Publikuar me : 05.08.2011 Ne :
Sociale - 89 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Oficerë të mbretit Zog
Mark Brunga
Armëmbajtja pa leje ka qenë një fenomen që ka spikatur edhe në kohët e kaluara, të njohura si periudha e qeverisjes së Zogut. Ky fenomen në atë kohë me gjithë reformat e ndërmarra nga qeveria zogiste për çarmatosje, ka qenë fenomen mjaft i përhapur. Kjo mund të kuptohet dhe për vetë faktin e vrasjeve të shumta që kanë ndodhur në atë periudhë, për qëndresën e fortë që i bënte Kanuni ligjeve të mbretërisë së re, dhe për faktin që shqiptarët e kishin armën pjesë integrale të ekzistencës sociale. Armëmbajtja ishte fenomen mbarëkombëtar, madje, edhe në qytete si Durrësi, qytete portuale që për këtë shkak ishin më afër Perëndimit.
Gazeta “Shekulli i Ri”, gazetë e cila botohej në qytetin e Durrësit, në numrin e saj të datës 13 tetor të vitit 1928, ka shprehur shqetësimin e vet qytetar për fenomenin e armëmbajtjes pa leje. Gazeta tërheq vëmendjen e opinionit publik mbi servilizmin e organeve policore, denoncon moskontrollet për armët (që në të vërtetë ishin detyrim ligjor) ndaj shtetasve të huaj, duke kërkuar që ata t’i nënshtrohen ligjeve të shetit tonë. Fenomeni i servilizmit e inferioritetit ndaj të huajve, duket ishte i fortë që atëherë, pasi ata që nuk kontrollohen, vëren autori i shkrimit, janë kryesisht “të huej”. Gazeta thekson jo pa ironi se kontigjenti i pasagjerëve të huaj i mbajnë pa frikë këto armë kur zbresin nga anijet në Portin e Durrësit , madje të ekspozuara në mënyre skandaloze, dhe për këtë autori vë në shenjestër të ironisë jo ata që lejohen te sillen në këtë mënyrë, por ata që e kanë për detyrë të bëjnë këtë kontroll dhe nuk janë rigorozë në zbatimin e ligjit. Gazeta “Shekulli i Ri” në numrin e saj të 91-të të vitit të parë të botimit në artikullin
“Të kontrollohen pasagjerët për armë” ka theksuar se:
Në Shqipni ekziston një urdhën që të mbajtunit e armës lejohet vetëm në ata që janë të autorizuar nga autoritetet kompetent. Por këtu në Durrës, thekson artikulli, ky urdhër nuk zbatohet përgjithësisht nga të gjithë.”
SHKELJA E LIGJIT
Gazeta denoncon policinë me këtë rast për standarte të dyfishta në zbatimin e ligjeve të shtetit të asaj periudhe. Shkrimi i saj bën me dije se në Port nuk zbatohet ligji. Ajo shkruan se: “ Kemi vënë re përshembëll se Policia e Portit të qytetit t’onë, nuk kontrollojn pasagjerët që vijnë nga jashtë dhe sidomos të huejt.” Shkrimi sjell edhe raste konkrete se si të huajt jo vetëm nuk kontrolloheshin nga policia dhe doganierët e Portit, por edhe që dilnin me armë në vende publike, gjë e cilësuar nga gazeta si skandaloze. Policia u ka kontrolluar çantat e rrobave dhe ndërkohë atyre u dukeshin armët, askush nuk u ka kërkuar llogari të huajve për to. Për këtë rast gazeta shkruan: “Një ditë shënuamë se disa pasagjervet të huej, tue cilë valizhat për kontollimin e teshavet në zyrët e Doganës u ësht dukur revolveri i varun në brezin e mesit dhe disa të tjerë kemi vënë re se e lënë të duket skandallozisht edhe në vende publike“.
KONTROLLE NË TRUP PËR ARMË
Ky shkrim i asaj periudhe në gazetën “ Shekulli i Ri” kërkon që shteti të paraqitet me më shume dinjitet para të huajve duke u treguar atyre se kemi një shtet të rregullt që është i aftë tu afrojë mbrojtje të sigurtë atyre dhe jo ti lejojë ata (zyrtaret tanë të kufirit shtetëror) që të sillen si një koloni e rëndomtë përpara kolonizatorëve. Gazeta, në kerkim të afirmimit të dinjitetit kombëtar kërkon që tu kujtohet të huajve se siguria tek ne është ma e mirë se në çdo shtet tjetër”.
Për këtë gazeta tërheq vëmëndjen se: “Deri sa këta (është fjala për të huajt e që duhet të kenë qënë shtetas Italianë) nuk e kuptojnë ose nuk duen t’ë kuptojnë se Shqipnia nuk është një shtet ku të jetë nevojë me mprojtë vedin me duart e veta, por ka një autoritet që interesohet për qetësin e përgjithshme ..edhe e cila ashtë shumë ma e mirë se në çdo shtet tjetër…”. Gazeta kërkon që të zbatohet ligji me rigorizitet ndaj të huajve prandaj shton se ose duhet të paisen me leje te posaqme armembajtjeje ose se duhet praktikuar ndaj tyre kontrolli në trup për armë
ARMËT NE MINORITET
Interesante është një letër e cila është një vetë denoncim që një shtetas i bën instancave shtetërore zogiste mbi një armë pa leje që ka në banesë. Denoncimi është bërë në një letër të mbështjellë në formë zarfi dhe ka tekstin në gjuhën e kultivuar shqipe, ndërsa pjesa tjetër, adresimi, është e shkruar në gjuhën greke. Ajo datohet nga shkruesi si e datës 4. 10. 929. Letra e minoritarit Vllasi Lamozi nga fshati Dhrovjan është si më poshtë:
DENONCIM
Unë i nëshkruari Vllasi Lamozi, i të ndjerit Thoma e i së ndjerës Eleni, vjec 64, nga Dhrovjani bracciante e dekllaroj se jam në posedimin e nji arme kalibri… që mbushet nga pas.
N.Y. N 379 927
NËNSHKRIMI