Publikuar me : 17.02.2012 Ne :
Kuriozitete - 75 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Piro Lutaj & Armando Prenga*
Duket se moti më shumë se sa kapriçoz po ecën në ciklet normale të tij. Situata të rralla në fakt, por jo se nuk kanë ndodhur më parë. Kulmi i asaj që mbahet mend është viti 1985, kur veriu i Shqipërisë u bllokua totalisht nga dëbora. Që këto fenomene të natyrës të përballohen me sukses, kërkohet minimalisht që qytetarët të kenë aleatë të tyre, më së paku Qeverinë.
Çfarë po na ndodh sot? Në malësitë tona kemi izolim; në ultësirën bregdetare kemi probleme, pasi në dimër, na mbyten fushat dhe deti na gllabëron qindra hektarë tokë; në zonat kodrinore dhe malore pyjet janë prerë dhe erozioni po bën kërdinë. Lumenjtë dhe shtretërit e tyre janë degraduar nëpërmjet marrjes së inerteve dhe janë prishur plotësisht sistemet bonifikuese të zonave fushore, pasi ishin “të kohës se diktaturës”. Hidhen miliona dollarë, të cilat çdo vit “i merr lumi”, apo përpihen nga zullumi qeveritar.
U hodhën miliona në përmbytjen e Janar-Marsit të 2010 në Shkodër, por, fatkeqësisht nuk ka ende një shifër totale të llogaritur, pasi ato i mori përmbytja e Dhjetorit të po atij viti. Kjo që po ndodh aktualisht në zonën verilindore është vërtet fatkeqësi, por qeveria e ve theksin te solidariteti dhe tek ajo që duhet të bëjnë vetë qytetarët. Po shteti me institucionet e tij? Qytetarët e kanë pranuar dhe u janë përgjigjur të gjitha detyrimeve që u takojnë, por si po shpërblehen ata? Me vuajtje e varfëri ekstreme, me pamundësi për të përballuar fatkeqësi të tilla dhe me tallje të qeveritarëve nga ekranet televizive.
Vitet e fundit nga zonat rurale kanë lëvizur pjesa më e madhe e banorëve, të cilët janë vendosur në zona urbane dhe kanë bërë shumë mirë. Imagjinoni sikur sot, në ato zona tërësisht të harruara nga Qeveria, në mënyrë të veçantë në veri, verilindje dhe juglindje të ishte ende prezente popullsia që tashmë është zhvendosur.
Qeveria nuk është ne gjendje të na thotë as se sa njerëz janë të izoluar, cila është sasia e rezervave që ata kanë dhe nëse nuk kanë, pse nuk i kanë? Cila është sasia e gjësë së gjallë në ato zona të izoluara dhe sa rezerva ushqimore kanë për to?
Ku i ka statistikat Qeveria, që të bëjë sot diferencën për diçka ekstra nëse do të ishte e nevojshme, siç është në fakt për shkak të situatës së paparashikueshme? Është e qartë që qeveria nuk ka asnjë llogari të tillë, sepse as nuk ka menduar një emergjencë të kësaj natyre. Ja ka lënë gjithçka në dorë fatit dhe mjaftohet duke i hedhur fajin … zotit dhe opozitës. Ne nuk po e kuptojmë akoma si e do zoti Berisha motin, që t’u thotë qytetarëve shqiptarë, se më në fund nën kujdesin e tij dhe të Qeverisë që ai drejton nuk do të kenë asnjë pasojë?!
Të gjitha situatat e emergjencës të ndodhura vitet e fundit nuk na kanë shërbyer aspak për të ndërtuar së paku ndonjë strategji. Siç e cekëm edhe pak më sipër, nëse do të llogariten paratë e shpenzuara në këto emergjenca, dhe po të shpenzoheshin ato me projekte afatgjata, nuk do të ishim në këtë situatë, e cila gllabëron e gllabëron fonde dhe varfëron gjithnjë e më shumë arkën e shtetit, e për rrjedhojë popullin. Po sjellim në vëmendje vetëm disa investime në zonën e Nënshkodrës për lartësimin e argjinaturave, investim i cili nëse do të ndodhemi përballe një situate tjetër përmbytjeje, do të përfundojë gjithashtu në det. Është qesharake kur shikon sot në magjistralet kryesore të rrugëve të bllokuara nga dëbora, disa mjete ushtarake të kohës së miqësisë shqiptaro-kineze, apo fadroma të cilat nuk janë të destinuara për atë lloj pune dhe që nuk i kanë kapacitetet e nevojshme. Këtu është vendi të ngrihet një shqetësim qytetar për ushtrinë shqiptare anëtare e NATO-s, e cila në një angazhim të tillë që përbën një nga detyrat kryesore të saj për kohë paqeje, (përballimi i emergjencave civile), shfaqet me mjete ushtarake të viteve ‘70!
I ndjejmë të gjithë ushtarakët që shkojnë në këto emergjenca dhe vlerësojmë lart përkushtimin që ata tregojnë, por i kemi pare ata të futen në mes të ujit edhe pse nuk kanë pasur veshjet e nevojshme, i kemi parë të flenë të lagur apo edhe të mos flenë fare, i shohim dhe sot në mes të dëborës në sakrifica ekstreme. I përgëzojmë dhe ju jemi mirënjohës për gjithçka ata bëjnë, por nuk mund të ndjehemi mirë kur Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm vazhdon t’i lerë në gjendje të tillë të mjerueshme. Duhej të ishte pajisur me mjete bashkëkohore, së paku Brigada e Mbështetjes Rajonale dhe struktura të tjera të saj me qëllim përballimin e emergjencave të kësaj natyre. Nuk mendojmë se kjo është çështje fondesh, pasi ato janë, por duhen përdorur konform prioriteteve.
Çfarë kemi mësuar nga emergjencat e shkuara dhe sa i kemi adaptuar prioritetet e modernizimit në interes të përmbushjes me sukses të misionit të ngarkuar? Kjo është pyetja që shtrohet sot përpara të gjitha strukturave që merren me menaxhimin e situatave emergjente! Situata po vijon të përkeqësohet për shkak të një dimri vërtet të ftohtë e me reshje të mëdha. Po a është ky dimri i fundit i këtij lloji? Unë mendoj se jo, natyra do të bëjë punën e saj. E rëndësishme është që instancat shtetërore të marrin të gjitha masat e nevojshme e t’i largohen propagandës boshe e bajate. Kërkohen strategji afatgjata në këtë drejtim. Duke shprehur solidaritet me banorët e zonave të emergjencës le të shpresojmë se Qeveria do t’u largohet shfaqjeve televizive dhe do të marrë përsipër përgjegjësitë e saj, duke e pasur mendjen tek qytetarët jo tek agallarët…
*Deputetë, Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare