flamurin e madh të Maqedonisë dhe atë të Bashkimit Europian, por vetëm kaq. Asnjë gjurmë e simbolit shqiptar, flamurit kuqezi, i cili nuk është vështirë të gjendet në Maqedoni, vend në të cilin ky simbol përfaqëson gjysmën e mos më tepër të popullsisë së shtetit të Maqedonisë.
Veç kësaj, edhe vetë takimi zyrtar është zhvilluar në kushte “të çuditshme” për delegacionin shqiptarë me në krye ministrin e Mbrojtjes, Imami, i cili, pasi e ka pritur në këmbë shefin e diplomacisë maqedonase për disa minuta (ndërsa duhet të ishte e kundërta) është “rreshtuar” në tryezën e bisedimeve sikur të ishte një vartës i shefit të diplomacisë maqedonase Nikola Poposki, i cili siç shfaqet në video, është ulur në krye të tavolinës dhe jo përballë delegacionit shqiptar, siç ndodh zakonisht në takimet zyrtare shtetërore të nivelit të lartë.
Ironia shtohet kur mendon se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndodhej në Shkup për të garantuar mbështetjen e Tiranës zyrtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, proces i cili mbahet peng nga vendi fqinj, Greqia.
Takimi Imami-Besimi me flamujt e të dy vendeve…
Në të njëjtën ditë, ministri Arben Imami është takuar edhe me homologun e tij në qeverinë e Maqedonisë, Fatmir Besimi, dhe siç tregon foto, në këtë takim ministri shqiptar i Maqedonisë e respekton pikë për pikë protokollin zyrtar ku në tryezën e vogël shihen mjaft qartë dy flamuj të vegjël, ai kuqezi dhe ai maqedonas.