Publikuar me : 19.02.2012 Ne :
Kulture - 73 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Ka procese gjyqësore që ligjërisht e hedhin në anën e humbësve atë i cili moralisht duhej të ishte fitues. Historia e një procesi të tillë vjen përmes dy avokateve të reja Klesta Alikaj dhe Edlira Çiraku. Historia tregon se, jo rrallë, kauza e të rreshtuarve në anën e autorëve, mbrohet në mënyrë absurde.
Gjykata e Tiranës ka regjistruar për vitin 2011 afro 130 padi për
riprodhimin pa të drejtë të veprës së tjetrit, ngritur nga dy agjenci kryesore për mbrojtjen e të drejtës së autorit në Shqipëri: Agjencia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Artistit Interpretues dhe Ekzekutues (AKDIE) dhe Agjencia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit për Muzikën dhe Regjistrimet Mekanike, Albautor. Pothuajse shumica kanë për të paditur bare, hotele, restorante dhe në pjesën dërmuese, çështjet janë
pushuar.
Figuron rast i rrallë procesi gjyqësor mbi padinë penale të dy agjencive ndaj Hotel Doro në Tiranë, i akuzuar për përdorimin pa autorizim të pronësisë intelektuale. Prova e agjencive ishte një fletë gjobe e vitit 2008 sipas së cilës Hotel Doro ishte gjobitur me 20 000 lekë gjobë. Kjo gjobë nuk ishte shlyer prandaj çështja përfundoi në gjykatë.
Në debatet publike, organizuar këto vite nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa hartohej Ligji i vitit 2005 “Për të Drejtën e autorit dhe të drejta të tjera lidhur me të”, në disa raste, agjencitë e administrimit kolektiv të drejtave të autorit janë përballur me përfaqësues hotelesh, restorantesh, si përdorues të pronës intelektuale.
Pala e akuzuar e kësaj historie, e përfaqësuar nga dy avokate të pavarura, Edlira Çiraku dhe Klesta Alikaj (të cilën e njohim prej disa vitesh si programuese të Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri) e ktheu në favor të saj çështjen, që i përket edhe 11 të paditurve të tjerë, hotele në kushtet e Doro-s. Në sajë të mbrojtjes që kanë bërë vajzat, procesi përfaqëson një shembull të ballafaqimit të ligjit për të drejtën e autorit, i zbrazëtive të tij përballë realitetit praktik. Në prill-maj 2011 padia e agjencive ra poshtë duke nxjerr në krye këtë histori.
E veçojmë sepse së fundi ministri i Kulturës Aldo Bumçi përshëndeti projektligjin e ri që po vjen, ndërsa BE, prej vitit 2008 ka dhënë rreth 7.7 milionë € për të drejtat e pronësisë intelektuale në Shqipëri, për trajnimin e specialistëve dhe ndërgjegjësimin e njerëzve në këtë fushë.
Mund të na tregoni për çështjen që keni mbrojtur në Gjykatën e Tiranës ndaj akuzës për shkelje të së drejtës së autorit?
Av. Klesta Alikaj: Ka qenë rasti ku Agjencia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Artistit Interpretues dhe Ekzekutues, AKDIE dhe Agjencia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit për Muzikën dhe Regjistrimet Mekanike, Albautor, ka bërë një
padi penale ndaj një numri të caktuar hotelesh përfshi edhe Hotel Doro…
Sa hotele?
K.A: Rreth 11. Ngrihej kjo padi penale me pretendimin e përdorimit të muzikës në publik pa paguar taksa.
Për çfarë muzike bëhet fjalë?
K.A: Muzikë shqiptare dhe e huaj. Siç e dëgjuat kur hytë në holl, vihet muzikë e huaj, Julio Iglesias apo muzikë e vjetër jazz etj. Është një televizor që transmeton nga kanale të ndryshme, CNN, BBC po edhe stacione shqiptare muzikore.
Inspektorët e agjencisë kanë konstatuar që këtu transmetohet muzikë, kanë bërë një procesverbal që s’është firmosur nga askush dhe ky procesverbal është prova e vetme me të cilën shkojnë në gjykatë dhe bëjnë padi penale. Kjo ishte çështja e parë që filloi të gjykohej me gjithë hotelet e tjera. Vendimi që u dha ishte dhe një precedent, që shënoi rastin e parë në praktikën gjyqësore me këtë objekt, dhe rasti i parë Hotel Doro që e fituam.
Si e shtroni problemin ju?
K.A: Kur kërkohet një taksë vjetore për të paguar për muzikën që përdoret, agjencia duhet të provojë që bën pjesë në strukturat ndërkombëtare dhe ka marrë tagrin për të vjelë taksat vendore për përdorimin e muzikës së huaj. Agjencitë në fjalë nuk sollën asnjë marrëveshje apo dokument që të vërtetonin këtë gjë.
Edlira Çiraku: … sepse si legjislacioni vendas edhe ai ndërkombëtar, kërkon që autorët të jenë pjesë e anëtarësive që ka çdo agjenci dhe për autorët e huaj, vetë agjencitë, duhet të jenë të anëtarësuara në agjencitë e huaja të cilave u paguajnë një tarifë vjetore.
Në Shqipëri ekzistojnë agjencitë AMI, ALBAUTOR dhe AKDIE. Secila mbron një fushë të caktuar. AMI është për producentët. Sipas ligjit 2005 “Për të drejtën e autorit”, pavarësisht se ka një përqindje të vogël për sa i përket përthithjes së tarifave, AMI është agjencia më e fuqishme. Ajo është ura lidhëse midis interpretëve dhe autorëve. Ajo ka 3 perqind të kësaj tarife dhe interpretët 1.2 perqind.
K.A: Agjencitë nuk kanë një tarifë unike. Në zbatim të ligjit “Për të drejtën e autorit” agjencitë duhet të ulen me grupet e interesit dhe të përcaktojnë tarifat në varësi të përdorimit të muzikës e duke pasur parasysh dhe standardin ekonomik të vendit.
E.Ç: Agjencitë u ulën njëherë për të unifikuar sistemin tarifor. Por duke qenë se nuk e çajnë kokën, e duan që të abuzojnë sa të munden, nuk ranë dakord. Në krahasim me gjithë Rajonin, me vende si Mali i Zi, Maqedonia po edhe Rumania, këto tarifa për Shqipërinë janë shumë të larta: i kërkohet një hoteli 50 mijë lekë në muaj.
Përse agjencitë krijojnë këto situata?
K.A: Shoqëria civile në Shqipëri është në krizë, nuk kanë fonde që të bëjnë punën e tyre. Dhe kjo, për mendimin tonë, është një mënyrë, siç po bëhet në të gjitha fushat e tjera, për të vjedhur nga biznesi. Fletë-gjoba që ishte prerë për rastin tonë në vitin 2008, 20 mijë lekë gjobë, nuk është vjelë deri në 2011-ën. E nëse brenda një viti gjoba nuk vilet, parashikohet të bjerë poshtë.
Problemi i madh është mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve. Tarifat që mund të jenë përcaktuar, nuk njihen nga subjektet dhe as nga vetë organet shtetërore. Agjencitë duhet të bashkëpunojnë me organet tatimore. Ka pasur marrëveshje mes tyre, por nuk kanë funksionuar. Prandaj çdo gjë ngelet në ajër dhe ndodhemi në situata të tilla absurde që hapen procese gjyqësore madje me
padi penale.
E.Ç: Agjencitë janë ndarë, secila ka një sistem tarifor të vetin, ka agjentët e vet dhe secila i drejtohet subjekteve tregtare më vete. Mund t’ju them, për aq sa kam qenë prezent në takimet që janë bërë mes agjencive dhe Shoqatës së Hotelierëve të Shqipërisë, që hotelet janë gati të paguajnë. Ata thonë: e dimë që përdorimi i muzikës ndikon, por ne nuk kemi të paguajmë kaq shumë sa kërkoni ju. E kur agjencitë nuk marrin shumën që kërkojnë, për shembull 100 mijë lekë, thonë: na jepni 30 mijë dhe e mbyllim.
K.A: Ndodhi në gjyq ky “propozim”. Agjencitë thoshin: Na paguani 50 mijë lekë dhe e tërheqim padinë. Ky quhet
pajtim. Nëse dikush është me të drejtën e tij ligjore, nuk mund të tërhiqet kaq kollaj! Mendoni formën e agresivitetit: kur këto agjenci kanë ligjin, kanë një tarifë të tyren, kanë marrëveshje me organet tatimore e në fund dalin të paafta të vjelin gjobat.
Atëherë, a paguajnë hotelet për të drejtën e autorit?
K.A: Nuk paguajnë sepse kur vijnë detyrimet vjetore nga organet tatimore, detyrimi për të drejtën e autorit nuk figuron si zë. Subjektet nuk mund të paguajnë aforfe. Mendoni, janë me qindra hotele. Mendoni edhe taksat që ka vënë shteti, 40 perqind, e t’i shtosh kësaj dhe të drejtën e autorit, do ta përmbyste fare situatën.
E megjithatë nuk është kjo fusha më e vështirë për administrimin e të drejtave të autorit të fushën e muzikës. Situata duket më e rëndë me piraterinë e CD-ve, DVD-ve.
E.Ç: Mbrojtja e të drejtës së autorit është shumë e rëndësishme. Është një nga 12 kushtet e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit. Është protokolli nr. 6, pika 3 që neve na është vënë si kusht nga Komuniteti Evropian, jo vetëm për ta mbrojtur nga ana ligjore edhe për ta vjelë nga ana praktike. Agjencitë kanë të drejtë, autorët kanë të drejtë. Është thjesht mënyra si e shpërdorojnë këtë të drejtë dhe përfitojnë nga gjithë kjo amulli. Fusha e drejtës së autorit është fusha më e virgjër që mund të ekzistojë te ne. Mendoj se Zyra Shqiptare e Drejtës së Autorit do duhej të luante një rol kryesor. Duke qenë institucioni i vetëm publik kryesor në Shqipëri i cili merret me mbrojtjen e të drejtave të autorit, zyra luan edhe rol kontrollues ndaj agjencive, por edhe këshillimor.
K.A: Në Shqipëri bëhen ligje shumë të mira sipas standardeve, por çalon zbatimi sepse mekanizmat janë të mangët. Çdo ligj kërkon koordinim të organeve shtetërore sepse tek e fundit ato e bëjnë të zbatueshëm ligjin. Duke u marrë me çështje gjyqësore insistoj: që agjencitë që marrin përsipër të mbrojnë të drejtën e autorit, të mbrojnë të drejtat vetëm të atyre autorëve që janë të anëtarësuar.
E.Ç: Skandalozja është që agjencitë vijnë të kërkojnë tarifa në emër të autorëve të huaj. Kjo është shkelje. Kjo është vepër penale. Ky është mashtrim. Ndërsa për autorët shqiptarë…
Nëse transmetohet muzikë, për shembull nga Ferdinand Deda, si mbrohet rasti?
E.Ç: Një nga dy agjencitë e përmendura do duhej ta merrnin përsipër, nëse ky autor figuron i regjistruar apo i përfaqësuar nga dikush tjetër. Ligji i 2005-ës nuk e thotë në mënyrë të qartë dhe eksplicite që duhet të jesh i anëtarësuar që të mbrohesh. E lënë në bazë të interpretimit. Dhe agjencitë thonë që pavarësisht se nuk je i anëtarësuar, unë kam të drejtë të të mbroj se jam në tokën shqiptare.
K.A: Unë e lexoj ndryshe. Agjencia që vjel të ardhura në emrin e një autori që nuk është i anëtarësuar dhe s’i paguan gjë, d.m.th që e vjedh.
E.Ç: Ka dy mënyra që njeh ligji shqiptar i 2005-ës: autori ose mund të bëjë kontratë anëtarësimi me agjencitë ose mund të bëjë kontrata individuale me ata që e përdorin të drejtën e autorit, p.sh me TV-të, e në këtë rast agjencitë nuk kanë të drejtë. Por autorët nuk janë shumë të qartë në këtë pikë.
K.A: Palët që ngrinin padinë në procesin tonë gjyqësor kishte mungesë provash që tregon që çalon dhe puna e tyre. Nuk kishin një solidarizim para gjykatës me argumentet ligjore. Nga ana juridike dhe provueshmërisë së faktit, ne kemi dalë të fituar por praktikisht, e kemi deklaruar dhe në seancë gjyqësore, agjencitë kanë të drejtë.
Në çfarë rezultatesh dilni pas kësaj përvoje?
K.A: Në Shqipëri të drejtat e autorit shkelen me të dy këmbët. Është një kaos i tërë sepse ndërgjegjësimin në radhë të parë e bëjnë këto agjenci, e bën shteti. Duhet të jetë edhe frika ndaj ligjit që këtu nuk ekziston fare. Sepse ja ke një gjobë 20 mijë lekëshe që pavarësisht se është minimale, nuk është vjelë, shuhet nga regjistri fare, unë s’e paguaj dhe historia mbaron. S’ka mekanizma që ta vënë në praktikë dhe gjithsecili bën atë të vetën.
E.Ç: Shto paaftësinë dhe grykësinë e agjencive.
K.A: Gjyqi ynë ishte i thjeshtë. Ishim të bindura në atë që po bënim. Nuk është se po bënim avokatin e djallit, sepse ishim koshiente për problemet që ekzistojnë dhe në ligj dhe në mekanizmat e vënies në praktikë të ligjit. Madje edhe ndër gjyqtarët ka një mungesë ndërgjegjësimi të plotë.