Publikuar me : 20.09.2011 Ne :
Kulture - 72 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Sot e kësaj dite Shqipëria vazhdon të jetë një “gjetkë” ekzotik në zemër të Evropës. Pak e pranishme në imagjinatën bashkëkohore, pak e njohur, e ndoshta pikërisht për këtë, e “shpikur” në një seri të pasur e të pabesueshme tekstesh letrare, nga romanet deri te fumetti, të gjithë të frymëzuar nga Shqipëria. Ajo përmendet me emër tjetër, por identifikohet saktë gjeografia e saj, elementet gjuhësorë, referimet historike dhe të traditës. Nisur nga kjo premisë, studiuesja italiane e letërsisë Olimpia Gargano, mbajti një seancë në takimin “Landscape and Mindscapes” organizuar nga Universiteti “L’Orientale” i Napolit më 16-17 shtator. Shqipëria e fantazuar, ëndërruar dhe imagjinuar në letërsinë moderne e bashkëkohore. Në intervistën për “Shekullin” Gargano i komenton Ilirinë, Sildavinë dhe Elboninë vende pas të cilave fshihet Shqipëria në hapësirat imagjinare, të cilat studiuesja e sheh në aspektet të utopisë dhe dystopisë.
Ajo ka projektuar dhe një seri fumetti amerikan, me ngjarje vendosur në Shqipëri.
Është vetëm një pjesë e kërkimit në fushën e letërsisë së krahasuar që ajo po kryen për doktoraturën në Universitetin e Nisës, (Francë). “Imazhi i Shqipërisë nga letërsia e udhëtimit në shekujt XIX – XX, përmes “High Albania” e Edith Durhamit, “Souvenirs de la Haute Albanie” i Alexandre Degrand, dhe “L’Albania” i Ugo Ojetti.
Si ka lindur kërkimi juaj mbi Imazhin e Shqipërisë në Letërsinë Evropiane të ’800-’900-ës?
U nisa më qëllimin për të njohur letërsinë e udhëtimit mbi Shqipërinë dhe u dashurova me historinë, kulturën, gjuhën. Vura re që Shqipëria me pasuritë e saj njihet pak nga bota, Me keqardhje zbulova se edhe aty ku duhej të ishte e njohur, në Itali, nuk njihet. Përtej lidhjeve në të shkuarën, edhe për faktin e thjeshtë që në net të kthjellëta, dritat e bregut shqiptar shquhen qartë në brigjet e Adriatikut tonë.
Mund të thuhet pa frikë, qysh në fund të shtatëqindës Edward Gibbon-in e habiste fakti që një vend që dukej qartë nga brigjet italiane “ishte më pak i njohur se Amerika” dhe Shqipëria vazhdon të jetë, sipas përcaktimit që na ka dhënë së fundi prof. Bertrand Westphal, “një vend që nuk e kanë reshtur së eksploruari për herë të parë”. Kur flitet për Shqipërinë duket gjithnjë sikur flitet për zbulimin e një vendi të panjohur. Mirëpo përgjatë dy shekujsh Shqipëria qenkësh përshkruar e rrëfyer nga një letërsi ndërkombëtare e pasur dhe magjepsëse!
Cilët autorë dhe çfarë tekstesh tekstesh për Shqipërinë shqyrtoni ju?
Me tre autorë në mënyrë të veçantë: “High Albania” e Edith Durham, “Souvenirs de la Haute Albanie” i Alexandre Degrand dhe “L’Albania” i Ugo Ojetti. Secili prej të tre teksteve është i panjohur në dy gjuhët e tjera respektive. Për Edith Durham-in, “mbretëresha e maleve”, nuk është e nevojshme t’i thuash gjë lexuesit shqiptar, kaq e njohur është udhëtarja e magjepsur angleze e cila në fillim të shekullit XX, eksploroi e vetme malet e Shqipërisë së Epërme, duke lënë dëshmi që sot e kësaj ditë janë nga më mbresëlënëset.
Keni gjurmuar gjë prej saj në terren?
Më duhet të them se kam ngelur e habitur kur këtë verë në Shkodër, ku shkova pikërisht për të kërkuar gjurmë në kujtim të udhëtimit të saj, nuk gjeta më shumë se një mbishkrim rruge që mbante emrin e saj. Ndonjë “zbulim” e bëra falë bujarisë së njerëzve që banonin në atë vend, të cilët më kushtuan kohë dhe vëmendje dhe më çuan drejt disa gjërave të vogla por që për mua ishin gjurmë të çmueshme.
Sa për Alexandre Degrand-in, ai qe konsull i Francës në Shkodër në vitet e fundit të tetëqindës: përshkrimet e vendeve dhe vëzhgimet që ai ka bërë gjatë mandatit, janë me shumë interes.
Ugo Ojetti, gazetar i dërguari i “Corriere della Sera”-s në Shqipëri. Libri i tij i udhëtimit i botuar më 1902, paraqet vështrim italian mbi një vend në një kohë kur Italia si vende të tjera të Evropës ushqente ndaj Shqipërisë interesa politike e tregtare.
Janë shumë autorët që shkruan letërsi udhëtimi në Shqipëri, duke nisur nga shembujt më të njohur, Byron-it e Pouqueville-it deri në ditët tona.
Dhe ai imazh ju reflekton vetëm vendin ekzotik?
Përtej rivlerësimit të teksteve letrare jo fort të njohur dhe shpesh shumë të bukur, qëllimi im mbetet të nxjerr prej tyre imazhin, perceptimin që ka pasur pjesa tjetër e Evropës, e që vazhdon ta ketë kundrejt Shqipërisë; raportet që ekzistojnë midis krijimit letrar dhe imagjinatës kolektive dhe sa ndikues janë këta dy faktorë.
Udhëtarëve perëndimorë Shqipëria iu është dukur një vend ekzotik në zemër të Evropës, siç i ndodhi Edward Lear-it, i cili i ftuar nga pashallarë të ndryshëm në Jug e Veri, zbuloi që këta ishin “edukuar në mënyrë evropiane” flisnin mirë anglisht e frëngjisht. Në fakt përfshirja e Shqipërisë në perandorinë otomane e ushqente fantazitë me orientalizmat të cilat pastaj në ballafaqim me realitetin merrnin tjetër dimension. Duhet kujtuar që orientalizmi, kuptuar si shije estetike dhe letrare, ka përshkuar gjithë tetëqindën, sidomos franceze, dhe një personazh si Ali Pashë Tepelena ofronte material me bollëk për poetët dhe shkrimtarët, të cilët shpesh, pa e vënë kurrë këmbën në Shqipëri, e “imagjinonin” në tekste e tyre.
Ka ndryshime midis imazhit të djeshëm ekzotik dhe të sotmit?
Unë po e shtroj ndryshe pyetjen: Çfarë kuptimi ka të flasësh sot për Shqipërinë “misterioze”, “të panjohur”, “ekzotike”, në një kohë kur komunikimi, udhëtimet dhe informacioni, dhe jo kontaktet e drejtpërdrejta, do t’i lehtësonte së paku njohjet gjeografike? Këta janë mbiemrat më të përdorur në çdo reportazh udhëtimi apo përshkrim të Shqipërisë. Mund të sillja shembuj pa fund, por po ju përmend një të freskët fare, kur në Tiranë, kombëtarja shqiptare e futbollit ndeshej me skuadrën franceze. Televizioni francez ka transmetuar me këtë rast një sekuencë me titull elokuent: “Albanie, destination exotique”, gjatë së cilës disa personave iu drejtohej pyetja: “Çfarë dini për Shqipërinë?” Përgjigja unanime ishte: “Jo shumë”.
Dhe këtu doja të shprehja një konsideratë personale si njeri që e ka përshkuar në gjithë këto vite vendin tuaj dhe e konsideron një vend për zemër: për “ekzotikën” e tij, parë si veçanti kulturore, artistike me pasuritë natyrore dhe arkeologjike që trashëgon nga një e kaluar historike me interes të jashtëzakonshëm, Shqipëria do duhej të ishte një thesar i mbrojtur nga rrafshimi drejt të cilit po e çon gara e shfrenuar e betonit dhe kjo nuk do të vonojë t’i bëjë krejt të panjohura brigjet tuaja të mrekullueshme dhe qendrat historike e, përfundimisht të njëjta me modelet më të shëmtuara të zhvillimit aq të përhapura në Evropë e gjetiu.
Në takimin e Napolit diskutimi juaj “Illyria, Syldavia, Elbonia, dhe gjetkë: rikrijmi narrativ i Shqipërisë mes hapësirave imagjinare, utopi dhe dystopi”. Çfarë rruge ka ndjekur procesi i rikrijimit letrar për vendin tonë?
Për mua ka qenë e papritur që gjatë kërkimeve për imazhin e Shqipërisë të ndesh aq shumë tregime, romane, madje edhe fumetti, në të cilat Shqipëria merr një emër fantastik, e megjithatë është e identifikueshme. Fenomeni i rikrijimit letrar të vendeve përnjimend ekzistuese nuk lidhet vetëm me Shqipërinë, por me gjithë hapësirën ballkanike.
Te ky tip i veçantë rikrijimi që mund të përkufizohet
gjeofiction, janë krijuar vende me emra fantastikë, ku zhvillohen ngjarje përplot iluzione për vendet që kanë qenë burimi real i frymëzimit, e megjithatë të riorganizuara në mënyrë të tillë për të “sugjeruar” referencën e vërtetë pa e treguar qartë. Në studimin e saj themelor “Ballkani imagjinar”, Maria Todorova pohon se Ballkani është konsideruar si një “tokë e askujt ndërmjet Oksidentit dhe Orientit”, në thelb, një lëmsh i pazgjidhshëm.
Edith Durham, në librin e saj “Shqipëria e epërme” që mendoj se mbetet një nga librat më të mirë të udhëtimit për vendin tuaj, flet për
Balkan Tangle. Pikërisht
Tangle, një lëmsh i koklavitur në të cilin është e vështirë dhe e pakuptimtë të dallosh kombësitë e ndryshme.
Mund të përmendi disa tekste që frymëzohen drejtpërdrejt nga Ballkani?
Një shembull nga të shumtët iu kujtoj romanin e poetit Allen Upëard – vargjet e tij janë përfshirë nga Ezra Pound në antologjinë e parë për poezinë imazhiniste (Des Imagistes, 1914). Romani mban titullin “The Prince of Balkistan” (1895).
Dhe Shqipëria, çfarë autorësh modernë e bashkëkohorë ka frymëzuar?
Ka një prodhimtari të pasur me tekste që frymëzohen drejtpërdrejt nga Shqipëria, e quajtur me një emër fantastik. Iliria është një nga ato emra që kujton emrin e lashtë të vendit të kohën klasike. Tekstet e frymëzuara nga Iliria-Shqipëria klasifikohen në kategoritë: roman epik, thriller, horror, fantazi, aventurë.
Po ju marr një shembull të narrativës utopike: romani
The Holy Machine, i amerikanit Chris Beckett (2004), i vendosur pikërisht në Iliri. Këtu si dhe në raste të tjera, të habit fakti që, ndërsa krijohet një vend imagjinar, me emër fantastik, përshkruhet në të njëjtën kohë me atë saktësinë e duhur për ta bërë të identifikueshëm. Pra, megjithëse emri është “i shpikur”, nga teksti letrar kuptohet qartë për ç’vend është fjala. Në këtë roman, vendi prezantohet si “një territor i vogël i Adriatikut juglindor, i vendosur në hapësirën ballkanike përballë Korfuzit”. Ndërsa gjithë shtetet e botës udhëhiqen nga regjime teokratike, në shtetin e vogëlth të Ilirisë, i banuar nga robotë, feja është e ndaluar.
Ndër shembujt e thriller-it gjejmë “No Laë in Illyria” (T. S. Strachan, Heinemann, 1957) ku një djalosh anglez përballet me “biznesmenë levantinë dhe gangsterë ballkanas”.
Nga letërsia për fëmijë kujtojmë serinë e rrëfime të shkrimtarit amerikan Lloyd Alexander, Iliria është “një mbretëri e vogël në bregun lindor të Adriatikut”. Aty ndodhin aventurat e një vajze me emrin Vesper Holly, që niset drejt Ballkanit në kërkim të të atit, “një arkeolog i çuditshëm dhe i pasur amerikan, i zhdukur gjatë një ekspedite në shtetin ballkanik, të Ilirisë”. (The Illyrian adventure, Puffin, 2000).
Illyria, Syldavia, Elbonia, çfarë paraqesin në këndvështrimin tuaj?
Duke analizuar këto tekste duket sikur rigjen gjithë cliché-të, stereotipet që lidhen me Shqipërinë, të njëjtat që gjen në mediat televizive dhe shtypin e shkruar, dhe pjesërisht nga dëshmitë që jep letërsia e udhëtimit (pozita e saj në mes të Lindjes dhe Perëndimit, kultura e saj e shenjuar nga traditat dhe zakonet, respekti për të huajin, krimi i organizuar), i ndryshuar në një specie “të dyfishtë”, një realitet paralel i evokuar me emër tjetër.
Ky fenomen i përket fumettit ose siç është quajtur fillimisht, “letërsia e vizatuar”. Një nga shembujt më të rëndësishëm dhe aktual është Syldavia nga Aventurat e Tintinit, heroi popullor i fumettit vizatuar nga Hergé, për të cilin del së shpejti filmi me regji të Spielbergut. Pak e dinë që për të krijuar Syldavia-në, Hergé është frymëzuar nga Shqipëria siç i pohon vetë autori në një letër drejtuar një miku.
Syldavia shfaqet për herë të parë në albumin me fumetti “Le Sceptre d’Ottokar” botuar më 1939. Aty flitet për një vend të vogël të Ballkanit që pushtohet me urdhër të një diktatori me emrin Müsstler. Historitë e pushtimeve dhe aneksimeve ishin shumë aktuale në atë moment: më 7 prill ’39, Italia fashiste pushton Shqipërinë; një vit përpara, Gjermania naziste kishte aneksuar Austrinë. Emri i diktatorit të Syldavia-së, Müsstler, sintetizon Musolinin dhe Hitlerin.
Takimi
Takimi “Landscapes and Mindscapes. Metodologjitë kërkimore, shtigjet gjeocentrike dhe poetike të hapësirës në një perspektivë krahasuese” u zhvillua në Universitetin “L’Orientale” të Napolit më 16/17 shtator, nën drejtimin e prof. Bertrand Ëestphal dhe me nismë të tij. Westphal është themelues i gjeokritikës (e cila merret me shqyrtimin e letërsisë së interpretuar në kryqëzimet e saj me hapësirat gjeografike). Morën pjesë studiues nga gjithë Evropa, ku ndër të tjera u trajtua “Greqia imagjinare te Hoelderlini”, Hartografi të trupit utopik në poezinë e John Donne-t, “hapësira të brendshme dhe hapësira të jashtme në Trilogjisë së Kairos (1956-1957) të shkrimtarit egjiptian Nağīb Maḥfūẓ”, “Fiction si hartografi: duke rindërtuar hartën e qytetit të humbur” etj.
Pasioni i parë i Olimpia Garganos ishin letërsia e udhëtimeve. Ajo është lindur në Costa d’Amalfi, në Italinë e Jugut. Kur studioi letërsi antike në Universitetin e Salernos u dha pas shkrimtarëve të Grand Tour-it, udhëtarë evropianë të cilët në fund të ’700-ës, pas zbulimit të Pompeit, po e vizitonin përherë e më shumë Romën, të joshur nga arkeologjia dhe “ekzotika”. Gjuhët e huaja janë një pasion tjetër i Garganos, përkthimi letrar në veçanti nga anglishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Dhe pasioni i ri është Shqipëria.