Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Shtetezimi i shkollave, perplasjet e Zogut me fuqite e medha

Publikuar me : 02.09.2011 Ne : Sociale - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli


Foto e vitit 1938


Prof. dr. Beqir Meta

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Megjithëse gjithë periudha e ekzistencës së shtetit shqiptar karakterizohet nga tendenca e përgjithshme e respektimit të të drejtave themelore të minoriteteve, kanë ekzistuar edhe raste episodike për probleme të veçanta ku ka pasur mosmarrëveshje e pakënaqësi. Rasti më i spikatur ishte ai i viteve 1934-1935 kur shteti shqiptar vendosi shtetëzimin e të gjitha shkollave private në Shqipëri. Në fakt kjo masë u ndërmor në kuadrin e krizës së marrëdhënieve shqiptaro-italiane, por njëkohësisht ajo synonte edhe dy objektiva të tjera: 1 – të unifikonte arsimin kombëtar në shembullin e shteteve të tjera europiane, me qëllim që të shmangte diversitetin e theksuar politik, arsimor, edukativ, moral e shpirtëror që kishin shkaktuar këto shkolla, si rezultat i veprimit për një periudhë të gjatë dhe i konkurrencës së fortë, që ato i bënin arsimit publik për arsye te vështirësive financiare e organizative që kishte shteti i atëhershëm shqiptar. Në Shqipëri ekzistonte një situatë specifike pasi ajo e kishte fituar pavarësinë kombëtare rreth një shekull më vonë se popujt e tjerë fqinjë. Në sundimin osman shqiptarët ishin privuar nga e drejta për të kultivuar kulturën e gjuhën kombëtare dhe si rrjedhojë, arsimi në Shqipëri ndryshonte sipas krahinave: myslimanët frekuentonin shkollat otomane, ortodoksët shkollat greke, dhe në krahinat afër vendeve sllave ato serbe e bullgare, katolikët frekuentonin shkollat italiane ose austriake. Kleri i lartë i krahinave të ndryshme në Shqipëri ishte me kombësi të huaj dhe mbronte arsimin në gjuhën e huaj që ishte e tij. Anomalia e sipërpërmendur nuk mund të vazhdonte gjatë. Zgjidhja e vetme që i shërbente ekzistencës së shtetit ishte laicizmi i tij, krijimi i arsimit publik dhe nacionalizimi i të gjitha institucioneve qytetare e kulturore. Bashkimi moral e politik i shqiptarëve ishte tronditur nga diversiteti kulturor që kishte mbretëruar gjatë shekujve midis shqiptarëve. Pra, ishte jetik aplikimi i këtij parimi për të gjitha institucionet politike e sociale. Kjo masë u konsiderua si një domosdoshmëri për forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe të karakterit kombëtar e unik të shtetit shqiptar. Një qëllim tjetër ishte edhe ndalimi i propagandave të huaja që gëlonin në këto shkolla, të cilat gjithmonë kishin vepruar në kundërshtim me interesat e shtetit shqiptar. Fakti që kjo masë nuk drejtohej në mënyrë specifike kundër shkollave greke provohej edhe nga numri i shkollave të tjera të mbyllura: 10 institucione parashkollore, 44 shkolla fillore dhe 13 gjimnaze e shkolla profesionale. Ndërsa numri i shkollave fillore greke ishte 10. Pra dukej qartë se qëllimi kryesor i këtij ndryshimi nuk ishin shkollat minoritare, por ato u përfshinë për arsye të veprimit të përgjithshëm të ligjit.

Qeveria shqiptare deklaroi se synonte që t’i jepte fund regjimit të kapitulacioneve të vjetra që e kishte shndërruar Shqipërinë në një vatër të propagandës së huaj. Ky ndryshim, thuhej, nuk ishte provokuar prej problemeve të shkollave të pakicave, “por prej kujdesit të një vendi, të penguar prej shumë kohësh në zhvillimin e vet kombëtar për të ardhur në kulturën tradicionale”. Ajo deklaronte se shtetëzimi i arsimit nuk ishte një masë e jashtëzakonshme dhe anormale, pasi edhe “shtete, që liberalizmi intelektual i të cilave nuk mund të diskutohej, kishin praktikuar për një kohë të gjatë këtë regjim të monopolit, në rrethana që prej tyre ishin gjykuar si të volitshme” .

Popullsia e minoritetit grekofon nuk e mirëpriti këtë shtetëzim, megjithëse të gjitha elementet e tjerë të shkollës si mësimi në gjuhën greke, tekstet mësimore të botuara në Greqi vijuan si më parë. Qeveria greke dhe konsujt e saj nxitën nënshkrimin e peticioneve nga popullsia minoritare dhe ndërmorën një fushatë politike, diplomatike dhe propagandistike shumë intensive duke amplifikuar rreziqet që i vinin minoritetit nga ky ligj. Këshilli i Lidhjes së Kombeve ia parashtroi çështjen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për të dhënë një mendim ligjor mbi të drejtën e qeverisë shqiptare për të shtetëzuar shkollat private grekofone. Përveç Greqisë edhe qeveria italiane u përpoq ta siluronte pozitën e qeverisë shqiptare duke kërkuar t’i paraqiste shkollat fetare katolike si shkolla minoritare.

Qeveria shqiptare u përpoq ta mbronte pozitën e saj duke pohuar se ajo nuk kishte shkelur ligjet dhe angazhimet ndërkombëtare për mbrojtjen e minoriteteve, të cilat nuk përmbanin asnjë obligim që një shtet t’u akordonte minoriteteve një trajtim superior në raport me shumicën, në bazë të një ligji të përgjithshëm e mbi të gjitha kur reciprociteti u refuzohej minoriteteve shqiptare në vendet e tjera . Qeveria shqiptare deklaronte, se lëvizjen anti-shqiptare që kishte filluar shtypi grek dhe elementët turbullues me anë të mitingjeve në Greqi, nuk ishin shkaktuar nga shqetësimi se gjuha greke ishte në rrezik dhe se elementi grekofon po shqiptarizohej, por vetëm e vetëm se ata po shihnin qartë se privilegjet e tyre shkollore e fetare, që kishin trashëguar nga koha e Turqisë, të cilat i përdornin si vegël politike, nuk lejoheshin më në Shqipëri. Me këtë masë të qeverisë shqiptare, ata panë se ishte rrezikuar qëllimi i tyre i vërtetë: shpresat imperialiste që kishin kundrejt Shqipërisë .

Gjatë debateve me Greqinë në Lidhjen e Kombeve për shkollat e minoritetit grek, qeveria shqiptare mendoi të parashtronte edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Greqi, por nuk veproi aktivisht për arsye se i mungonte mbështetja ndërkombëtare dhe për faktin tjetër se grekët kishin shtypur çdo përpjekje të shqiptarëve për të kërkuar të drejtat e tyre në Lidhjen e Kombeve.

Gjatë debateve, përfaqësuesi grek Politisi, akuzoi qeverinë shqiptare se kishte shkelur privilegjet e Patriarkanës, të cilat i konsideroi si një të drejtë të fituar; Protokollin e Korfuzit, Protokollin e Kapshticës dhe Marrëveshjen Titoni – Venizellos të vitit 1919. Përfaqësuesi shqiptar i kundërshtoi të gjitha këto pretendime duke argumentuar se ato kishin qenë episode historike jodefinitive, të cilat nuk kishin vlerë reale juridike në këtë kohë. Ai veçanërisht shpjegoi se shtetit të pavarur shqiptar nuk mund t’i imponoheshin kapitulacionet e Patriarkanës së Stambollit të akorduara nga sulltan Fati Mehmeti në vitin 1453, pas pushtimit të Stambollit. Këto privilegje ishin përdorur prej Patriarkanës si një armë shpirtërore dhe morale tepër aktive kundër lëvizjeve çlirimtare të gjithë popujve ortodoksë të Perandorisë Osmane.

Gjykata e Hagës me 8 vota pro dhe 3 kundër dha mendimin juridik konsultativ për Këshillin e LK se vendimi i qeverisë shqiptare, megjithëse kishte karakter të përgjithshëm, dëmtonte përpjekjet e minoritetit për të ruajtur identitetin dhe arsimin në gjuhën amtare dhe cenonte barazinë faktike të tij me maxhorancën. Ndërsa pakica e Gjykatës me në krye juristin e njohur Cecil Hurst e konsideronte të drejtë ligjin shqiptar i cili vendoste arsimin publik në të gjithë vendin dhe për gjithë popullsinë, duke e konsideruar një privilegj moszbatimin e këtij ligji në minoritet. Qeveria shqiptare e zbatoi me korrektësi vendimin e Gjykatës së Hagës, por u përpoq që të arrinte një marrëveshje me qeverinë greke që edhe ajo të hapte shkolla shqipe në Çamëri. Debatin shqiptaro-grek, për çështjen e shtetëzimit të shkollave, shtetet ballkanike u përpoqën ta shfrytëzonin për interesat e tyre. Jugosllavia u përpoq të përfitonte për të forcuar më tej pozitat e pakicës sllave në Vrakë, Rumania për të zgjeruar shkollat rumune për vllehët në Shqipëri.

 

 

Shqipëria nuk i kolonizoi minoritetet

Qeveria shqiptare iu drejtua edhe asaj britanike për të ndihmuar në arritjen e një kompromisi me grekët. Përgjigjja e ministrit Anglez në Tiranë ishte dekurajuese. Ai kritikoi qeverinë shqiptare se “në çështjen e shkollave ajo nuk kishte vepruar me abilitet”. Madje në ditët e para të majit marrëdhëniet me ministrin Britanik në Tiranë u acaruan më tej, për shkak të një lajmi, që ai kishte marrë se qeveria shqiptare do të sistemonte 1.500 familje refugjatësh kosovarë në zonën e minoritetit grekofon. Ministri i Jashtëm shqiptar e përgënjeshtroi këtë lajm dhe më tej i kërkoi përfaqësuesit britanik që qeveria e tij të bënte më shumë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave shqiptare, por nuk mori asnjë përgjigje për këtë kërkesë. Megjithëse në disa segmente të ulëta të administratës pati propozime dhe tendenca të veçanta për të përdorur metodën e kolonizimit dhe metoda të tjera me qëllim që të dobësonin elementin grekofon këto u hodhën poshtë nga autoritetet e larta shtetërore dhe nuk u ndërmor asnjë masë në këtë drejtim. Kështu, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike ku procesi i kolonizimit në kurriz të minoriteteve ishte i thelle dhe intensiv, në Shqipëri ai nuk ka ekzistuar.

Në këtë kohë, qeveria shqiptare e ndjeu thellë se uniteti i brendshëm i vendit ishte i kërcënuar seriozisht, sepse përfaqësuesi italian i përkrahur nga ai spanjoll, në LK po përpiqeshin t’i jepnin statusin e minoritetit edhe popullsisë katolike shqiptare. Qeveria shqiptare i shmangu komplikacionet e mëtejshme duke deklaruar se ajo po negocionte një marrëveshje (konkordat) me Vatikanin për këtë çështje.

Në të vërtetë problemi i shkollave nuk ishte i vetmi që shkaktoi debate midis qeverisë shqiptare e minoritetit. Kështu, popullsia e katundeve grekofone të qarkut të Delvinës dhe të Dropullit mbajti vazhdimisht një qëndrim të ashpër kundër përpjekjeve për afirmimin e Kishës Autoqefale Shqiptare . Krerët dhe nxitësit kryesorë të propagandës kundër KOASH ishin agjentët grekë dhe konsullatat greke në Prefekturën e Gjirokastrës. Pas masave që mori qeveria kundër krerëve që nxitën protestat kundër KOASH, kjo rezistencë u fashit disi. Gjithashtu u modifikua statusi i KOASH, neni 8, i cili lejonte që zëvendësit e kryepeshkopit dhe episkopëve të mund të ishin individë të kombësive joshqiptare, me qëllim që të kënaqej elementi grekofon pa i shkaktuar shtetit ndonjë rrezik, apo dëm.

 

Porosia e mbretit Zog: Të mbrojmë shqiptarët përtej kufijve

Shqipëria jo vetëm ndoqi një politikë liberale dhe mirëkuptimi ndaj minoriteteve, por si organizmat shtetërore ashtu edhe ato joqeveritare demonstruan në institucionet e në konferencat ndërkombëtare, një frymë të spikatur liberale lidhur me qëndrimin ndaj minoriteteve. I tillë ishte qëndrimi i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, i cili kryesohej nga intelektuali dhe shtetari i njohur shqiptar Mehdi Frashëri. Ai kërkoi që të formohej një komision i përhershëm i LK për të ndjekur problemet e minoriteteve, por u kundërshtua nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha Evropiane, të cilat e konsideronin “reklamimin kolektiv të problemeve të minoriteteve nga një komision permanent, si një rrezik për paqen” .

Një qëndrim po kaq liberal mbajti delegacioni jozyrtar shqiptar në Konferencën Ballkanike, i cili gjithashtu kryesohej nga politikani i njohur shqiptar, Mehmet Konica. Delegacioni bëri presion, që në këto konferenca të diskutohej çështja e minoriteteve , dhe që vendet ballkanike të respektonin të drejtat e pakicave. Ai deklaroi me vendosmëri, se “shteti shqiptar ishte partizan i zjarrtë i bashkimit ballkanik të bazuar në parimet e drejtësisë dhe miqësisë së plotë dhe se nuk do ishte e mundur që të bëhej ndonjë hap në këtë drejtim pa u njohur të drejtat e pakicave”. Delegacioni ishte porositur më parë nga Mbreti Zog, që të tregonte energjinë më të madhe për mbrojtjen e shqiptarëve përtej kufijve. Delegacioni shqiptar kundërshtoi pikëpamjen greke dhe jugosllave se njohja e të drejtave të pakicave do të përbënte një rrezik për vendin ku ato jetonin duke e cilësuar atë një argument të paqëndrueshëm dhe duke i kundërvënë asaj shembullin e shtetit shqiptar, i cili, që prej krijimit të tij, kishte ndjekur një politikë shembullore unikale në Ballkan në respektimin e pakicave: “Ja pra, ne nuk po shohim asnjë rrezik që mund të na kanoset nga ana e këtyre pakicave. Rreziku do të ekzistonte padyshim në qoftë se sillemi ndaj këtyre minoriteteve sikur të ishin robër lufte”, deklaronte Mehmet Konica në një nga këto konferenca . Delegacioni shqiptar së bashku me atë bullgar kërkuan garanci dhe krijimin e një instrumenti të ri efektiv për mbrojtjen e minoriteteve, si dhe zbatimin e barabartë të këtyre parimeve nga shtetet ballkanike. Ndërsa përfaqësuesit jugosllavë e injoruan problemin e minoriteteve. I gjithë shtypi shqiptar mbështeti përpjekjet e delegacionit shqiptar për afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe kritikoi rastet kur ai u detyrua të bënte lëshime në këtë drejtim me qëllim që të arrihej kompromisi në konferencat ballkanike.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

30 vete per ta nxjerre nga shtepia vajzen qe peshon 400 kilograme

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Sociale - Lexuar : 92 here.
30 vete per ta nxjerre nga shtepia vajzen qe peshon 400 kilograme http://www.youtube.com/watch?v=DpcZnGCL9C0   Georgia Davis, vajaza që peshon 400 kilogram Adoleshentes më me peshë në Britaninë e Madhe, Georgia Davis (19), dje i është ofruar ndihma e shpejtë. Shpëtimi dhe nxjerrja e vajzës nga shtëpia ka zgjatur afro tetë orë. Rruga ku Georgia jeton ishte e mbyllur për kalimin e makinave, sepse duhej të thyheshin dy mure të shtëpisë së saj, që pastaj me vinç ta nxjerrin nga dhoma e fjetjes në katin e parë. Në shpëtimin e saj...Lexo te gjithe artikullin »


» Zbulohet libri qe hedh poshte krishterimin
» Kryebashkiaku italian feston me pistolete ne brez
» Ku ndodhen birra me e lire dhe me e shtrenjte ne bote?
» Arta dhe Ogri, nje shtatzeni e “arkitekturuar”
» Fizikanti kosovar Ajnshtajni ka gabuar ne teorine e relativitetit
» Fizikani kosovar Ajnshtajni ka gabuar ne teorine e relativitetit
» Aurora Molla, vajza qe e parandjeu tragjedine Tani o bote me uro gjume te embel
» Nje lajm i mire per ata qe pelqejne cokollaten
» Kapslleku, ekzaminimi dhe trajtimi i anomalise
» Telashe te tjera per Xhon Travolten

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit