Publikuar me : 05.10.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 41 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Krahas punës së përditshme bankat, avokatët, noterët, zyrat e këmbimit valutor, etj., janë të detyruar që të “kujdesen” edhe për sigurinë kombëtare. Prej tri vitesh është në fuqi ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ndërkohë që së fundmi, Ministria e Financave ka nxjerrë një tjetër udhëzim, i cili specifikon mënyrën se si do të verifikohen llogaritë bankare të personave që bëjnë transaksione të dyshimta apo edhe transfertave në vlera për të cilat ligji bën të detyrueshëm verifikimin.
Në udhëzim parashikohet me detaje marrja e informacionit, verifikimi dhe raportimi i tij pranë Njësisë së Inteligjencës Financiare në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila më pas bën kontrollet nga ana e saj në bashkëpunim me institucionet e tjera. Bashkë me udhëzimin, Ministria e Financave ka miratuar një formular raportimi, i cili do të plotësohet nga punonjësi i bankës apo zyrat e këmbimit të parave në rastet kur në sportelin e tyre persona të ndryshëm kryejnë transaksione bankare në vlera mbi 6 milionë lekë apo edhe në rastet ku ata dyshojnë për veprimtarinë e tyre. Për këtë gjë qytetarëve u kërkohen edhe disa dokumente shtesë si dhe të dhëna për shoqërinë, nëse bëhet fjalë për biznes.
Në rastet kur bëhet fjalë për para në CASH, vlera e cila bën të domosdoshme raportimin është në masën 1.5 milionë lekë apo në vlerë të njëjtë në valutë. Në çdo rast, institucionet përgjegjëse duhet të raportojnë për aktivitetet e dyshimta brenda një afati kohor maksimumi 72 orë nëpërmjet formularit të posaçëm. Fillimisht, raportimi bëhet tek personi përgjegjës që merret me rastet e dyshuara për pastrimin e parave apo financimin e terrorizimit pranë bankave. Ky i fundit bën verifikimet dhe më pas, rastin e raportuar bashkë me dokumentacionin e siguruara ia vë në dispozicion Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Krahas verifikimeve nga pasaporta, karta e identitetit apo mjete të tjerë identifikimi të ngjashme, punonjësi mund të kërkojë edhe dokumente të tjera.
Madje nëse vazhdon të ketë dyshime mbi identitetin e personit që po bën transaksionin, punonjësi kanë drejtë që të kërkojë edhe mjete të tjera identifikimi të cilat fillojnë nga diploma e shkollës së mesme apo universitetit deri tek vërtetimi nga njësia bashkiake. Kjo vlen vetëm për individët, ndërkohë që për bizneset nevojiten edhe akti i themelimit apo vërtetime nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Krahas kësaj, banka apo institucionet e ngjashme duhet të bëjnë edhe verifikimet mbi personin apo biznesin pritës të transaksionit si dhe pronarin e biznesit, aktivitetin e tij, etj. Në çdo rast, bankat apo noterët duhet të ruajnë dokumentet deri në një periudhë 5 vjeçare nga mbyllja e marrëdhënien me klientin me detyrim vënien e tyre në shërbim të autoriteteve shtetërore në rastet e kërkuara prej këtyre të fundit.
Doganat, detyrim deklarimi i shumave mbi 1.5 mln lekë
Shumëkujt mund t’i ketë rastisur të qarkullojë shuma më të mëdha se 6 milionë lekë në bankë duke menduar se marrja e të dhënave nga punonjësit e bankës ka qenë një punë rutinë. Bankat e kanë detyrim ligjor raportimin e rasteve të tilla pasi në të kundërt përballen me gjoba nga ana e Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. E njëjta gjë vlen edhe në rastet e transfertave të parave në dorë, CASH por në këtë rast është individi që duhet të bëjë deklarimin në doganë. Vlera maksimale që mund të kalohet pa e deklaruar është 1.5 milionë lekë. Për çdo qindarkë më shumë çdokush e ka detyrim që të deklarojë në doganë vlerën që po transporton.
Kush raporton tek DPPP-ja
Ligji për parandalimin e pastrimit të parave, detyron të raportojnë pranë DPPP-së:
Bankat
Avokatët
Noterët
Pikat e këmbimit valutor
Kazinotë
Pikat e basteve
Shoqëritë e tregtimit të makinave
Një rast konkret i një raporti të dyshimtë
Njësia e Inteligjencës Financiare është informuar nëpërmjet një RAD, se shtetasja D ka kryer transaksione në vlera të larta përmes dhënies së një personi tjetër të një huaje me vlerë 493,000 Euro. Gjithashtu, shtetasja D ka nënshkruar edhe kontrata për shitjen e pasurive të paluajtshme për një apartament në vlerën 110 000 euro dhe ambient tregtar me vlerë kontrate 340,000 Euro. Nga kërkimet rezultoi se ajo ka dy aktivitete biznesi. Një muaj më pas, ajo rezulton të ketë blerë apartament me vlerë 52 000 euro, nga i ati i shtetasit të cilit i ka shitur ambientin e mësipërm tregtar. Gjithashtu, ajo ka marrë disa kredi pranë bankave të nivelit të dytë, të cilat shpesh janë shlyer para afatit. Nga informacionet e marra nga tatimet mbi dy bizneset e saj rezulton se fitimet e tyre janë të ulëta, dhe nuk mund t’i justifikojnë të ardhurat e investuara nga ajo. Bazuar në informacionet shtesë, NjIF është njoftuar për faktin se ish-bashkëshorti i saj ka qenë i arrestuar jashtë vendit për veprën penale “trafikim të lëndëve narkotike”. Bazuar në të dhënat e mësipërme lindin dyshime mbi origjinën e të ardhurave, të cilat mund të jenë siguruar nga aktiviteti i kundraligjshëm i ish-bashkëshortit të saj.