Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Si falen kamatat ne pagesat per ISSH-ne

Publikuar me : 11.08.2011 Ne : Ekonomi dhe Biznes - 146 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“Në përmbajtjen e tij,  Ligji nr.10418 date 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, krahas faljes së disa detyrimeve në sektorë të tjerë, fal dhe një pjesë të mirë të detyrimeve kontributive, gjobave e kamatvonesave në fushën e sigurimeve shoqërore, – thotë në këtë intervistë drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku

Sipas z.Balluku, “ligji i mësipërm, mundëson faljen e detyrimeve kontributive, gjobave dha kamatvonesave, por këtë e bën në përputhje me statusin e subjekteve, duke patur në konsideratë subjektet e vetëpunësuar, që nuk kanë të punësuar të tjerë, si dhe subjektet juridikë e fizikë me të punësuar, ku punëdhënësit krahas përgjegjesive të tyre, kanë përgjegjesi për sigurimin shoqëror dhe të personave të tjerë të punësuar”.

 

Z.Balluku, përgjithësisht ka konfuzion te qytetarët lidhur me faljen e gjobave dhe kamatvonesave. Çfarë përfitojnë realisht sipas jush në fushën e Sigurimeve Shoqërore të vetëpunësuarit në qytet?

Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjestarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë patur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat.

Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 Janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjestarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë patur këtë status, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31.12.2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti.

Të gjithë tatimpaguesit të mësipërm, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, ku përfshihen edhe detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.

 

Po për të vetëpunësuarit në bujqësi çfarë parashikohet lidhur me detyrimet e prapambetura?

Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat.

Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 Janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brënda datës 31 Dhjetor 2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011.

Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, përfitojnë nga falja e të gjithë gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përftimit të së drejtës për pension sipas përcaktimeve të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Po për personat fizikë dhe juridikë?

Ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë e fizikë privatë të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave.

Subjektet e mësipërme debitorë për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një proçedim penal dhe proçesi nuk ka përfunduar.

 







Cila është rruga dhe koha e pagesave për të përfituar vjetërsinë për pensionin?

Ashtu sikurse u theksua, nëpërmjet ligjit të mësipërm falen një masë e madhe detyrimesh të prapambetura, gjoba dhe kamatvonesa. Për subjektet të vetëpunësuar, të cileve iu falen detyrimet kontributive, por që kjo nuk konsiderohet si vjetërsi kontributive, për të përfituar nga ligji i sigurimeve shoqërore,  iu jepet mundësia për të paguar detyrimet kontributive pa gjoba dhe kamatvonesa. Sipas mundesive financiare që mund të kenë këto subjekte, do të ishte shumë e dobishme për të shlyer këto detyrime, dhe për të përfituar të plota ato mundësi që jep legjislacioni i sigurimeve shoqërore. Pra në qoftë se i përmbahemi kërkesave të legjislacionit të sigurimeve shoqërore, për të përfituar pension të plotë kërkohet që çdo person të ketë jo me pak se 35 vite vjetërsi kontributive në punë. Kështu ata persona që nuk e plotësojnë këtë vjetërsi, mund të paguajnë detyrimet për vitet e papaguara, duke patur të favorshëm faktin që këto pagesa do të paguhen pa gjoba dhe kamatvonesa.

 

Çfarë përfiton me këtë falje një person të cilit ndërmarrja mund t’i ketë mbajtur paratë e sigurimeve, por realisht nuk i ka derdhur këto sigurime në arkat e ISSH-së, e që tani ajo ndërmarrje mund të jetë e mbyllur ose e falimentuar? Po në rastet kur ndërmarrja funksionon ende?

Të mbash nga paga e të punësuarit detyrimin kontributiv dhe të mos paguash këtë detyrim  ndaj organeve të sigurimeve shoqërore, përbën vepër penale. Theksojmë se për subjektet juridike falen vetëm gjobat dhe kamatvonesat deri me 31.12.2010. Mospagimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore, është një detyrim kontributiv dhe si i tillë nuk falet. Theksojmë se në këtë rast të rëndë, punonjësit që u janë mbajtur detyrimet e tyre dhe nuk janë paguar, kanë të gjithë të drejtën për të ngritur padi penale ndaj personit urdhërues dhe zbatues të këtij veprimi. Në rast se subjekti është në veprimtari ekonomike, duhet bërë denoncimi pranë organeve tatimore.

 

Po një bujk, çfarë përfiton me këtë falje kamatash?

Në kushtet e veprimit të ligjit nr.10418 date 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”,  për t’u siguruar nga 1.10.1993 e  deri me 31.12.2011, që përbëjnë një vjetërsi kontributive prej 18 vite e 3 muaj, fermeri duhet të paguajë 120,936 lekë në zonat fushore dhe 78,437 lekë në zonat malore. Vlen të theksohet fakti se që nga viti 1993 e deri në vitin 2002, masa e pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore për fermerët ka qenë 1,620 lekë në vit për zonat fushore dhe 972 lekë për zonat malore. Duke patur një vjetërsi si të vetëpunësuar në bujqësi, që konsiderohet ligjërisht si vjetërsi pune në qytet, bazuar në nenin 92 të ligjit nr.7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, një vjetërsi e tillë e cila kalon ½ e 35 vite, që kushtëzon pensionin e plotë, fermerët përfitojnë pension të plotë si në qytet.

Po të marrim në mënyre hipotetike, sikur femeri të mos ketë vjeterësi tjetër në punë vetëm me këtë vjetërsi kontributive si i vetëpunësuar në bujqësi, me pensionin e pjesshmëm që do marrë, do e barazojë pagesën e bërë për 1 vit e 3 muaj për fermeret në zonat fushore dhe për afer 10 muaj në zonat malore.

Po kështu një favor i konsiderueshëm i bëhet grave që marrin leje lindje, të cilat përfitojnë mesatarisht nga shpërblimi i lejes së lindjes, aq sa mund të paguajnë për kontributet e sigurimeve shoqërore që nga 1.10.1993 e deri me 31.12.2011.

 

Po kushtet e përfitimit nga barrëlindja, cilat janë për të vetëpunësuarit në qytet? Po në fshat?

Në nenin 27 te ligjit 7703 date 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqiperisë”, të ndryshuar përcaktohet se “E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga ky rregull rasti kur gjatë periudhës së përfitimit të barrëlindjes, gruaja ka kushte për një përfitim të ri barrëlindje”.

Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 42 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan qe do të ketë në barrë me shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 42 ditë pas lindjes së fëmijëve.

E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:

- 80 përqind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;

- 50 përqind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën tjetër në vazhdim.

E ardhura për barrëlindje për gratë ekonomikisht aktive është e barabartë me nivelin bazë të pensionit të pleqerisë.Nëna që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo me pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës se 42 të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë.

Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur, do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 42 ditë pas lindjes.

Në Vendimi e Këshillit të Ministrave nr.1114 date 30.7.2008, me ndryshimin e fundit, shuma bazë e përfitimit për gratë qe marrin leje lindje, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetëpunësuara në bujqësi, nga data 1.7.2011 e në vazhdim, do të jetë 12 muaj pension baze fshati ose 12 x 7 468  = 89,616. Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë  me 50 përqind të pagës minimale mujore. Aktualisht paga minimale është 17,540 lekë në muaj, pra shpërblimi është 8,770 dhe shuma që merr një grua fermere për leje barrëlindje së bashku me shpërblimin është 98,386.

 

 

Po në rastet kur njëra lindje kap lindjen e dytë, pa patur periudhë pune, ose duke patur vetëm disa muaj, a përfitohet pagesa e barrëlindjes?

Gruaja për të përfituar pagesë të ardhurash për barrëlindjen e dytë duhet të ketë 12 muaj të tjerë periudhë sigurimi, përveç periudhës së sigurimit prej 12 muajsh që u vlerësua si kusht për lindjen e të drejtës për pagesë të të ardhurave për barrëlindjen e parë.

Ky kusht vlerësohet se është i plotësuar edhe kur gruaja e punësuar, punëdhënëse, ose e vetëpunësuar në qytet periudhën e dytë 12 mujore të sigurimit nuk e ka të realizuar në harkun kohor nga përfunndimi i pagesës së barrëlindjes së parë e deri para lindjes së të drejtës për pagesën e barëllindjes së dytë, por e ka të realizuar nga 1.10.1993 e deri para përfitimit të pagesës së barrëlindjen së parë.

 







Po emigrantët, në cilat fusha janë përfitues në rast sigurimi?

Qe nje shtetas shqiptar te sigurohet vullnetarisht duhet te plotesoje keto kushte :

1. Te kete mbushur moshen 18 vjeç

2. Sigurimi te behet para lindjes te se drejtes per perfitim nga ligji per sigurimet shoqerore

Me këtë sigurim emigrantët kompletojnë vite të pasiguruara, për të përfituar të gjitha llojet e pensionit, Pension pleqërie, Pension Invaliditeti, Pension familjar.

Për të përfituar një pension të plotë kushtet kryesore janë një moshë që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe vjetërsi në punë 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë Në rast se këto periudha i kompeson me sigurim vullnetar atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vitesh do bënte që ky të përfitonte një pension të pjesshëm. Po kështu në të njëjtën mënyrë një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plote mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë totalisht këtë lloj përfitimi. Pra problemi qëndron që emigrantët të mos i “djegin” ata vite që kanë në Shqipëri, por të kompletojnë vitet e munguara për të përfituar nga ligji një pension të plotë ose të pjes’shëm.

 

Si mund të bëhen pagesat vullnetare dhe sa është shuma e tyre? A mund të paguhen përmes të tretëve?

Zakonisht, sigurimi vullnetar për emigrantët është bërë në kohën kur ata janë kthyer, për pushimet verore apo në fundvitit. Po kështu shpesh sigurimi vullnetar bëhet dhe nga të afërmit e autorizuar prej tyre. Procedurat jane tepër të thjeshta dhe dokumentat që kërkohen janë, fotokopje e kartës së identitetit, ose dokument tjetër identifikimi dhe libreza e punës. Në mungesë të librezës së punës, deklarohet vjetërsia në punë. Kjo për të informuar emigrantin, për vitet që nevojiten për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm. Personi i autorizuar lidh nje marreveshje me ISSH ( ne Drejtori Rajonale ose Agjensi te Sigurimeve Shoqerore), ku shenohen gjeneralitetet e personit qe sigurohet, periudha qe do te mbulohet dhe shuma qe duhet paguar. Mbas nenshkrimit te mareveshjes  te interesuarit i jepet nje urdher veprimi, me an ate te cilit autorizohet pagesa ne banke. Me kryerjen e pageses personi quhet i siguruar.

Masa e kontributit mujor per te perfituar nga kjo skeme duke filluar nga 01.07.2011 eshte 3 790 leke ne muaj, e cila ndryshon ne çdo vit kalendarik.

Edhe per sigurimin e periudhave te kaluara do paguhen me kete shume , per arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund te paguhen tremujore dhe kur keto paguhen paradhenie zbritet 1.5 perqind nga shuma e kontributeve, gjashtemujore ku zbritet 3 perqind e kontributeve dhe vjetore ku zbritet  6 perqind e kontributeve. Keshtu per 1 vit te siguruar, emigarntet duhet te paguajne 45,480 leke.

 

Po në rast se një dikush është i punësuar me ditë në një projekt organizatash, si duhet t’i paguajë kontributet?

Ne keto raste ashtu sikurse percaktohet ne Vendimin e Keshillit te Ministrave nr.1114 date 30.07.2008, i ndryshuar, të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë, të plotë ose të pjesshme, për më shumë se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurimin shëndetësor.

Të punësuarit me kontratë  pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe në sigurimin shëndetësor.

Të punësuarit me  kontratë pune, me afat më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivelin minimal, për aksidente në punë, sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor.

Pra ne kete kuptim, ne qofte se nje punonjes eshte punesuar me kontrate pune me pak se 87 ore ne muaj, por me shume se 1 jave ne vit, do te paguaje kontribute sipas pages qe merr por jo me pak se niveli minimal ( 17,540 leke ne muaj ). Perjashtohen nga pagesa e sigurimeve shoqerore pagesat per onorare.

 

Po punonjësit ambulantë dhe punonjësit shtëpiakë, sa paguajnë sigurime?

Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, nga data 1.7.2011 e në vazhdim, të deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor në  shumën  1 800  lekë ne muaj.

Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 1.7.2011 e në vazhdim, eshte 1800 lekë në muaj.

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Naco Sektorit privat prioritet i qeverise

Publikuar me : 25.05.2012 Ne kategorine : Ekonomi dhe Biznes - Lexuar : 56 here.
Naco  Sektorit privat prioritet i qeveriseMinistri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, zhvilloi sot një vizitë në disa kompani në Durrës, të cilat janë financuar nga linja e kredisë prej 25 milion euro e programit italo-shqiptar për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri. Së bashku me ministrin Naço, në këtë vizitë ishte dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani dhe Drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, Andrea...Lexo te gjithe artikullin »


» Lvovsky Kriza ka rritur borxhin publik
» Durres, Naco Sektorit privat prioritet i qeverise
» Akcizat, opozita “rrezon” mazhorancen ne Kuvend, heq kartat
» Kriza ekonomike, biznesi shqiptar preket me shume
» Biznesi ne krize, bien me 18 perqind te ardhurat nga tatim-fitimi
» CEZ nuk po e shlyen borxhin ndaj KESH-it
» Kur shteti nuk paguan shtetin, sh.a-te i kane 40 mln dollare borxh buxhetit
» Greqia behet gati te kthehet tek dhrahmia
» Qeveria, kontroll karburantit pa akcize per kompanite e naftes
» Euro dhe cmimet e aksioneve pesojne renie

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit