Publikuar me : 18.10.2011 Ne :
Kronike - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Porto Palermo Himarë
70-vjeçari që rezultonte i humbur në vaskat e peshkimit të Porto Palermos në Himarë ka arritur t’i mbijetojë fuqisë së detit. I moshuari ka dalë në zonën e Jalës dhe gjatë kësaj kohe ka qenë në një nga barkat e vogla që përdoreshin në vaskën e peshkimit.
Kërkimet për të nisën prej 48 orësh. Një ditë më parë veç mjeteve detare u mobilizua për këtë edhe një helikopter, me të cilën është vërejtur një zonë e gjerë për të ndihmuar kërkimet që zhvilloheshin në ujërat detare. Po kështu familjarët, ndihmuar edhe nga efektivë të policisë kufitare kanë krehur zonën në këmbë, ndërsa gjithçka nisi në orët e dy mbrëmjeve më parë, kur familjarët njoftuan se ai nuk ishte
kthyer më në banesën e tij. Për të është shpjeguar se ka shkuar tu hidhte ushqim peshqve në vaskën që kanë në pronësi, duke humbur më pas kontaktet me familjarët. Pasi rezultoi i gjallë, nga njësia e Himarës u njoftuan mjetet të pezullonin kërkimet, ndërkohë që u ndihmua për transportimin e të moshuarit tek familjarët e tij.
* * *
Nuk dihet ende fati i një 70-vjeçari nga Vlora, i cili ka dalë në bregdet mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në rezervatet e peshkut në zonën e Porto Palermos në Himarë. 70-vjecari, Sokrat Duka i cili ishte dhe pronari i rezervateve të peshkut në gjirin e Porto Palermos, ka qenë duke u hedhur ushqim peshqve.
Moti i keq dhe deti i trazuar duket se ka ndikuar rënien e tij në det. Sipas policisë së Himarës, që është njoftuar menjëherë nga familjarët, ka shkuar në vendngjarje, duke njoftuar njëkohësisht dhe policinë kufitare e cila ndodhet në Dhërmi. Por deti, sipas disa peshkatarëve nuk ka qenë asnjëherë me të tillë forcë në këtë zonë dhe kjo po bën të pamundura kërkimet.
Sipas disa efektivëve që po merren me kërkimet, familjarët e 70-vjeçarit kanë shpjeguar se i moshuari shpesh herë shkon për tu hedhur ushqim peshqve në rezervatet në gjirin e Porto Palermos dhe gjithmonë sigurohet duke u lidhur me litar për arsye se ka ndodhur që të ketë patur edhe rënie në det. Edhe dje po të njëjtën gjë ka bërë pasi është lidhur me litar në mes po ushqente peshqit. Por sipas shenjave litari që ai lidhej duket se është këputur ose zgjidhur dhe 70-vjeçari ka rënë në det.
Dallgët, ende vështirësojnë gjetjen e tij. Dhe ditën e sotme në gjirin e Porto Palermos kanë patrulluar mjetet e policisë kufitare për gjetjen e moshatarit, por asnjë shenjë. Në mesditë në ndihmë të policisë së Vlorës ka ardhur dhe një helikopter i cili po vëzhgon nga ajri për gjetjen e trupit. Por deri në orët e pasdites nuk ka patur asnjë gjurmë dhe errësira i bën edhe më të vështira këto kërkime.
Anila Peçi