Publikuar me : 09.01.2012 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 86 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Sasia e parave që qarkullon sot në treg jashtë sistemit bankar ka pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Aktualisht, në Shqipëri qarkullojnë dorazi nga qytetarët për të blerë të mira dhe shërbime rreth 195.8 miliardë lekë, ose rreth 6.6 miliardë lekë më pak krahasuar me fillimin e vitit 2010 apo rreth 8 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin statistikor për muajin tetor, në të cilin shpjegon në mënyrë të detajuar zhvillimet në tregun e parasë në vend.
Por çfarë është “paraja në qarkullim”? Me para në qarkullim kuptohet sasia e monedhave dhe kartëmonedhave që janë në duart e qytetarëve, të cilat përdoren për të blerë të mira dhe shërbime. Uljen e sasisë së parave që qarkullojnë ekspertët e lidhin me shkaqe të ndryshme, por për një ekonomi ende informale si kjo e jona shkaku kryesor është rënia e konsumit.
Duke përjashtuar vitin 1997, vlera e parasë në qarkullim e arriti kulmin në dhjetor të vitit 2009, periudhë gjatë të cilës sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në tregun shqiptar qarkulluan rreth 216.7 miliardë lekë, me një rritje prej 13 miliardë lekësh krahasuara me dhjetorin 2008. Një tregues i tillë për vitin 2009 lidhet edhe me nivelin e lartë të investimeve që zhvilloi qeveria gjatë këtij viti, i cili ishte dhe një vit elektoral. Kujtojmë rrugën Durrës-Kukës, ku vetëm për përfundimin e tunelit të Kalimashit u investuan fuqimisht strukturat shtetërore (fakte të zbardhura më pas edhe nga Wikileaks). Në dhjetor 2010 ndërkohë, mësohet se shqiptarët kanë qarkulluar rreth 202.4 miliardë lekë.
Norma e interesit
Ulja e sasisë së parasë në qarkullim nuk përligj as ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në korrik të vitit të shkuar, e cila uli me 0.25 për qind normën bazë të interesit me synim rritjen e kreditimit. Duke parë këto zhvillime, duket se ulja e parasë në qarkullim gjatë tetorit të ketë qenë një tjetër arsye e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të ulur sërish normën bazë të interesit për lekun edhe me 0.25 për qind. Aktualisht, norma e interesit për lekun është 4.75 për qind, më e ulëta e historike duke shpjeguar kështu edhe zhvillimet aktuale në tregun e parasë. Normalisht, normat e ulëta të interesit për depozitat si edhe për kreditë do të duhej të ndikonin në rritjen e qarkullimit të parasë duke demotivuar qytetarët për t’i kanalizuar kursimet e tyre në sistemin bankar nga njëra anë, por edhe duke stimuluar kreditimin nga ana tjetër.
Depozitat
Tendenca për të ruajtur paratë “nën jastëk” është një fenomen i njohur në Shqipëri pavarësisht zhvillimit me hapa të shpejta të sistemit bankar, megjithatë niveli i depozitave ka njohur përsëri rritje gjatë muajit nëntor të vitit 2011. Shoqata e Bankave konfirmon se deri në fund të nëntorit, bankat në bankat e nivelit të dytë ndodhën të depozituara rreth 918 miliardë lekë, me një rritje prej 14 për qind krahasuar me nëntorin 2010. Depozitat e qytetarëve në sistemin bankar gjatë nëntorit janë rritur me 4.2 miliardë lekë krahasuar me tetorin. Pjesa dërrmuese e depozitave në sistemin bankar shqiptar i përket individëve, të cilët kanë më shumë se 86 për qind të totalit.
Paraja në qarkullim
2008 203.7 mld lekë
2009 216.7 mld lekë
2010 202.4 mld lekë
Tetor 2011 195.8 mld lekë
Monedhat dhe kartëmonedhat
Pjesa më e madhe e kartëmonedhave që qarkullojnë sot në treg përbëhet nga ato të prerjes 1 000 lekë me 42 për qind të totalit, e ndjekur nga prerjet 500 lekë, me 30 për qind të totalit. Prerjet 5 000 lekë përbëjnë rreth 11 për qind të totalit, ndërsa prerjet 2 000 lekë, 8 për qind. Pjesa më e madhe e monedha metalike që qarkullojnë sot në treg përbëhen nga prerjet 20 dhe 10 lekë. Të dyja ato bashkë, përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të monedhave metalike në qarkullim. E lartë është edhe sasia e monedhave një lekëshe që qarkullojnë në treg. Nga totali, prej 116 milionë copë monedha metalike, rreth 7 për qind e tyre janë prerje 1 lekëshe. Ato njihen nga sistemi bankar shqiptar, por në realitet nuk kanë një përdorim të gjerë për të bërë pagesa. Kryesisht, këto lloj prerjesh përdoren nga linjat e supermarketeve për të kthyer kusurin.
Inflacioni poshtë çdo parashikimi, 1.7 për qind
Ulja e sasisë së parave në qarkullim shpjegon edhe uljen e befte të ritmeve të rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit gjatë muajit dhjetor, përkundër traditës së përvitshme të rritjes së tyre në këtë periudhë. Instat konfirmoi një nivel inflacioni prej 1.7 për qind gjatë muajit dhjetor, i cili është poshtë angazhimit të Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e tij në treguesit 2 deri në 4 për qind, për krijimin e një stabiliteti që do të lejonte zhvillimin pozitiv të ekonomisë shqiptare. Ishin shpenzimet e ulëta të qytetarëve për festat e fundvitit ato që ndikuan në uljen e çmimeve të mallrave ushqimorë nga tregtarët.
U tërhoqën më pak para nga bankomatet
Në mbështetje të treguesve të publikuar nga Banka e Shqipërisë mbi uljen e sasisë së parasë në qarkullim vjen edhe një tregues tepër interesant nga sistemi bankar. Ai ka të bëjë me sasinë e parave që janë qarkulluar nga qytetarët nëpërmjet kartave të debitit nga bankomatet gjatë muajve të fundit. Shoqata e Bankave raporton se gjatë tetorit 2011 qytetarët kanë kryer rreth 970 500 transaksione me karta krediti dhe debiti duke qarkulluar rreth 10 miliardë e 130 milionë lekë. Ndërkohë, në nëntor 2011 mësohet se janë kryer rreth 970 130 transakione me karta krediti dhe debiti, ndërsa janë qarkulluar rreth 9 miliardë e 946 milionë lekë ose rreth 184 milionë lekë më pak se tetori. Pjesa dërrmuese e transaksioneve, rreth 95 për qind e tyre, janë përdorur për të tërhequr para KESH nga bankomatet, kurse vetëm 5 për qind e tyre u përdoren për të bërë pagesa online apo nëpërmjet pajisjeve POS.
Në Shqipëri ekzistojnë rreth 718 mijë karta që mund të përdoren për tërheqje të hollash nga bankomatet si dhe për të bërë pagesa. Nga këto, rreth 687 mijë janë karta debiti, ku klienti ka një llogari dhe para të depozituara në të në emrin e tij të cilat i përdor me anë të kësaj karte. Rreth 31 mijë të tjera ndërkohë, janë karta krediti. Logjika e funksionimit të saj është si kredia. Në këtë rast, klienti nuk ka një depozitë në emrin e tij. Banka i lejon kartëmbajtësit që të përdorë paratë e saj për të blerë të mira dhe shërbime deri në një shumë të caktuar. Më pas, banka i mban atij nga burime të tjera, sipas kushteve të përcaktuara paraprakisht, principalin plus interesat për paratë që kartëmbajtësi ka përdorur për një periudhë të caktuar.
Kreditë, bankat nuk mbledhin 294 milionë dollarë
Kreditë me probleme kanë njohur një rritje të re gjatë muajit nëntor, madje me ritme edhe më të shpejta krahasuar me muajt paraardhës. Të dhënat më të fundit të raportuara nga Shoqata e Bankave mbi ecurinë e aktivitetit të sistemit bankar në Shqipëri, flasin për një rritje me 30 milionë dollarë të kredive me probleme gjatë nëntorit krahasuar me tetorin. Niveli i këtyre kredive ishte 18.7 për qind në nëntor, kundrejt 18.4 për qindt në tetor 2011. E përkthyer në vlerë monetare, kredia me të cilën bankat hasin probleme në mbledhjen e saj përllogaritet të jetë rreth 1 miliardë e 30 milionë dollarë.
Sistemi bankar shqiptar ka kredituar biznesin dhe individët me një shumë totale prej rreth 5.4 miliardë dollarë ku pjesa më e madhe i është dhënë biznesit. Ky i fundit përllogaritet të jetë kredituar me rreth 4 miliardë dollarë duke përfituar rreth 75 për qind të totalit të portofolit të kredisë së bankave.
Sistemi bankar i vlerëson kreditë në pesë kategori, nga të shëndetshmet e deri tek kreditë e humbura. Vlerësimi bëhet duke u bazuar mbi gjendjen financiare të kredimarrësit si dhe afatit të shlyerjes së kësteve. Bankat i konsiderojnë të shëndetshme të gjitha kreditë, këstet e të cilave shlyhen deri në 30 ditë vonesë nga data limit. Kategoria e dytë janë kreditë në ndjekje, pagesa e të cilave bëhet brenda një afati prej 31 deri 90 ditë nga data limit. Të dyja këto kategori hyjnë tek kreditë e shëndetshme dhe përbëjnë më shumë se 80 për qind të portofolit të bankave.
Problemi fillon nga kreditë që vonohen të shlyerje më shumë se 91 ditë. Këto kredi konsiderohen si të kategorisë së tretë, katërt dhe të pestë. Në total, kreditë në fjalë vlerësohen në mbi 1 miliardë dollarë. Kategoria e katërt janë kreditë, këstet e të cilave shlyhen nga 6 muaj deri në një vit vonesë. Kategoria e fundit janë kreditë e humbura, të cilat bankat nuk mendojnë se mund t’i rikuperojnë. Referuar të dhënave të Shoqatës së Bankave kreditë e humbura arritën në 294 milionë dollarë, kundrejt 285 milionë dollarëve në muajin tetor. Ashtu siç pasqyrohet edhe nga shifrat, kreditë e humbura u rriten me 9 milionë dollarë vetëm përgjatë një muaji.
Bankat fituan 21 mln dollarë në tremujorin e tretë
Përpos treguesve problematik në drejtim të kreditimit, sistemi bankar ka vijuar të rrisë fitimet nga aktiviteti i tij edhe përgjatë tre mujorit të tretë të vitit të shkuar. Shoqata e Bankave raporton se deri në fund të bankat fituan rreth 21 milionë dollarë. Madje, mësohet se ky tremujor ka qenë më i frytshëm për bankat, pasi fitimi ka qenë më i madh krahasuar me tre mujorin e dytë, gjatë të cilit fituan rreth 14.4 milionë dollarë. Fitimi i sistemit bankat përllogaritet të jetë në të njëjtën tregues si një vit më parë. Bankat përllogaritet të kenë fituar rreth 51.6 milionë dollarë kundrejt 50.3 milionë dollarëve të njëjtës periudhë të një viti më parë.