Publikuar me : 17.12.2011 Ne :
Sport - 70 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Endi Tufa
Kampionët e kontinentit njohën fatin e tyre për vijimësinë në 1/8-at e Champions League me shortin e hedhur në selinë e Uefa-s në Nion të Zvicrës që konfirmoi se këtë vit fati nuk ka në preferencat e tij skuadrat angleze. Janë pikërisht dy përfaqësueset e mbetura nga futbolli britanik në kompeticionin më prestigjioz për klubet Çelsi dhe Arsenal që i japin jetë dueleve më të forta në fazën e parë të knock-outit teksa gjejnë përballë skuadrat italiane. Janë kuqezinjtë e Milanit, skuadra që do të vihet përballë Arsenalit. Kampionët e Italisë që fituan trofeun e tyre të shtatë të Champions në vitin 2007, do të sfidojnë topçinjtë që fituan me rezultatin e përgjithshëm 2-0 ndaj tyre herën e fundit që u përballën në këtë kompeticion në sezonin 2007-2008.
Skuadra tjetër e Londrës, Çelsi i Vijas Boas gjen përballë Napolin që ka fituar goxha status pas kualifikimit në atë grup ferri. Gjithsesi, për t’u mbajtur parasysh është fakti se të dyja skuadrat italiane do t’i luajnë ndeshjet e para në shtëpi, një detaj ky që favorizon anglezet. Më i lehtë shorti për Interin që duke pasur favorin se vinte në short si kryesuese grupi gjen përballë Marsejën e Deshamps, një njohës i mirë i futbollit italian.
Kampionët në fuqi të Barcelonës do të vijojnë misionin në mbrojtje të titullit përballë gjermanëve të Bajer Leverkusenit. Kampi spanjoll që aktualisht ndodhet në Jokohama për botërorin e klubeve do të udhëtojë drejt Gjermanisë për takimin e parë në shkurt, ndërsa ndeshja e kthimit luhet në Kamp Nou. Shorti i lehtë për rivalët e blaugranave, Reali i Madridit që i fitoi të gjashta ndeshjet në grupin D , do të ndeshet me rusët e CSKA Moskës.
Katër herë fituesit e Champions, Bajern Mynih u shortuan me Basel 1893, që eliminoi finalistët e edicionit të kaluar Mançester Junaited. Të dyja skuadra u përballën në fazën e grupeve të sezonit 2010-2011 me gjermanët që i fituan të dyja ndeshjet , 2-1 në Zvicër dhe 3-0 në Mynih. Shorti përmbante tre skuadra debutuese në këtë fazë, përveç Napolit, ishin dhe qipriotët e Apoelit dhe Zeniti i Shën Pjetërburgut. Skuadra nga Nikosia do të ndeshet me Olimpik Lionin, ndërsa rusët gjejnë përballë Benfikën. Takimet e para do të luhen në 14, 15, 21 dhe 22 shkurt ndërsa ato të kthimit në 6, 7, 13 dhe 14 mars.